E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Argjentina nuk bind, por mund Kilin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Argjentina nuk bind, por mund Kilin

Argjentina fiton edhe kur nuk shkëlqen. messiTë besuarit e Tata Martinos kanë triumfuar ndaj një rivali prestigjioz si Kili, duke i mundur në transfertë 2-1.

Me Lionel Mesin të rikthyer në përfaqësuese, çelestët kishin qartësi, por jo grintën e duhur. Ndeshja filloi më mirë për vendësit, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 11-të. Një krosim nga goditja e këndit u shfrytëzua maksimalisht prej Gutierrezit, i cili goditi saktë me kokë brenda zonës.

Gjithsesi, reagimi ishte i menjëhershëm. Angel di Maria ekuilibroi gjithçka nëntë minuta më pas, kur gjuajti në diagonale me një saktësi "snajperi", pa i dhënë asnjë shkak portierit Klaudio Bravo. Kur ende nuk kishin marrë veten nga goli, kilianët u ndëshkuan për herë të dytë në të 25-ën. Këtë herë ishte mbrojtësi i River Plejtit, Gabriel Merkado, që shënoi një gol spektakolar.

Ai gjuajti në gjysmë roveshatë vetëm tre metra larg portës kundërshtare, duke i dhënë kështu edhe tri pikë Kombëtares. Një fitore mjaft e rëndësishme për eliminatoret e Kupës së Botës 2018, ku në pesë ndeshje të zhvilluara deri tani, Argjentina ka fituar dy herë, barazuar dy të tjera dhe humbur në një rast. Në ndeshjet e tjera, Kolumbia fitoi në minutat shtesë ndaj Bolivisë me rezultatin 3-2, falë golit të Kardonës.

"Ishte një ndeshje ku duhet të merrnim tri pikët. Loja jonë do të vijë gjithnjë në rritje, por rëndësi ka që të mos bëjmë hapa falsë", u shpreh pas ndeshjes trajneri Martino.

Kili - Argjentina 1-2

GOLAT: Gutierrez 11´ / Di Maria 20´, Merkado 25´
KILI (4-2-3-1): Bravo, Jara, Mena, Fernandez (Silva 7´), Isla, Orejana, Diaz (Rabejo 21´ (Pinija 69´), Medel, Bosezhur, Gutierrez, Sançez Trajner: Pixi
ARGJENTINA (4-3-3): Romero, Merkado, Otamendi, Roho, Mori, Biglia, Di Maria (Laveci 81´), Banega (Fernandez 73´), Kraneviter, Mesi, Aguero (Higuain 67´) Trajner: Tata Martino
KARTONË TË VERDHË: Gutierrez, Bravo / Laveci, Romero, Otamendi, Mori
ARBITËR: Heber Lopes