e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ish-portieri e sheh të vështirë,Tata: Tiranën e shpëton Europa

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ish-portieri e sheh të vështirë,Tata: Tiranën e shpëton Europa

Blendi Nallbani e shikon Europën si shpëtimin e vetëm për Tiranën, ndonëse e pranon se "kreditet" i janë ulur ndjeshëm krahasuar me dy rivalët e saj. blendi nallbaniSipas ish-portierit, bardheblutë janë të destinuar që të fitojë 7 ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë te ndonjë barazim në Teuta-Kukësi që këtë javë.

Në intervistën e dhënë për "Panorama Sport", ai është kundër protestave të tifozëve, ndërsa deklaron se më shumë se kurrë Tirana ka nevojë për mbështetje në stadium.

Pas dy fitoreve radhazi, mendon "Tata" se është rikthyer Tirana?

Tirana kujtohet në fund gjithnjë, atëherë kur ndoshta nuk ndryshon asgjë. Kujtoj deklaratën e Muzakës që tha para Laçit, që është ndeshja e Europës. Por jo, pasi ata harrojnë që Teuta kishte fituar dhe më pas fitoi Kukësi. Dhe mbeten po aty, janë pas rivalëve.

Tirana shkon në Ballsh, pret Skënderbeun e Teutën dhe luan derbin. Me këtë kalendar, sa e mundshme është Europa?

Unë vetëm një këshillë dua të jap, që të mos presin nga këmbët e të tjerëve. Nuk bëhen llogaritë me këmbët e dynjasë. Tirana është e detyruar që deri në mbyllje të kampionatit të futet për fitore në çdo ndeshje. Nuk ka zgjidhje tjetër, pasi ka Kukësin dhe Teutën sipër vetes. Kalendari është më shumë se i vështirë. Unë kam qenë optimist, por me hapat falsë që kanë bërë, tani më duket sikur ka më pak "kredite". Çdo skuadër luan për diçka dhe pengesa e parë vjen pikërisht në Ballsh, ekip që rrezikon rënien. Megjithatë, asgjë nuk është e pamundur.

Fakti që Teuta dhe Kukësi ndeshen këtë javë me njëra-tjetrën, i avantazhon bardheblutë?

Nëse Tirana fiton me Bylisin dhe në Durrës përfundon barazim, atëherë po, do ta ketë disi më të lehtë. Por prapë nuk mbyllet gjë. Pas kësaj transferte, pret pikërisht Skënderbeun që do titullin.

Trajneri beson se Tirana mund të ripërsërisë fazën e dytë, ku pësoi vetëm një humbje...

Tirana po të përsërisë fazën e dytë, mund t'ia dalë. Pastaj vetë trajneri e ka të qartë se ky objektiv duhet realizuar dhe me sa mbaj mend deklaroi se nëse nuk ia del, do të jepte dorëheqjen. Por, unë di të them vetëm që në vitet e fundit Tirana nuk ka vuajtur kurrë prej trajnerëve, të jemi të sinqertë. Unë e kam thënë dhe do ta them, që në kohën kur ishte për të dalë nga kategoria, i vetmi që e mori përsipër ishte Magani. Edhe këtë vit po ashtu.

Pra, problemet nuk kanë mbetur te trajnerët. Ku i ka mbetur pra...?

Duhej ndoshta më shumë kujdes edhe te merkatoja, megjithatë tashmë që jemi në muajin prill nuk ke çfarë diskuton për këtë pjesë. Nuk zhbën dot asgjë. Por të gjitha këto mbyllen vetëm nëse Tirana merr pjesë në Europa Ligë. Nëse ia arrin, do të shpëtojë sezonin dhe do të ketë shansin për të ndërtuar një bazë të shëndoshë për vitin tjetër.

Si e gjykoni faktin që tifozët prej javësh kanë braktisur ekipin?

