e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kushta apel Idrizit: Duhet reformë, ke njerëz negativë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kushta apel Idrizit: Duhet reformë, ke njerëz negativë

Sokol Kushta i bën apel Sinan Idrizit të bëjë reformë në Klubin e Futbollit Flamurtari. Kushta ne BeogradLegjenda e futbollit vlonjat konstaton se njerëzit e vjetër që janë pjesë e klubit nuk kanë dhënë asgjë pozitive, përkundrazi vazhdojnë të përcjellin frymë negative.

Në një bisedë me "Panorama Sport", ish-shefi i klubit të Flamurtarit thotë se asnjëherë te kuqezinjtë situata nuk ka qenë e mirë. Kushta ka edhe një mesazh për administratorin Idrizi: të afrojë në klub njerëz që e duan Flamurtarin.

"Situata te Flamurtari asnjë ditë nuk ka qenë e mirë, me përjashtim vetëm kur janë bërë blerjet. Unë nuk e kuptoj çfarë do një ekip më shumë që të ketë qetësi ose psikologji të mirë. E kam thënë se te Flamurtari, derisa ka njerëz të vjetër që nuk kanë dhënë asgjë pozitive për ekipin dhe vazhdojnë të japin akoma frymë negative, kështu do jetë situata.

Administratori i pjesës turke duhet të jetë më bashkëpunues me njerëz që e duan ekipin pa interes dhe në Vlorë ai ka plot të tillë, por thjesht duhet t'i zgjedhë", tha fillimisht Kushta.

Vazhdimësia

Ish-futbollisti i shquar vlonjat, Sokol Kushta, flet edhe për të ardhmen e Flamurtarit. Sipas tij, vlonjatët mund ta fitojnë Kupën e Shqipërisë me pak zgjuarsi në fushë.

Për Kushtën, trajneri Ramadani i ka mundësitë të zgjedhë dhe puna e tij do të vlerësohet në fund të kampionatit.

"Kupën e Shqipërisë mund ta fitojë Flamurtari, por me pak zgjuarsi. Çdo gjë është e mundur dhe lojtarët aty janë, por duhet që të bëjnë çdo gjë me zgjuarsi. Nuk mund të them ndonjë gjë për trajnerin tani, pasi ai do të vlerësohet kur të mbarojë kampionati. Blerjet dhe alternativat i ka. Tani duhet t'i montojë mirë dhe të fitojë, t'i justifikojë këto blerje.

Justifikime nuk ka. Është komode kur ke shumë zgjidhje", shprehet legjenda e futbollit.

Derbi

Sokol Kushta komenton edhe derbin Partizani-Tirana. Kushta e cilëson një ndeshje shumë të vështirë, e cila do të vendoset në fushë.

Sipas ish-futbollistit të shquar, të dy ekipet kanë interes. "Derbi në futboll është i përjetshëm për vite dhe kështu do të jetë sërish. Megjithatë e shoh të vështirë... Nuk mund të jap një parashikim. Të dy ekipet kanë interes dhe çdo gjë do të duket në fushë. Ndryshe nga llafet e bukura, fusha të nxjerr zbuluar...", përfundon Kushta.

Përgatiti: ERMAL SIKA