Arlind Kalaja drejt Italisë, ka polemika për kontratën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arlind Kalaja ka nën shkruar dje një kontratë profesioniste me kompaninë e menaxhimit të futbollistëve "M.A.R.A.T, Football Management".
Ditë më parë u tha se Kalaja ka arritur një marrëveshje 2-vjeçare me klubin italian të Peskarës. Por, pas nënshkrimit të kontratës së fundit, do të jetë pikërisht kjo kompani ajo që do të merret me transferimin e lojtarit duke filluar nga sezoni i ri për afat kohor prej dy vitesh.
Kjo kompani është e angazhuar për të gjetur një ekip për shkodranin në Serinë A, por edhe në vende të tjera, por për dy sezonet në vazhdim. Mësohet se lojtari është i detyruar për të pranuar transferimin te ndonjë skuadër tjetër edhe në formë huazimi.
Bëhet fjalë për një kompani menaxherësh që kujdeset për interesat e 22 futbollistëve në Serinë A dhe Serinë B, mes të cilëve janë edhe dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj dhe Ledian Memushaj. Firma në marrëveshjen e fundit bën që kompania "M.A.R.A.T" të gëzojë të drejtat e përfaqësimit të lojtarit shkodran për 2 vitet në vazhdim.
Tashmë do të merren në shqyrtim të gjitha ofertat që do të vijnë në drejtim të sulmuesit, ku interesim konkret për shërbimet e Arlind Kalasë ka pasur nga Peskara në Serinë B. Pas provës së suksesshme të zhvilluar gjatë muajit janar, talenti i Vllaznisë cilësohet si një përforcim i mundshëm në radhët e ekipit ku militojnë edhe tre shqiptarë të tjerë, kapiteni Memushaj, portieri Kastrati dhe mbrojtësi Maloku.
Nëse arrihet akordi me klubin e Peskarës, Kalaja do të transferohet në Itali me hapjen e merkatos së verës, periudhë kur i përfundon kontrata me Vllazninë, sipas familjarëve të lojtarit. Por, menaxherët e talentit nuk përjashtojnë edhe mundësinë e negociatave me skuadra të tjera italiane, ndoshta edhe në Serinë A.
Reagimi - Vllaznia nuk do të përfitojë nga transferimi i lojtarit, pasi burime pranë sulmuesit bëjnë me dije se në qershor ai del i lirë, pasi i përfundon kontrata me shkodranët. Në këto kushte, mundësia e vetme e Vllaznisë mbetet nga përfitimi i shumës si klubi mëmë.
Mirëpo lajmi ka bërë që klubi të reagojë rreth aftit të kontratës, pasi Kalaja është i lidhur me Vllazninë deri në verën e 2017-ës. "KF Vllaznia detyrohet të reagojë në lidhje me disa lajme të publikuara në rrjetet sociale apo dhe mediat online për firmosjen e një kontrate të futbollistit tonë Arlind Kalaja me klubin italian Peskara. Përmes këtij reagimi, bëjmë me dije se futbollisti në fjalë nuk ka firmosur asnjë kontratë me asnjë klub tjetër.
E vetmja gjë që ai ka firmosur është një kontratë me një kompani menaxhimi. Futbollisti Arlind Kalaja ju bëjmë me dije se ka një kontratë me KF Vllaznia deri më 31 maj 2017 dhe në rrethana të tilla, nëse do kishte vërtet kontakte me klubin Peskara, sigurisht që do të kishte pasur negociata midis dy klubeve për të drejtën e kartonit të tij.
Deri në këto momente nuk ka asnjë kontakt me asnjë klub për një çështje të tillë. Futbollisti Arlind Kalaja ndodhet në stërvitje me ekipin dhe po përgatitet bashkë me të për ndeshjen e radhës ndaj Tiranës. Në rrethana të tilla, jemi të detyruar t'u kërkojmë të gjitha mediave apo personave të tjerë që të jenë më të kujdesshëm në lidhje me lajme të tilla që publikohen dhe që mund t'i shkaktojnë dëme klubit, por edhe vetë lojtarit", thuhet në reagimin e klubit shkodran.