Batha: I lumtur për fitoren, ja pse festova pas golit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Teuta u ndëshkua nga një "ish", Idriz Batha, i cili me golin që realizoi në minutën e 52-të hapi rrugën e fitores për Partizanin. Mesfushori pas shënimit të golit ka festuar në një mënyrë jo shumë sportive kundrejt tifozërisë durrsake, që para dy vitesh e ka mbështetur me fanellën e Teutës.
Por pas ndeshjes Batha, në një prononcim për "Panorama Sport", e justifikoi festimin e tij, pasi me atë veprim ai donte t'u mbyllte gojën "pseudotifozëve" të Teutës, që e ofenduan ishlojtarin e skuadrës së tyre. "Dua të falënderoj ekipin për lojën e bërë dhe për këtë fitore që arritëm në Durrës.
E patëm vlerësuar maksimalisht transfertën dhe e dinim që do të ishte një sfidë shumë e vështirë për Partizanin. Teuta ka lojtarë cilësorë dhe një ekip simpatik. Jam i lumtur, së pari që morëm trepikëshin në transfertë dhe më pas për golin që shënova.
Për sa i përket festimit tim pas golit, dua të sqaroj se nuk kam asgjë me tifozërinë apo ekipin e Teutës, por me ata që nuk janë tifozë të skuadrës durrsake.
Nuk ofendohet apo shahet një ishlojtar i skuadrës që bën tifo pas ekipit ku bën pjesë. Për këtë arsye, festova në atë mënyrë", u shpreh mesfushori i Partizanit, Idriz Batha, pas ndeshjes me Teutën. Goli i Bathës çliroi ekipin, i cili vinte në këtë përballje pas shijes së hidhur që u la të kuqve barazimi me Skënderbeun.