e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Atletiko me 'luane', Barca 'prek fundin'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Atletiko me 'luane', Barca 'prek fundin'

Një mbrëmje e paharrueshme, e jashtëzakonshme për popullin bardhekuq, në ekstazë për një “finish” që mungonte që prej 40 vitesh. Atletiko Madridi arrin kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, duke eliminuar Barcelonën me rezultatin 1-0 falë një goli të shpejtë të Kokesë dhe më pas luajtjes së një ndeshjeje perfekte. Katalanasit kanë qenë të pafuqishëm që të bëjnë diçka në fushë, ndërsa janë dominuar nga vendësit në pjesën e parë. Kur tentonin që të çanin murin bardhekuq pengoheshin, pavarësisht se në fund mblodhën gjithë forcat dhe realizuan një mësymje finale. Pas shtatë vitesh Barcelona eliminohet nga Champions-i në çerekfinale. Lionel Mesi në këtë takim ishte thuajse një fantazmë, ku në asnjë çast nuk u pa i gjallë në lojë. Ndërkohë nga të zotët e shtëpisë shkëlqejnë sulmuesi Vija dhe katërshja e mesfushës, që ishin arkitektet e këtij suksesi historik.


Vlera e skuadrave Sfida në “Vinsente Kalderon” midis Atletikos dhe Barcelonës ka qenë e jashtëzakonshme edhe nga pikëpamja financiare. Në impiantin e skuadrës madrilene në total në fushë luajtën futbollistë që në vlerën e tregut kapin shifrën e 870 milionë eurove. Blaugranat janë klubi më i shtrenjtë, dhe kushtojnë 588 milionë euro. Ndërkohë që vlera e kolçonero- ve, që u kualifikuan për në gjysmëfinale është më pak sesa gjysma e katalanasve. Një shembull i mirë, që jo gjithmonë klubi më i pasur arrin që të fitojë. Në bazë të llogaritjeve, ekipi i drejtuar nga Diego Simeone kushton 282 milionë euro dhe diferenca mes tyre është 306 milionë euro. Njeriu i cili vendosi takimin dhe u siguroi madrilenëve biletën kualifikuese, Koke, kushton 30 mln euro. Spanjolli është lojtari i dytë më i shtrenjtë në ekip. I pari është sulmuesi spanjollo-brazilian, Diego Kosta, që ka një vlerë prej 35 milionë eurosh, por që nuk luajti dje për shkak të një dëmtimi fizik. Te blaugranat lojtari më i shtrenjtë është Lionel Mesi, që kushton 120 milionë euro, 4 herë më shumë se Koke dhe 3.4 herë më shumë se Diego Kosta. Argjentinasi në takimin e djeshëm nuk arriti të ndihmonte skuadrën e tij. Tek kolçonerot, futbollisti më i lirë është portieri Aranzubia (1 milion euro), kurse te blaugranat gardiani Pinto (300 mijë euro).


Simeone: “Sigurisht që e prisja një fitore ndaj Barcelonës. Ne gjithmonë futemi në fushën e lojës për të dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin. Jemi një ekip që luajmë me zemër. E kishim planifikuar që ta nisnim ndeshjen me një ritëm të lartë dhe me presing të fortë. Ia dolëm që t’i vëmë në vështirësi dhe të shënojmë një gol që në fillim. Kjo na ndihmoi disi moralisht, por edhe na karikoi që të shënonim edhe një gol tjetër. U treguam të gjithëve që jemi një ekip që nuk mbyllet në mbrojtje. Kemi kundërsulm të shpejtë dhe shpeshherë iu afruam golit të dytë. Ku mund të arrijmë? Të jem i sinqertë, asnjëri nga ne nuk e di se çfarë po bën. As që e kemi idenë se ku kemi arritur. Nuk jemi mësuar me këtë ritëm të lartë ndeshjesh dhe e vetmja gjë që bëjmë, është të qetësohemi dhe ushqehemi mirë. I marrim ndeshjet me radhë, pa menduar shumë gjatë. Jjemi realistë për situatën tonë. Jemi një klub pa shumë histori apo traditë në Champions dhe që nuk ka investuar shumë para në merkato. Por, ne nuk i trembemi asnjë kundërshtari. Do kërkojmë të fitojmë ndaj kujtdo që do kemi përballë. Eliminuam Barcelonën dhe mendojmë se mund të fitojmë ndaj çdo rivali.”

Martino: “E patëm shumë të vështirë që të përshtatemi në 20 minutat e para të lojës. Patëm mungesë idesh dhe nuk arritëm që të dalim në stilin tonë. Krijuam disa mundësi, gjithsesi nuk ishte maksimumi ynë. Eliminimi është një dështim, pasi objektivi ynë ishte triumfi në Ligën e Kampioneve”, tha trajneri i Barcelonës. Sa i përket mundësisë për të ndryshuar stil, ai tha: – “Ne nuk kopjojmë asnjë ekip tjetër. Do të vazhdojmë me të njëjtën filozofi që ka përdorur ky klub në 15 vitet e fundit. Nuk mund të luajmë kurrsesi si Atletiko”. Në fund, foli edhe për paraqitjen e Lionel Mesit: – “E kishim programuar që Leo nuk do e prekte shumë herë topin. Tentuam që ai të sulmojë nga krahu dhe të bëjë diferencën në duelet një për një. Ishte e gjithë skuadra ajo që nuk arriti të bëjë atë që pritej dhe jo vetëm argjentinasi”, përfundoi Martino.