e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Barça tërbon Realin me Busketsin dhe Rakitiçin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barça tërbon Realin me Busketsin dhe Rakitiçin

Barcelona do të shkojë në supersfidën e 2 prillit shumë më e çlodhur sesa Reali i Madridit. rakitic buskets

Disa nga mesfushorët titullarë të katalanasve nuk janë prekur nga "virusi" FIFA, prandaj ata kanë pasur plot dy javë në dispozicion për të karikuar bateritë, në pritje të "El Clasico"-s në stadiumin "Kamp Nou".

Por, sipas Realit, kjo që ka ndodhur ka qenë një lojë e pisët e "pilotuar" nga Barcelona, e cila ka bërë presion në radhët e kombëtareve për të lënë në shtëpi shumë prej yjeve të saj. I pari që nuk u grumbullua, edhe pse pa një arsye të fortë, ishte Andres Iniesta, të cilin trajneri i Spanjës, Visente Del Boske, e la jashtë për miqësoret me Italinë dhe Rumaninë.

Edhe më i bujshëm ishte largimi nga grumbullimi i Serxho Busketsit. Mesfushori vuante nga një frakturë në gishtin e njërës dorë, por edhe pse futbolli luhet me këmbë dhe jo me duar, stafi mjekësor i përfaqësueses e lejoi të kthehet në shtëpi.

Ndërkohë, një tjetër prapaskenë ndodhi edhe në kombëtaren kroate, ku trajneri i saj vendosi në mënyrë të papritur që të lërë Ivan Rakitiçin që të largohet, për një tërheqje, e cila nuk ishte aspak serioze, duke qenë se lojtari është kthyer normalisht në stërvitje, në urdhrat e trajnerit Luis Enrike.

Nga ana tjetër, Reali ka mundur të mbajë në shtëpi vetëm mbrojtësin Marselo, ndërkohë që të tjerët i janë përgjigjur që të gjithë thirrjes në përfaqësueset e tyre dhe madje janë aktivizuar.

Ronaldo ishte prezent si titullar dje për Portugalinë, kundër Bullgarisë: Modriç dhe Kovaçiç luajtën respektivisht 67 dhe 33 minuta të mërkurën kundër Izraelit, Kros pritet titullar sot për Gjermaninë, ndërsa Hames jo vetëm që luajti 96 minuta për Kolumbinë, fituese në Bolivi, por ndërkohë mesfushori i Zidanit do të udhëtojë jo pak, por 21 mijë e 300 kilometra në itinerarin Spanjë-KolumbiBolivi.

Me pak fjalë, Barcelona mund të fërkojë duart, ndërsa Reali i Madridit duhet të qëndrojë me frikë në lidhje me lodhjen apo një dëmtim të mundshëm që mund të pësojnë disa prej titullarëve të Zidanit, prandaj kaq ka mjaftuar që klubi madrilen të tërbohet nga ajo që ajo quajti një "lojë të pisët" nga ana e Barcelonës.

Përgatiti: JETON STAMOLLA