Baka mendon të largohet, Zaza, Pavoleti ose Pele te Djalli
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Karlos Baka pritet të prekë murin e 30 viteve, prandaj duke parë situatën te Milani, por edhe rezistencën e fortë të disa prej sponsorëve të tij, sulmuesi kolumbian po mendon seriozisht që të lërë Milanin dhe Serinë A pas vetëm një viti.
Për kampionët e mëdhenj si numri 70 i skuadrës kuqezi, të luajturit në Ligën e Kampioneve është një domosdoshmëri, duke parë kontratat multimilionere që futbollisti ka të lidhura, prandaj në futbollin modern marketingu është një shtysë e fortë për të ndërmarrë hapa, edhe pse ata mund të jenë të dhimbshëm.
Karlos Baka ka treguar që edhe te ky Milan në vështirësi golat di t'i bëjë, ata të rëndësishmit sidomos, por fakti që nga Europa, sidomos nga Arsenali, janë gati që të derdhin shumë miliona për të, 29-vjeçari po e mendon seriozisht një aventurë në Premier Ligë.
"Topçinjtë" janë gati që të mbulojnë lojtarin me miliona, duke i garantuar atij dyfishin e pagës që përfiton te "Djalli", jo pak, por 7 milionë euro neto në sezon (te Milani fiton aktualisht 3.5 milionë euro). Por, duke parë këtë Milan në krizë, natyrisht që edhe kuqezinjtë mund të pranojnë ta shesin bomberin për 35-40 milionë euro, pa harruar këtu edhe konkurrencën e gjermanëve të Bajernit të Mynihut.
Alternativat
Dhe ndërkohë qëofertat për Bakën shtohen, në selinë kuqezi kanë nisur të bëhen vlerësimet në lidhje me një zëvendësues të tijin. Emri i parë në listë është ai i juventinit Simone Zaza, por kartoni i 24-vjeçarit duket i paprekshëm për Silvio Berluskonin, duke parë se në janar të këtij viti "Zonja e Vjetër" refuzoi 34 milionë euro nga Uest Hemi. Një tjetër emër është ai i Leonardo Pavoletit, bomberi i spikatur i Xhenoas sivjet, për të cilin presidenti Enriko Preciozi, edhe pse mik i ngushtë i Adriano Galianit, nuk ka ndër mend ta lërë pa 15 milionë euro.
Ndërsa zgjedhja dhe zgjidhja më e lehtë duket ajo e gjigantit të Sauthemptonit, Graciano Pele. Italiani, shumë i rëndësishëm edhe në Kombëtaren italiane për skemat e Antonio Kontes, ka edhe një tjetër vit kontratë me anglezët, por në rast të një thirrjeje të Milanit, jo vetëm lojtari që nuk do të refuzonte, por ndoshta as Sauthemptoni, i cili do ta linte të lirë për 5 milionë euro. Në këtë pikë, projektimi i merkatos së ardhshme ka nisur.