Alonso: Bëj tripletë në Botëror
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fernando Alonso be son ende se mund të fitojë titullin e tretë botëror pavarësisht nga betejat me të cilat po përballet ekipi i tij McLaren.
Spanjolli 34- vjeçar u shpall për herë të dytë kampion i botës në Formula 1 në vitin 2006 me Renault, ndërsa ka qenë shumë afër tri herë të tjera në vitin 2007 me McLaren dhe 2010 e 2012 me Ferrarin.
Duke folur në një radio spanjolle, nëse ai mendon se mund të jetë kampion sërish, Alonso u përgjigj:
"Po, unë mendoj kështu. Unë garoj për të fituar. Nëse nuk do të kishte shans, nuk do ta bëja një gjë të tillë". Ndërkohë, drejtori sportiv i McLarenit, Erik Bulier, ka parashikuar se këtë Botëror makina do të ketë mjaft progres. Rezultati më i mirë i vitit të kaluar për Alonson ishte vendi i pestë i arritur në Çmimin e Madh të Hungarisë.
"Unë nuk mendoj se ne jemi larg nga arritja e një podiumi. Do të befasohesha nëse do ta arrinim një objektiv të tillë në fillim të sezonit për shkak se jo gjithmonë në garat e para çdo gjë shkon siç duhet", shtoi Alonso. Mes të tjerash, ai shprehu konsideratat për makinën e 2016-ës. "Kur çdo gjë është në vendin e duhur, ne i kemi të gjitha mundësitë për të hedhur një hap të madh përpara". Megjithatë, ai është koshient se Mercedesi vazhdon të jetë përpara të gjithëve.
Ndërkohë, Alonso hodhi gjithashtu poshtë zërat se kishte marrë në konsideratë tërheqjen nga Formula 1 duke e cilësuar këtë si të paimagjinueshme. Në fund, ai zbuloi se nuk ndien keqardhje që u largua nga Ferrari në fund të vitit 2014, pavarësisht progresit që bëri kjo makinë pas "divorcit" me pilotin.
Zëvendësuesi i tij, katër herë kampioni i botës, Sebastian Fetel, fitoi tri gara në vitin 2015 duke e mbyllur sezonin premierë me "kokëkuqen" në vend të tretë. "Unë kurrë nuk do të isha shpallur kampion bote atje. Tani po e shijoj edhe më tepër Formula 1 edhe nëse e mbyll shumë mbrapa". Në Botërorin e fundit, piloti i McLarenit grumbulloi 11 pikë në klasifikimin e përgjithshëm duke e mbyllur i 17-ti mes 21 pilotëve.
Përgatiti: OLGERT SERANI