Berisha-Balaj: Vendimi i KAS? Duam vendin e dyte
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bekim Balaj dhe Etrit Berisha kanë qenë dy lojtarët e radhës së kombëtares që kanë dalë para gazetarëve. Pak a shumë në një sinkron, kanë qenë dy futbollistët, portieri Etrit Berisha dhe sulmuesi Bekim Balaj. Etrit Berisha është shprehur se e vlerëson maksimalisht këtë ndeshje dhe do të japë më të mirën në fushën e blertë. Ai ka vlerësuar edhe prurjet e reja në ekip, pasi është një mundësi e mirë për të shfaqur aftësitë dhe vlerat që ata kanë.
“Franca është ekip i madh, ndaj është luks që të luash kundër tyre. Kanë në skuadër emra pikantë të futbollit aktual europian, ndaj për ne vlen shumë kjo përballje. Do ta shfrytëzojmë që të marrim më të mirën.
Lidhur me vendimin që presim nga KAS-i, si me tri pikë, si pa tri pikë, vendi i dytë është objektiv kryesor për ne. Ndeshja me Danimarkën është më e rëndësishmja e sezonit, sepse po morëm rezultat pozitiv, atëherë e fundosim. Normalisht, ne do të udhëtojmë vetëm me qëllimin për ta fituar takimin, edhe pse do të luajmë në fushën e tyre. Edhe një barazim nuk do të jetë keq, gjithnjë nëse e parakalojmë me pikë. Me këtë skuadër e kemi betejën për vendin e dytë, ndaj do të bëjmë maksimumin që ta sigurojmë këtë pozicion.
Këtë vit e konsideroj fantastik si me Lacion, ashtu edhe me kombëtaren. Me të dyja skuadrat kam bërë sezon të mirë. Për sa i përket Lacios, kur jam futur në fushë, kam dhënë më të mirën. Kam lënë përshtypje te drejtuesit, që të besojnë tek unë. Nuk besoj për largim të mundshëm nga Lacio. Por, do të përpiqem ta fitoj vendin e titullarit te klubi im. Mundësitë janë që të jap më të mirën, kështu që do të përpiqem të fitoj besimin e drejtuesve dhe të jem titullar në këtë skuadër”, është shprehur Etrit Berisha.
Bekim Balaj, nga ana e tij, kërkon të gjejë një vend në formacionin e parë të kuqezinjve, pasi vendin e tij e ka marrë Sokol Cikalleshi. “Do përpiqem që të rigjej formacionin me kombëtaren, pasi nuk jam aktivizuar aq sa duhet. Shkak ka qenë fakti që te Slavia e Pragës gjatë fazës së parë nuk u aktivizova aq sa duhet. Gjatë kampionatit s’kam qenë në formën time më të mirë gjatë fazës së parë, por mendoj se kam rikuperuar.
Do të përpiqem që me punën e bërë të rifitoj prapë vendin tim në kombëtare. Cikalleshi është lojtar i mirë dhe që ka ecur mjaft përpara. Ai ka luajtur në Kroaci dhe ka fituar shumë kredite. Edhe në Kombëtare e ka treguar veten. Për këtë e respektoj dhe i uroj suksese. Jam i kënaqur që Roshi iu bashkua skuadrës time pak ditë më parë. Përveçse tashmë jemi në një ekip, unë e kam mik, sepse kemi luajtur për vite bashkë dhe njihemi prej kohësh. Së bashku kemi objektiva për sezonin e ardhshëm te Rijeka. Ndeshja me Francën është shumë e rëndësishme për ne, pasi do të masim veten tonë.
Por, do të ishte më mirë që të ishte afër ndeshjeve të shtatorit, pasi nuk e di sa shanse kemi që të përfitojmë sa më shumë. KAS-i nuk përbën asnjë lloj lajmi për ne, pasi kemi një objektiv përpara, kualifikimin. Ne shohim punën tonë, pikët që jep Lozana janë tjetër çështje”, ka mbyllur Bekim Balaj.