e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Bashkia te ndaje fondet, ose protesta'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Bashkia te ndaje fondet, ose protesta'
Presidenti i skuadrës së Partizanit, Lulëzim Sallaku, i ka bërë gjatë ditës së djeshme një thirrje publike Këshillit Bashkiak që të jetë më i drejtë në ndarjen e fondeve për sportin dhe më konkretisht për futbollin. Aktualisht Bashkia e Tiranës sponsorizon vetëm te skuadra e Tiranës, e cila ka në përdorim edhe aseset e këtij institucioni, ndërsa Partizani dhe Dinamo konsiderohen si klube private, ku presidentët janë ata që duhet të investojnë 100%. Por duket se drejtuesi i të kuqve, Sallaku, nuk është dakord me këtë strategji, ndaj kërkon më shumë barazi nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Deklarata - Gjatë ditës së djeshme, nëpërmjet zyrës për shtyp të klubit, Sallaku është shprehur: “I bëj thirrje Këshillit Bashkiak që të jetë më i drejtë në ndarjen e fondeve për skuadrat e futbollit. Partizani dhe Dinamo nuk mund të diskriminohen në një kohë që edhe tifozët e këtyre dy skuadrave janë taksapagues të këtij qyteti. Partizani është një skuadër, e cila ka mbështetje të madhe në kryeqytet dhe nuk mund të diskriminohet në këtë mënyrë. Ne si klub nuk kemi asgjë kundër Tiranës, por nuk është e drejtë që të gjitha fondet e bashkisë për klubet e futbollit të shkojnë në drejtim të saj. Pothuajse në të gjitha qytetet e vendit ekipet e futbollit kanë edhe mbështetjen e bashkisë, e cila është e nevojshme dhe në Tiranë nuk ka pse të bëhet ky përjashtim”.

Protesta - Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, presidenca e Partizanit dhe bordi drejtues i ngritur pranë kësaj skuadre kanë zhvilluar një takim me një përfaqësi të tifozëve të kuq. Këta të fundit kanë qenë shumë aktivë në mbështetje të problemeve që ka ekipi. Në përfundim të takimit është rënë dakord që, në rast se nga ana e bashkisë nuk do të ketë ndonjë sinjal pozitiv në lidhje me thirrjen e presidentit Sallaku, atëherë do të ketë edhe protesta të tifozëve përpara këtij institucioni. Përveç presidentit të “demave”, kërkesën për të marrë fonde nga Bashkia e Tiranës e kanë bërë edhe tifozët e kuq, të cilët kanë qenë të irrituar me faktin që vetëm Tirana merr fonde nga ana e bashkisë dhe jo Partizani e Dinamo si dy klube të kryeqytetit.

Drejtuesit, gati 2800 abonime për stadiumin

Tifozët e skuadrës së Partizanit, të cilët dëshirojnë ta ndjekin skuadrën e tyre në shtatë ndeshjet që do të luhen në kryeqytet, kanë mundësinë të zgjedhin një nga kartat e anëtarësisë, të cilat do të shërbejnë edhe si abonime. Një gjë të tillë e ka bërë me dije dje zëdhënësi për shtyp i të kuqve, Olsi Ranxhi, i cili është shprehur se fillimisht do të prodhohen 2000 karta për tribunën përballë dhe 800 karta për atë qendrore. Karshija – Tribuna përballë (ajo qendrore), apo karshija siç quhet, do të ketë edhe numrin më të madh të kartave të anëtarësimit, pra 2000 të tilla, pasi në këtë zonë është edhe përqendrimi më i madh i tifozëve ultras.

Karta e anëtarësisë, ose abonimi për këtë pjesë të stadiumit, do të kushtojë 18 mijë lekë të vjetër, një kosto që duhet thënë se është e pranueshme nga të gjithë, për t’i parë shtatë takimet e fazës së parë. Tribuna – Në masë më të vogël dhe më një çmim më të lartë janë parashikuar të bëhen abonimet për tribunën qendrore. Do të prodhohen vetëm 800 copë, ndërsa një do të kushtojë 25 mijë lekë të vjetër. Në momentin që këto karta do të jenë të gatshme për t’u shpërndarë, pritet të bashkëpunohet edhe me shoqatën e tifozëve dhe grupimin “Ultras Guerrils”.