e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bajerni me '3 yje', Junajtid s'e perballon

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajerni me '3 yje', Junajtid s'e perballon

Bajerni i Mynihut qëndroi i qetë për 57 minuta në “Allianc Arena” përballë Mançester Junajtid, i siguruar edhe nga barazimi 1-1 në ndeshjen e parë në “Old Trafford”, që u garantonte gjermanëve kualifikimin edhe me një rezultat 0-0. Por, një shkëndijë krenarie nga ana e anglezëve, që deri në atë moment kishin menduar vetëm që të mbroheshin, zgjon gjigandin e përgjumur. Patrisë Evra me një “perlë” nga jashtë zone ndez fitilin që do shkaktonte fishekzjarrë spektakolarë, me gjermanët që bien në panik vetëm për pak sekonda, aq sa i mjaftojnë “vrasësit” të zonës Manxukiç dhe më pas “hajdutit” Myler e “gjigandit” Roben për të ndërtuar përmbysjen madhështore.


Guardiola “Nuk është kurrë e lehtë kundër një ekipi anglez. Ata luajnë futboll solid dhe kundërsulmojnë shpejt, duke të lënë pak hapësirë për të luajtur. Evra shënoi një gol të shkëlqyer. Por ne u përgjigjëm menjëherë dhe unë jam shumë shumë krenar për skuadrën time”, – ishin fjalët e para të trajnerit të Bajernit. “Mançesteri mbrohej me 8 lojtarë në zonë dhe nuk ishte e lehtë për të gjetur hapësira. Por, pas golit të barazimit, u zhbllokuam. Gjermanët e kanë në gjak reagimin e menjëhershëm dhe dinë të përmbysin”, – shpjegoi më tej tekniku katalanas. Kritika – Sigurisht ai bën edhe kritikën e tij për atë që nuk i pëlqeu nga lojtarët. “Jemi një skuadër që kur fiton herë pas here relaksohet. Pasi shënuam golin e tretë, duhet të bënim 200 milionë pasime dhe t’i detyronim anglezët të vraponin, por ne nuk e bëmë. Në këtë nivel duhet të tregohesh gjithnjë i kujdesshëm. Nëse të shënojnë golin e dytë, atëherë 4-5 minutat e fundit mund të vuash shumë. Menaxhimi i rezultatit është diçka që duhet përmirësuar më tej, – nënvizoi 43-vjeçari. – Një gjysmëfinale me Çelsin e Murinjos? Nuk e di, janë të gjitha skuadra të forta në këtë fazë. Me Realin ose Çelsin do ishte një klasike”, – përfundoi Guardiola.


Mojes Për herë të parë në histori, Mançester Junajtid pësoi 3 gola në Champions përballë një skuadre gjermane. Për herë të parë në 22 ndeshjet e fundit Junajtid pëson më shumë se dy gola. Ky është një tjetër rekord negativ i “djajve” që vendoset me Dejvid Mojesin menaxher. Por, ajo që anglezëve u dhemb më shumë është mungesa e pritshme e kampionëve të Anglisë për herë të parë në Champions pas 18 sezonesh (për herë të fundit munguan në 1995-96). Dejvid Mojes mendon se në Mynih vendosën detajet. “Ndoshta ndeshjen e humbëm 30 sekonda pasi shënuam. Kur je fëmijë, gjëja e parë që të mësojnë është që të mos pësosh menjëherë pasi shënon. Por, Bajerni na ndëshkoi që në sulmin e parë pas ristartit.

Na u deshën 10 minuta që ta rimerrnim veten. Lojtarët e mi nuk bënë një paraqitje të keqe. Luajtën me të vërtetë mirë, por ishin disa gabime të vogla që na kushtuan në fund”, – u shpreh menaxheri skocez, i cili fajëson edhe fatin për humbjen: “Kishim një rast të shkëlqyer kur ishim 2-1, ndërsa goli i tretë erdhi pas dy devijimesh. Nuk e mendova kurrë që ishim të eliminuar, përkundrazi, besoja se kishim një shans. Te goli i fundit mendoj se ishim pak të pafat. Nuk do të luajmë për një kohë të gjatë në këtë kompeticion dhe do të na mungojë. Por, tani duhet të përqendrohemi dhe të ndërtojmë një skuadër të denjë për t’u rikthyer sërish. Champions-i është një kompeticion i shkëlqyer dhe ne duhet të luajmë sa më shpejt”.