Tifozët kanë të drejtë, por jam i sigurt që edhe vetë lojtarët ndihen keq. Unë kam qenë vetë në kushtet e tyre dhe askush nuk donte të humbiste. Edhe pse në kohën tonë, s'e kemi lënë veten që të arrinim në atë gradë, pasi ne tituj dhe Kupa kemi marrë me bollëk.

Me rikthimin e tifozëve, do bëhej më e fortë Tirana?

Tirana ka nevojë për mbështetje tani. Unë s'jam shumë "pro" protestave, pasi dëmtojnë ekipin. Skuadra nuk duhet vetëm kur është mirë, por edhe në ditë të këqija. Unë për shembull jam tifoz i Juventusit dhe kur ra nga kategoria prej "Calciopoli"-t i qëndrova besnik. Ata kanë të drejtë, por deri në njëfarë mase.

Kjo krizë erdhi prej derbit sipas jush?

Nuk është "qameti" që fiton Partizani. Pasi ashtu i rrihnim edhe ne, me vite radhazi madje. Pikët në fund të fundit kanë vlerë njësoj, paçka se derbi ka tjetër vlerë. Kështu ndodh në çdo vend të botës. Ky është futbolli. Por nuk duhet të mbajnë inat dhe të djegin të gjithë sezonin se nuk fituan me Partizanin.

Borxhet e shlyera e lehtësojnë Tiranën, pasi mund të vinte edhe ndonjë penalitet nga FIFA?

Unë di që janë të shumta dhe këto që janë shlyer e lehtësojnë vetëm për të mos penalizuar nga FIFA. Fatura në total shkon 1 milion e 300 mijë euro. Problemi është si do jepet zgjidhja përfundimtare. Halili po mundohet që të zgjidhë diçka, por njerëzit që kanë drejtuar duhet të ishin më të kujdesshëm. Ato kontrata duhet të shiheshin me kujdes, siç ishte rasti i lojtarit të ardhur nga Panathinaikos. I fortë është edhe Halili që po kërkon t'i zgjidhë.

Klubi dhe bashkia kanë nisur auditin dhe kanë paralajmëruar se do të ketë ndëshkime për ish-drejtuesit. Është kjo një formë zgjidhjeje?

Është shumë normale. Pasi me ato shifra do të dalë diçka. Pastaj kjo shërben për të vendosur pikat mbi "i" dhe tifozët të kuptojnë realisht se çfarë ka ndodhur, që mos ia lënë faturën presidentit Halili. Kush ka bërë shkelje, të mbajë përgjegjësi. Shumë e thjeshtë.

Skënderbeu humbet dhe Partizani nuk përfiton. I prisnit këto surpriza?

Këto surpriza e bëjnë edhe më të bukur kampionatin. Por, Partizani duhet të përfitonte dhe nga humbja e Korçës, kundërshtari luajti 3 orë përpara, ndaj kishte luksin që t'u afrohej kryesuesve.

Kë sheh "Tata" më të avantazhuar për titullin?

Unë doja që ta merrte Partizani, meqenëse Tirana nuk ka shanse. Por, derisa nuk dinë të përfitojë, atëherë mbetet që edhe këtë vit titulli të shkojë në Korçë. Të kuqtë nuk po më bindin.

Kush e fiton Kupën e Shqipërisë?

Shoh Kukësin favorit.

Po në Europë kush shkon?

Nëse Kukësi merr Kupën, atëherë Tirana mund të jetë ekipi që pret një "biletë" në Europë. Ka luftë edhe për mbijetesë. Ka garë mes Bylisit, Flamurtarit dhe Vllaznisë.

Kush rrezikon më shumë?

Vllaznia nuk besoj se rrezikon. Flamurtari deri diku, paçka se më vjen keq që prej vitesh vetëm investohet tek ai klub dhe në fund mbetet sërish në këto kushte. Por do shpëtojnë deri fund. Nuk do doja të binte as Bylisi, por rregulli është i qartë, duhet të bien dy.

Përgatiti: ADELA MERKO