e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Morata: Mund të kthehem te Reali

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Morata: Mund të kthehem te Reali

Alvaro Morata ishte protagonist absolut me Bajernin e Mynihut në Champions, por ndeshja e tij fantastike nuk mjaftoi për të eliminuar gjermanët, ndonëse në derbin kundër Torinos shënoi një dopietë dhe i siguroi tri pikët Juventusit. alvaro-morata-juventus_x7kiowmziiae1y1287vl09555Por rikthimi i tij në kombëtare ka bërë që nostalgjia për Madridin të ndizet, ndonëse ai nuk e mohon as faktin se në Torino ndihet mjaft mirë. Gjithsesi, në një intervistë për radion spanjolle "Cadena Cope", 23-vjeçari nënvizon faktin se është shumë i lodhur nga këta zëra që nuk i japin qetësi mbi të ardhmen, prandaj ai kërkon një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundshme.

E ardhmja

"Kjo verë do të jetë shumë e vështirë për mua, sepse realisht nuk e di se ku do të jem dhe kjo është një situatë e çuditshme që nuk më pëlqen. E vërteta është se klauzola e riblerjes është diçka që duhet zgjidhur përfundimisht. Nuk mund të qëndroj i lidhur me dy klube njëkohësisht. Unë jam i lumtur në Torino, por ka ardhur koha që të mos jetoj më si i pastrehë. Nuk kam blerë ende një shtëpi timen dhe mendoj se ka ardhur koha ta bëj, por fillimisht duhet të di se ku ta bëj këtë investim. E ritheksoj, jam shumë i lumtur te Juventusi, por e vërteta është që Reali i Madridit ka mundësinë e riblerjes së kartonit tim, prandaj kjo situatë duhet të marrë fund në verë. Shtëpia ime për momentin është Juventusi dhe dëshira ime është që të qëndroj këtu për shumë vite", bën hyrjen e tij Morata.

Reali dhe Butragenjo

Fakti që Emilio Butragenjo, drejtori institucional i Realit të Madridit mban kontakte të vazhdueshme me Alvaro Moratën tregon se njëfarë interesi nga ana e "galaktikëve" për sulmuesin ekziston, ndaj edhe mbi mundësinë e një rikthimi numri 9 i bardhezinjve nuk e mohon. "Rikthimi në Madrid është një mundësi, këtë e theksojnë letrat e firmosura mes meje, Juventusit dhe Realit.

Por ajo që unë kërkoj është vetëm zgjidhja definitive e kësaj klauzole, e cila nuk dua që të jetë më pjesë e kontratës sime. Butragenjo? Me Emilion flas shpesh, jemi në kontakt të vazhdueshëm. Madje, ai nuk ngurron që të vijë të më takojë sa herë që jam në grumbullim, apo në udhëtimet personale që bëj. Në takimet tona nuk flasim vetëm për futbollin, por edhe për jetën personale. Butragenjo është një nga drejtuesit më të respektuar të Realit, prandaj gjithë kjo vëmendje nga ana e tij më nderon".

Champions-i dhe Alegri

Duke iu rikthyer ndeshjes me Bajernin e Mynihut, Alvaro Morata pranon se nuk e ka kapërdirë ende atë eliminim: "Ende sot nuk arrij ta shpjegoj se si u eliminuam. Ishim në avantazh 2-0 për 70 minuta dhe më pas humbëm. Kjo është një disfatë që do më shoqërojë për të gjithë jetën. Pse më zëvendësoi Alegri? Nuk e di, personalisht nuk isha i lodhur, ndaj mund të vazhdoja të luaja, por ndoshta taktikisht ai kishte një mendim tjetër".

Bufon-Pogba-Dibala

Në fund, sulmuesi bardhezi shpreh edhe disa komplimente për shokët e tij të ekipit: "Bufon? Një person madhështor në të gjitha senset, në fushë dhe jashtë saj. Është bukur të dish se në një të ardhme unë do të kem mundësinë t'u tregoj nipërve të mi se kam luajtur në të njëjtën skuadër ku bënte pjesë edhe portieri më i madh i historisë së këtij sporti.

Ndonëse shpresoj që të enjten (sot) t'i shënoj një gol me bluzën e Spanjës, do të ishte bukur. Pogba? Ka mentalitetin e duhur për t'u bërë më i madhi në botë. Dibala? Paulo është një lojtar që mund të luajë në çdo skuadër të botës, me të njëjtin rendiment".

Përgatiti: JETON STAMOLLA