Sinani: Kjo, Vllaznia më e dobët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Goleadori i mirënjo hur shkodran, Vioresin Sinani, është treguar jo pak i ashpër me lojën e zhvilluar nga Vllaznia në përballjen me Teutën. Sipas tij, ajo ishte shumë larg lojërave të zhvilluara nga ekipi kuqeblu në takimet e fundit.
Për ish-sulmuesin, kjo ka qenë një nga ndeshjet që duhet harruar shpejt. Vllaznia, në asnjë moment në këtë takim nuk ka arritur të tregojnë vlerat e veta. Me sa duket, vetëkënaqësia është vënë re dukshëm në këtë përballje.
"Më vjen keq që ekipi ka zhvilluar atë lojë në takimin me Teutën. Mund të them se ka qenë një nga ndeshjet më të dobëta të zhvilluara në këtë periudhë. Te Vllaznia, ajo që ka mbizotëruar ka qenë vetëkënaqësia më shumë se çdo herë tjetër. Kjo gjë shkaktoi edhe atë lojë tepër apatike dhe pa temp në këtë takim. Nuk duhet që të kishte ndodhur një gjë e tillë në këtë situatë në të cilën gjendet Vllaznia. Në këtë përballje, asnjë prej lojtarëve nuk ka arritur që të tregojë vlerat e veta", ka thënë Sinani.
Vijimësia
Për Viorin, ngushtimi i pikëve në tabelën e klasifikimit do t'i ndërlikojë shumë pozitat e Vllaznisë, por sërish golashënuesi i mirënjohur është optimist se kuqeblutë nuk do të jenë jashtë Superligës në fund të sezonit. Por, ekipi duhet të bëjë kujdes, pasi ende asgjë nuk ka përfunduar dhe, për më tepër, takimet në vijim do të jenë njëri më i vështirë se tjetri.
"Ngushtimi i diferencës së pikëve me Bylisin dhe Flamurtarin natyrisht që e bën ekipin të futet në tension në takimet në vijim. Kalimi i javëve dhe nëse mungojnë sërish rezultatet, atëherë mund të them se gjërat për ne do të vështirësohen. Ekipi mund të futet në krizë rezultatesh dhe presioni sa vjen dhe do të rritet.
Për këtë duhet që të bëjmë tepër kujdes dhe të motivohen të gjithë nga takimi në takim. Megjithatë, besimi im është që ekipi do të jetë në Superligë, por mund të them se nuk duhet që të zhvillojnë lojëra si këto me Teutën. Çdo takim është një finale për Vllazninë dhe për këtë duhet që të gjithë të motivohen, në mënyrë që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e mbijetesës. Pavarësisht një paraqitjeje të tillë që bënë me Teutën, unë sërish jam optimist se Vllaznia do të mbijetojë.
Shpresoj edhe unë si drejtuesit e ekipit dhe të klubit që ky do të jetë sezoni i fundit i lëngimit të Vllaznisë", ka deklaruar Vioresin Sinani, goleadori më i mirë i ekipit kuqeblu dhe i kampionateve shqiptare në gjithë historinë e tyre.
Përgatiti: ADMIR URUÇI