e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Argjentina po e nxjerr me ne fund me te miren prej Messit!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Argjentina po e nxjerr me ne fund me te miren prej Messit!
Pas periudhës mjaft të larmishme me Diego Maradonën në krye dhe pas dështimit të Sergio Batistas për të kopjuar lojën e Barcelonës, Argjentina sërish ka nisur të duket kërcënim për skuadrat më të mëdha të botës. Në këtë periudhë, vitin e kaluar, Argjentina ishte bërë barrë e rëndë për Lionel Messin, duke e transformuar atë në një figurë të mjerë, ndryshe nga shkëlqimi i tij në Barcelonë.

Siç boton 'Koha ditore', që atëherë, trajneri Alejandro Sabella ka gjetur një formacion, ende jo stabël në mbrojtje, që është i aftë për t'i dhënë Messit topin në pozitën e tij të favorizuar rreth 25 metra larg golit, duke i mundësuar atij që të shkaktojë panik në mbrojtjen kundërshtare.

Argjentina ka fituar pesë ndeshjet e fundit, duke e vazhduar serinë me fitoren 3:1 të mërkurën në miqësoren e zhvilluar në udhëtim ndaj Gjermanisë. Messi ka shënuar nëntë herë në këto ndeshje, përfshirë dy herë nga tre gola. Ndonëse humbi një penallti, Messi udhëhoqi sulmin e Argjentinës dhe realizoi një gol në pjesën e dytë në fitoren e Argjentinës ndaj Gjermanisë. Ai krijoi shumë raste për "gauçosët" kundër GjermaniSë, që nga minuta e 31-të mbeti me një lojtar më pak në fushë.

"Me rëndësi është se kemi arritur të fitojmë disa ndeshje rresht. Nuk kemi qenë të qëndrueshëm këto vite, por tani kemi gjetur formën", ka thënë Messi.

Jostabiliteti i Argjentinës ka nisur që nga Botërori 2006 në Gjermani, kur Jose Pekerman vendosi mos të vazhdonte, pasi "gauçosët" u eliminuan në çerekfinale pas penalltive nga Gjermania. Ai u zëvendësua me Alfio Basilen, i cili mbështeti skuadrën rreth mesfushorit Juan Roman Riquelmes, por nuk pati sukses dhe dha dorëheqjen në vitin 2008 pas disa rezultateve të dobëta në garat eliminatore për Botërorin 2010.

Kjo i hapi derën Maradonës për të marrë kreun e përfaqësuese. Prania e tij e ktheu përfaqësuesen si në një cirk, duke ofruar 'show'. Maradona shpesh dukej i humbur si trajner dhe një seri të humbjeve e vunë në rrezik kualifikimin e Argjentinës në Botërorin 2010.

Mirëpo, Argjentina u kualifikua dhe në Botërorin e Afrikës së Jugut arriti deri në çerekfinale, fazë në të cilën u shkatërrua nga Gjermania me rezultatin 4:0. Maradona dha dorëheqjen pas një zënke me federatën lidhur me stafin e tij të trajnerëve.

Gjatë gjithë këtyre zhvillimeve, Messi dështoi të tregonte formën që e tregonte te Barça. Madje ishte vënë në dyshim edhe patriotizmi i tij. Batista, zëvendësuesi i Maradonës, kurrë nuk arriti ta zgjidhte këtë problem, ndonëse kishte thënë se dëshironte që Argjentina të luajë si Barça. Pasi bëri të gjitha përpjekjet, Batista u shkarkua kur Argjentina u eliminua para adhuruesve të saj në çerekfinale te Copa Americas.

Sabella mori postin e trajnerit në fund të vitit të kaluar, ndërsa nisi keq, duke pësuar nga Venezuela me rezultatin 1:0 në ndeshjen e parë të eliminatoreve për Botërorin 2014 në Brazil. Por, skuadra mori veten që nga atëherë. Sergio Romero është bërë portier titullar, në qendër të mbrojtjes po udhëheqin Federico Fernandez e Ezequiel Garay, kurse para tyre janë Javier Mascherano e Fernando Gago. Ndoshta nuk është mbrojtja më e mirë në botë, por me pasurinë e madhe në sulm që ka Argjentina, as nuk ka pse të mos jetë.

Kundër gjermanëve, majtaku i Real Madridit, Angel Di Maria u angazhua në krahun e djathtë të fushës, duke prodhuar disa momente të mëdha, ndërsa Gonzalo Higuain luajti si qendërsulmues. Messi qëndronte pak prapa tij. Sabella në pjesën e dytë shtoi edhe Sergio Agueron. Messi më pas shkëlqeu dhe ishte vështirë të ndalej nga gjermanët.

"Në pjesën e dytë Messi kombinoi mirë me Agueron, i cili i ofroi më tepër opsione. Ne luajtëm si skuadër", ka thënë Sabella.