e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Edhe Mojes nuk ngut Januzajn: Ka kohe boll per kombetaren!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Edhe Mojes nuk ngut Januzajn: Ka kohe boll per kombetaren!

David Mojes do të ishte shumë i lumtur nëse Adnan Januzaj do të vazhdonte të mos zgjidhte një kombëtare për ta përfaqësuar në të ardhmen. Trajneri i Mançester Junajtid nuk e ka fshehur këtë qëndrim të tij duke pranuar publikisht se i intereson që Januzaj të mos bëjë asnjë përzgjedhje sa më gjatë që të jetë e mundur, në mënyrë që të jetë i përqendruar ekskluzivisht te “djajtë e kuq”.

“Më duket se Januzaj tha se ka zgjedhur Skocinë!”, ishte përgjigjja e parë me humor e trajnerit skocez ndaj atyre që i kujtonin se futbollisti nuk kishte bërë ende një zgjedhje për karrierën e tij ndërkombëtare. “Unë personalisht jam shumë i lumtur, pasi kjo do të thotë se do ta kemi në dispozicion për një kohë më të gjatë dhe ai nuk largohet nga këtu. Ndërsa ai qëndron këtu, ne mund të influencojmë në zhvillimin e tij. Por unë jam i sigurt se ai do ta marrë vetë vendimin”, ishin fjalët e Mojes para mediave britanike.

Pas kësaj deklarate, në Angli tani mendohet se është vetë klubi që po nxit futbollistin të mos ngutet me vendimin e tij, pasi ka kohë të mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë në të ardhmen. Specialistët e cilësojnë këtë si një strategji mbrojtëse karshi futbollistit, duke e bindur atë të evitojë të jetë në epiqendër të vëmendjes nëse zgjedh cilëndo kombëtare në një të ardhme të afërt. Mançester Junajtid mendon se duke e mbajtur atë larg ekipit kombëtar, cilido qoftë ai, do t’i japë Januzajt kohën e duhur për t’u mësuar me famën dhe për të përballuar sa më mirë impaktin mediatik që do të ketë zgjedhja e tij.

Vetë futbollisti ka insistuar se çdo zgjedhje rreth kombëtares do të varet plotësisht nga babai i tij, Abedin Januzaj. Tashmë është e qartë se në mendjen e këtij të fundit janë vetëm katër zgjedhje të mundshme, pasi ai është i ndarë mes Belgjikës, Shqipërisë, Kosovës dhe një ftese që mund të vijë pas 2 vitesh nga Anglia. Ai ka refuzuar deri tani disa herë Belgjikën, vendlindjen e Adnan Januzajt, e cila ka një kombëtare që mund të tentojë në të ardhmen ta joshë me një ftesë për Botërorin 2014, për t’u bërë pjesë e këtij grupi të ri të talentuar që ka bërë emër në futbollin europian. Për momentin, diskutimet me Shqipërinë janë në vendnumëro, pasi nuk ka pasur ende një takim të babait të lojtarit me trajnerin De Biazi, edhe pse ky i fundit ka kërkuar vazhdimisht zhvillimin e një takimi të drejtpërdrejtë për të sqaruar atë që Shqipëria mund t’i afrojë këtij djaloshi të talentuar.

Por në këtë situatë të paqartë, “rivalët” më të mëdhenj të Shqipërisë mbeten Kosova dhe Anglia. E para ka të bëjë me prejardhjen e tij dhe faktin që familja Januzaj është e lidhur ngushtë me Kosovën, vend të cilin e vizitojnë shumë shpesh. Federata Kosovare e Futbollit ka vendosur prej kohësh kontakte me familjen e futbollistit dhe po punon që ta bindë të veshë fanellën e kësaj përfaqësueseje kur ajo që të fitojë anëtarësim të plotë në FIFA dhe UEFA. I dyti është emri më i “madh” në këtë garë, Anglia, ku edhe Federata Angleze po bën përpjekje maksimale që t’i veshë fanellën e “tre luanëve”. Si në rastin e Kosovës, ashtu edhe në atë të Anglisë, Janzuaj do të ketë mundësinë që të afirmohet me Mançester Junajtid para se të zbresë në fushë me fanellën e përfaqësueses, pasi aktivizimi në këto kombëtare nuk do të ndodhë pa kaluar të paktën dy vite. Ndaj nuk është çudi që edhe Mançester Junajtid ta shtyjë drejt këtyre dy opsioneve, duke preferuar që ta mbajë larg një zgjedhjeje sa më gjatë që të jetë e mundur.