Bajerni, në sulm për De Shiljon, Çelsi çmenduri për Donarumën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Karlo Ançeloti po mendon të bëjë pazar në shtëpinë e ish-ekipit të tij, Milani, për të përforcuar sezonin e ardhshëm organikën e Bajernit të Mynihut.
Sipas së përditshmes italiane "Il Corriere dello Sport", gjermanët synojnë që të afrojnë në gjirin e tyre me hapjen e merkatos së verës, mbrojtësin italian Matia De Shiljo.
Ançeloti nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për 23-vjeçarin e kuqezinjve, i cili shihet si pasardhësi i kapitenit të Bajernit, Filip Lahm, që në sezonin e fundit nuk po shkëlqen me bavarezët.
Sakaq, De Shiljo nuk e ka hedhur poshtë një largim të mundshëm nga Milani në fund të sezonit. Lojtari, i cili ka kryer 22 ndeshje me përfaqësuesen italiane, ka një kontratë deri në vitin 2018 me ekipin e tij aktual. Skuadra gjermane duhet që të përballet edhe me konkurrencën e Juventusit, që thuhet se është shumë e interesuar për mbrojtësin, teksa trajneri Masimiliano Alegri e ka vënë në krye të listës së merkatos.
Donaruma - Mirëpo, De Shiljo nuk është talenti i vetëm që rrezikon t'i japë lamtumirën "Djallit" në fund të sezonit. Sipas shtypit britanik, Çelsi po mendon për të siguruar portën me 17- vjeçarin e kuqezinjve, Xhanluixhi Donaruma.
Portieri aktual i "bluve", Dibo Kurtua, më herët ka theksuar se s'e ka të sigurt qëndrimin në Londër në sezonin e ardhshëm dhe, në rast të një largimi të mundshëm të belgut, Donaruma është emri i parë në listën e merkatos.
Për të afruar italianin, flitet se Çelsi është gati t'i ofrojë Milanit 40 milionë euro. Mirëpo, Mançester Siti, Junajtid dhe Barcelona janë po ashtu të interesuara për talentin e Milanit, i cili është vlerësuar nga menaxheri i tij, Mino Raiola, plot 170 milionë euro. Gjithsesi, fjala e fundit i takon presidentit Silvio Berluskoni, i cili më herët e ka konsideruar portierin si të pashitshëm.