Apolonia, rrotacion në portë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apolonia ka vazhduar përgatitjet për sfidën e radhës që do ta zhvillojë të shtunën në transfertë me Turbinën. Fierakët nën drejtimin e trajnerit Artan Mërgjyshi po tregohen të kujdesshëm në punën e tyre.
Gjatë dy javëve të kësaj pjese të dytë të kampionatit që janë luajtur deri tani, një prej të veçantave që ka rënë në sy është rrotacioni në portë. Në këto dy ndeshje, vendin e Eduard Miços e ka zënë i riu Endrit Çako.
I pari ka qenë titullar për shumë vite te fierakët dhe në formacion edhe gjatë pjesës së parë të kampionatit. Por, duket se trajneri Mërgjyshi preferon 23- vjeçarin Çako që ka dalë nga akademia fierake.
Çako
Në lidhje me konkurrencën brenda grupit, portieri Çako u shpreh: "Miço është një portier me përvojë dhe më ka frymëzuar përherë me ndërhyrjet e guximshme, pritjet dhe grushtimet e tij të bukura. Nuk ka xhelozi mes nesh se kush do ta mbrojë portën këtë ndeshje apo tjetrën.
Ne jemi shokë e miq të mirë që kemi një qëllim të japim kontributin tonë për arritjen e objektivit të skuadrës së zemrës, Apolonia.
Për sa i përket sfidës së radhës me Turbinën, dua të shtoj se do të bëj të gjitha përpjekjet që të justifikoj sa më mirë besimin e stafit teknik dhe të trajnerit Mërgjyshi. Dua të theksoj se Apolonia nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë të jetë e suksesshme duke luftuar deri në fund për arritjen e objektivit: ngjitja në Superiore.
Çdo gjë tashmë për të arritur aty varet nga ne lojtarët dhe do të bëjmë gjithç- ka të mundur nëpërmjet lojës sonë që ta realizojmë objektivin", shprehet Çako në prononcimin e tij. Në lidhje me përballjen e së shtunës ndaj Turbinës, "gardiani" u shpreh:
"Të shtunën me Turbinën është një ndeshje e vështirë. Kjo për faktin se kundërshtari noton në ujëra të turbullta të qëndrimit në kategori dhe synon maksimumin, ashtu si ne. Megjithatë, ne nuk i friksohemi dhe do kërkojmë vetëm fitoren".
Përgatiti: MIKEL MBRIÇAJ