e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Arratiset Barca, humb Reali dhe po percahet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arratiset Barca, humb Reali dhe po percahet
Një mbyllje më e keqe e vitit për Realin e Madridit nuk mund të ishte. “Galaktikët” humbën me Malagën me rezultatin 3-2, në ekip ka përçarje dhe distanca me rivalët historikë të Barcelonës është 16 pikë, ndërsa me Atletikon e vendit të dytë 7.

Kasijas - Zhoze Murinjo ka vendosur që të lërë në stol kapitenin e skuadrës Iker Kasijas, titullar i padiskutueshëm, dhe në vend të tij të hedhë në fushë portierin e dytë Antonio Adan. Ende nuk dihet motivi i këtij vendimi, por kjo bën që situata të jetë kritike, nisur nga pesha që ka gardiani spanjoll në ekip dhe nga lojtarët që e mbështesin atë. Thuhet se Serxhio Ramos mban një fanellat ë veshur, ku shkruhet: “Është vetëm një kapiten”. Ndërsa presidenti Perez vendimin e Murinjos e mori vesh 30 minuta para takimit dhe kjo e mërziti shumë.

Ndeshja - Në pjesën e parë janë miqtë më kërkues dhe që i afrohen disa herë golit. Jo pak herë ata e vunë ekipin e drejtuar nga Manuel Pelegrini në vështirësi, por Malaga arriti të mbrohej mirë. Në të dytën situata ndryshoi totalisht. Kështu në minutën e 49-të Isko kaloi në avantazh vendësit, duke tronditur ekipin e Murinjos. Në të 66′ do të rikthehet barazimi, kur Sançez do të shënojë në portën e tij. Por loja e vrullshme e vendësve dhe pamundësia e “galaktikëve” për t’i përballuar ata, do të bëjnë që të ndëshkohen dy herë me anë të Santa Kruzit brenda tri minutave.

Benzema do të shkurtojë rezultatin në të 82′, por festa është e Malagas. Për Realin ka vetëm pushime të turbullta.

Penalltitë - Arbitri i takimit Hernandez ka qenë në qendër të kritikave nga ana e madrilenëve, pasi i ka mohuar ekipit dy penallti. Rasti i parë vjen në minutën e 35-të kur sfida qe e barabartë 0-0. Mesfushori Sami Khedira ishte brenda zonës, por ai u rrëzua në mënyrë të parregullt nga Sançezi. Pavarësisht kësaj, ai nuk protestoi dhe u ngrit menjëherë të kërkonte të rimerrte topin e kjo ka ndikuar që arbitri të mos kuptojë gabimin. Ndërkohë që në minutën e 67- të Eliseu sipas madrilenëve preku topin me dorë, pas gjuajtjes së Ozilit.

Barcelona – Ata janë të papërmbajtshëm. Marrin fitorene 16-të në kampionat, në 17 sfida të luajtura në total. Nga 52 të mundshme për vitin 2012, katalanasit kanë marrë 49 pikë. Ka qenë një ndeshje e veçantë për katalanasit, të cilët triumfin ia kanë dedikuar trajnerit të tyre, Tito Vilanova, i cili të premten iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një tumori. Të dyja skuadrat mbajnë veshur bluza, në të cilat është shkruar një mesazh mbështetjeje për teknikun Vilanova. Ka qenë një sfidë emocionuese për zëvendëstrajnerin Hordi Roura, i cili i drejtoi katalanasit në takimin në transfertë ndaj Valadolidit.

Ndeshja ka qenë e lehtë për miqtë, të cilët pas disa aksioneve kanë kaluar në avantazh në stadiumin “Zorija” me anë të Ksavit në minutën e 43-të. Mesi, pasi rikuperon një top, pason për Hordi Albën, kros te Ksavi, i cili nuk gabon. Në pjesën e dytë janë miqtë që kontrollojnë, ndërsa Lionel Mesi do ta çojë rezultatin në 0-2 në minutën e 60-të. Aksion perfekt individual i argjentinasit, të cilin nuk ka njeri që ta ndalë. Valadoli përpiqet të reagojë dhe në të 89-ën minutë Guerra do ta shkurtojë rezultatin. Në sekondat e fundit ka kohë për një tjetër gol. Është Tejo, i cili e çon rezultatin 1-3.