Artan Hajdari: Nese nuk marrim tri piket, ceshtja ne apel
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Që prej datës 21 tetor dosja voluminoze e Federatës Shqiptare të Futbollit ndodhet pranë Komisionit Disiplinor të UEFA-s në Nion të Zvicrës. Kjo dosje është përgatitur nga grupi i avokatëve të Federatës sonë. Në një prononcim për gazetën “Shekulli” Artan Hajdari, përfaqësuesi ligjor i Federatës Shqiptare të Futbollit u shpreh se paneli i Komisionit Disiplinor të UEFA-s u mblodh ditën e djeshme ndërsa Federatës sonë i ka bërë me dije rreth orës 13:00 se vendimi do të jepet paraditen e ditës së sotme.
“Komisioni është mbledhur sot (dje) ndërsa vendimi do të na komunikohet nesër (sot)” u shpreh Hajdari. I pyetur nga ana jonë për faktin se me çfarë argumente Komisioni i Disiplinor i UEFA-s e ka shtyrë vensimin për sot avokati i FSHF-së u përgjigj se argumenti i vetëm është shtyrja e vendimit për shkak të volumit të dosjeve. “Ne presim vendimin po ashtu si të gjithë shqiptarët, komunikimi nga ana e UEFA-s na është bërë ashtu siç edhe ju e keni marrë se do jepen vendimet nesër (sot). Kjo është ajo që dimë edhe ne nuk mund të japim më shumë argumente pasi nuk dimë më shumë. Argumenti që na është dhënë ne është shtyrja e vendimit për shkak të volumit të dosjeve” tha avokati i FSHF-së Hajdari. Ndërsa pyetjes sonë në lidhje me pritshmëritë që ka Federata avokati i FSHF-së, Hajdari iu përgjigj se pritshmëritë mbeten ato që kanë qenë, marrja e tri pikëshit.
“ Shpresa vdes e fundit, argumentet tona janë të plota. Ne shpresojmë tek marrja e tri pikëve por në fund të fundit është gjykata ajo që e merr vendimin. Do të isha jo profesional nëse do të shprehesha që do të marrim këtë apo atë lloj vendimi. Natyrisht që presim tri pikët” nënvizoi Hajdari. Ndërsa pyetjes së “Shekulli-t” për sa i përket rastit më të keq për mos dhënien e tri pikëve nga ana e Komisionit Disiplinor të UEFA-s zoti Hajdari shprehet se natyrisht që FSHF-ja do i drejtohet apelit nëse nuk na akordon tri pikëshin në tavolinë. “Kodi i disiplinës sportive parashikon edhe apelin. Secila nga palët që mbetet e pa kënaqur nga vendimi ka të drejtë të çojë çështjen në Komisionin e Apelit. Natyrisht që nëse ne nuk marrim tri pikët di i drejtohemi apelit” u shpreh avokati Hajdari.