e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Bajerni ben epoke, me i miri ne histori'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Bajerni ben epoke, me i miri ne histori'

Pas 113 vitesh histori, Bajerni i Mynihut arrin të fitojë për herë të parë 5 trofe për një vit, duke çelur kështu një epokë të re. Në fakt, gjigantët bavarezë kanë shkruar historinë edhe në vitet ’70-të me legjendat e futbollit gjerman si Bekenbauer apo Gerd Myler, të cilët “pushtuan” Europën në ato vite. Bajerni i viteve ’70- të, Reali i viteve ’60-të apo Milani i viteve ’90-të, sipas numrit 2 të Bajernit Karl- Hainc Rumeniges, quhen epokat më të suksesshme dhe të paarritshme në kohët e sotme, sepse aktualisht në tregun europian ekzistojnë 8- 9 ekipe elitare.

Por, i këtij mendimi nuk ka qenë as ishpresidenti Franc Bekenbauer, as drejtori sportiv, Matias Samer. Sipas kajzerit bavarez, ky Bajern është më i miri i të gjitha kohërave, rrjedhimisht më i mirë se ai i viteve ’70-të. “Bajerni i sotëm, me mbi 20 lojtarë cilësorë, ka kapacitete të mjaftueshme për të sfiduar pengesat, vështirësitë dhe konkurrentët europianë. Aktualisht ata zëvendësojnë çdo lojtar pa asnjë problem, sepse të gjithë janë në formë shumë të mirë dhe në një moshë mjaft premtuese.

Këtë luks ne nuk e kishim në kohën tonë. Gjenerata e artë e Bajernit është lehtësisht e krahasueshme me gjeneratën e artë të viteve ’70-të. Vërtet Bajerni i 70-ës kishte një bosht të pamposhtur me lojtarë të klasit botëror, por nuk fitoi me kaq lehtësi sa Bajerni i sotëm që edhe konkurrenca është më e larta. Të gjithë mund të flasin për epokën tonë të lavdishme, sepse e tillë ishte. Ne bëmë që sukseset të ndikonin edhe në kombëtare dhe kjo ka bërë që koha jonë të vlerësohet më shumë sesa sot. Por, unë kam besim që Lahm & Co do të bëjnë të njëjtën gjë si ne në vitet 1972 dhe 1974, kur u shpallëm kampionë Europe dhe bote me kombëtaren”, – nënvizoi Bekenbauer gjatë intervistës për “Tz”. Teksa festonin me verë të kuqe, puro, meny marokene dhe nën shoqërinë e kërcimtareve gjysmë nudo, Bekenbauer flet edhe për Riberinë: “Çmimi ‘Topi i Artë’ duhet vlerësuar siç duhet. Është një çmim personal, i cili varet nga rezultatet dhe paraqitja personale. Por, kjo paraqitje duhet kurorëzuar me trofe në fund. Prandaj, këtë trofe e meriton Riberi”.