Arbeni prezanton planin, Agimi shuplaka Ponarit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kandidati për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Arben Fagu, ka prezantuar gjatë ditës së djeshme planin e tij për ringritjen e këtij sporti, teksa më datë 30 mars në qytetin e Korçës do rivalizojë me kreun aktual të basketbollit, Avni Ponari, për të qeverisur këtë sport në katër vitet e ardhshme.
Në mes të shumë personaliteteve të basketbollit shqiptar, Fagu ka vënë theksin te bashkëpunimi shumë- palësh për të rimëkëmbur këtë sport, teksa ka premtuar se nëse do të votëbesohet në postin e presidentit, do investojë në infrastrukturë dhe do të ndjekë një strategji për masivizimin e basketbollit në vend.
"Bashkëpunimi në komunitetin e basketbollit është i domosdoshëm, pasi jemi të përçarë. Këtu duhet kontributi i të gjithëve për zhvillimin e tij, pasi, ashtu si unë, edhe ju e keni pasion këtë sport.
Ajo që do të ndryshojmë është ndërtimi i minifederatave rajonale. Shkodra do të përfaqësojë zonën e veriut, Tirana zonën e Shqipërisë së Mesme, Vlora të përfshijë zonën jugperëndimore dhe Korça zonën juglindore për organizimin e aktiviteteve, kualifikimin e trajnerëve dhe kualifikimin e gjyqtarëve si dhe në rritjen e masivitetit.
Më tej, Fagu shtoi: "Pesë janë pikat ku unë dhe stafi im do të mbështesim punën tonë në rast se fitojmë: masivizimi, profesionalizmi, infrastruktura, marketingu dhe propaganda për zhvillimin e basketbollit", tha ai.
Shpërthen Agim Fagu
Basketbollisti i shquar i Kombëtares shqiptare dhe Partizanit, Agim Fagu, vëllai i kandidatit për president të FSHBsë, mori menjëherë fjalën, pasi dëgjoi planin e Arbenit. Ikona e këtij sporti "nuk e kafshoi gjuhën", teksa menjëherë u shpreh kritik:
"E dëgjova me vëmendje planin dhe meqë përmende intelektualët, kështu si ti flasin intelektualët. Për të bërë një plan, duhet analizuar më parë puna që kanë bërë deri më tani drejtuesit aktualë, pasi nuk mund të ndiqet kjo linjë duke mos folur për drejtimin që ka pasur basketbolli në vitet e fundit.
Po nuk kuptuam ku kemi qenë, nuk ndërtojmë dot asnjë projekt. E dini ç'do të thotë të ndërtosh sistemin e të rinjve dhe të paratërinjve? Duhet një punë kolosale. Ka shtete shumë më të përparuar se ne, se më të zgjuar se ne nuk ka, dhe nuk po e ndërtojnë dot. Por kjo nuk ndodh me një orë ose një orë e gjysmë stërvitje në ditë, siç bëhet në Shqipëri.
Ju doni të luani basketboll me Europën, por kjo që bëni ju nuk është stërvitje, quhet 'argalisje' dhe është një problem shumë i madh që mbizotëron në basketbollin tonë. Ajo që keni bërë ju me vite, duke heshtur kundrejt një federate që ju merr nga 'leckat' dhe ju çon sa në Tropojë dhe sa në Korçë për të bërë Asamblenë Zgjedhore, nuk ju nderon. Është një formë e turpshme". Më pas, duke iu drejtuar të vëllait, Agim Fagu tha: "Ti e di sa para ka federata?". Arbeni: "Di vetëm grantin e qeverisë". Agimi: "Lëre grantin se me atë nuk na paguan dot as drekën ti! Dua të them se mungon transparenca dhe kjo është alarmante".
Përgatiti: LEAR MAÇI