Atletiko akuzon: Rumenige i zgjedh kundërshtarët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Atletiko e Madridit nuk e ka kapërdirë dot humbjen ndaj Barcelonës. Sipas tyre, ka qenë arbitri ai që ka vendosur fatin e sfidës. Madje, drejtori Migel Angel Zhil Marin ka akuzuar ashpër për komplot dhe favorizime.
Sipas tij, tetë klubet më të fuqishme të Europës diktojnë futbollin. "Barcelona nuk ka nevojë për të tilla ndihma. Ato që bëri arbitri i ndeshjes, ta heqin përshtypjen se dy skuadra mund të përballen në kushte të barabarta. Sakrifica që po bën Atletiko e Madridit s'e meriton një gjë të tillë", u shpreh Zhil Marin, duke iu referuar kartonit të kuq që Feliks Brysh nxori ndaj Fernando Torresit.
"Nëse ai ishte karton i kuq, atëherë duhet të mbahet i njëjti standard dhe të dënohej më pas Luis Suarezi. Pse nuk e bën të njëjtën gjë kundër uruguaianit, apo sepse është futbollist i Barcelonës. Kujt tjetër i intereson kalimi i tyre?!", shtoi ai.
Më pas, ka akuzuar në mënyrë direkt Rumenigen, duke pretenduar se synohet që të ketë duele më të forta në gjysmëfinalet e Champions-it. "Rumenige dëshiron gjysmë- finale midis atyre ekipeve që ai beson se komandojnë futbollin dhe ndaj vijnë të tilla pasoja.
Futbolli nuk është pronë e tetë klubeve më të mëdha të Europës. Është sport që u përket të gjithëve dhe kjo nuk duhet cenuar. Kërkojmë që të zbatohen rregullat e lojës në mënyrë të njëjtë. Nuk mund të ketë diktaturë nga klubet e mëdha", përfundoi deklaratën drejtori i madrilenëve.
Ai mund të ndëshkohet nga UEFA për të tilla akuza, gjithsesi për Atletikon kualifikimi është shndërruar në një dëshirë për hakmarrje. "Na vodhën shumë, por na motivuan më tepër. Në Madrid do t'u tregojmë forcën tonë", deklaroi Huanfran në fund të takimit..