e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Berisha s’planifikon t’i kthehet Kombetares

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Berisha s’planifikon t’i kthehet Kombetares
Besart Berisha e vlerëson që trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi, po e ndjek vazhdimisht dhe thotë fjalë të mira për të. Por, Berisha nuk planifikon t’i përgjigjet pozitivisht ndonjë ftese eventuale të De Biasit për të luajtur për Kombëtaren kuqezi. Berisha e lë të hapur mundësinë e kthimit në Kombëtaren e Shqipërisë, kur të kthehet për të luajtur në Evropë. Për sa kohë do të luajë në Australi, sulmuesi kosovar thotë se nuk ka mundësi të grumbullohet me Kombëtaren.

Trajneri i Shqipërisë, italiani De Biasi, ka thënë të mërkurën se Berisha është lojtar që i pëlqen.

“Respektoj shumë De Biasin dhe e falënderoj për fjalët e mira që ka folur për mua. Mirëpo unë qëndroj prapa vendimit që tani për tani nuk kam mundësi të bashkohem me Kombëtaren. E vlerësoj lart Kombëtaren dhe shpresoj që një ditë të jem më afër Shqipërisë dhe të jap kontributin për Kombëtaren tonë. Shpresoj që edhe drejtuesit e Kombëtares të kenë të njëjtin mendim dhe të më thërrasin kur jam duke luajtur diku në Evropë”, ka thënë Besart Berisha të enjten për gazetën Koha Ditore.