Anomalitë në sport të reformës territoriale
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Reforma territoriale është reklamuar nga politika si një nga më të rëndësishmet e viteve të tranzicionit.
Falë saj, harta e copëzuar e kufijve shtetërorë është tanimë më e lexueshme, më e qartë dhe me mundësi shumë më të mëdha për t'u zhvilluar.
Veçanërisht në sport, pasi për të justifikimi ka qenë gjithmonë gati, "nuk kemi fonde të mjaftueshme" dhe "nuk kemi terrene të lira". Me zgjerimin e kufijve dhe buxhete të përqendruara, kryetarët e bashkive të reja do të gjejmë gënjeshtra të reja, nëse nuk kanë ndër mend të mos e mbështesin sportin, siç e kanë konfirmuar me buxhetet e 2016-ës, ku edhe një herë tjetër sporti është trajtuar në pjesën më të madhe si i njerkës.
FSHF, indiferente për ndryshimet e reja Institucioni më i papërgatitur për pasojat e ndryshimeve të reformës territoriale, me shumë mundësi duhet të jetë FSHF. Kjo pasi, veç me një rast të vetëm janë hedhur në kosh të gjitha rregulloret e saj dhe standardet ndërkombëtare të kësaj loje. Në grupin A të Kategorisë së Parë, si rrjedhojë e reformës territoriale është bërë fakt që dy skuadra Kastrioti dhe Iliria të mbeten konkurruese të njëra-tjetrës, pavarë- sisht se kanë një pronar të vetëm, Bashkinë e Krujës.
A është e lejueshme një gjë e tillë? Sipas historikut të aktiviteteve tona, ky mund të jetë rasti i parë dhe një dëshmi e qartë se FSHF ka qenë krejtësisht e papërgatitur nga ndryshimet e reformës territoriale, pasi të paktën duhet të kishte ndërhyrë që t'i ndante të dyja skuadrat në grupe të ndryshme.
Madje, ky fakt duhet të jetë një kambanë edhe për sezonin e ardhshëm, pasi mund të ketë të tjera raste të ngjashme në kategoritë e futbollit tonë, siç pritet të ndodhë me Besëlidhjen dhe Shënkollin, Besën dhe Kavaja United apo ndonjë rast tjetër. Sporti si fasadë Janë të shumta bashkitë në vendin tonë, të cilat për sportin kujtohen vetëm ditën e zgjedhjeve. Dhe për të nuk harrojnë të nxjerrin nga sirtarët të njëjtat premtime.
Rasti më tipik është ai i Bashkive Lushnjë, Kukës, Kavajë dhe Librazhd. Siç është e njohur edhe për një pjesë të mirë të opinionit sportiv, jo thjesht të qyteteve respektive këto institucione kanë reklamuar në çdo rast mbështetjen dhe investimet në sport.
Fakti është se prej vitesh, për investime të tilla të mëdha për shpatullat e këtyre bashkive, nuk është ndërmarrë as edhe iniciativa më e vogël. Lajmet që vijnë nga Lushnja thonë se së shpejti do të rikonstruktohet fasada e stadiumit "Roza Haxhiu", ndonëse si prioritet prej vitesh në këtë qytet është rikonstruksioni i fushës së stërvitjes.
Në Kukës, ekipin e futbollit e kanë shpallur "armiku i klasës" dhe për të nuk ka asnjë kacidhe. Besa është e detyruar të luajë në një stadium që nuk meriton të quhet i tillë dhe në rastin më të keq në Librazhd futbolli vijon të luajë si refugjat sa në njërën fushë në tjetrën, gjithmonë larg tifozëve të tij.
Ndërkohë, vendësve u ka mbetur të shohin në internet projektin e famshëm për stadiumin e qytetit, pasi impianti aktual është kthyer në një strehë për qen. Një foto e treguar kohë më parë në "Panorama Sport" tregonte më shumë se një mijë fjalë. Por edhe në atë rast ia gjetën zgjidhjen... pushuan nga puna rojën e stadiumit.
Sigurisht, në këtë pikë, një vend të rëndë- sishëm zë edhe bashkia e kryeqytetit, që për sportin deri më sot ka folur vetëm me fjalë, ndërsa prej saj, më së paku, pritej të fliste me vepra. Ndërkohë që, në mënyrë të pafalshme, shumë bashki vijojnë të mbështesin financiarisht skuadra që vetëm emri i lidh me qytetin, pasi fushë stërvitje dhe stadium nuk kanë.
Futbollistët nuk janë prodhim i komunitetit dhe paratë shkojnë vetëm për të justifikuar mbështetjen për sportin. Gjysma e së keqes nëse ndodh kështu, pasi nuk mungojnë dëshmitë se si titullarë të bashkive kërkojnë "pjesën e tyre" nga buxheti i akorduar për këto skuadra fantazmë. Ishte e pritshme që ndryshimet e reformës territoriale do të shoqëroheshin edhe me shumë problematika.
Mirëpo shqetësimi më i madh është se ato nuk janë përfshirë aspak në vëmendjen e titullarëve të bashkive të reja dhe si zakonisht pasojat e kësaj sjelljeje do t'i vuajë sporti, i cili ka nevojë për terrene të reja dhe mbështetje financiare. Qofshin këto edhe me koston e një mesazhi të vetëm që "sporti është ambasadori më i mirë për çdo qytet dhe komunitet të caktuar".
