Alban Hoxha: Gocat vdesin për mua, por jam tip i ftohtë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas fitores në derbi të kuqtë kanë festuar në një nga "pub"-et e kryeqytetit.
Në këtë festë e pranishme ka qenë edhe gazetarja e "Report TV", Dasara Karaiskaj, e cila ka arritur t'i marrë një intervistë ndryshe portierit të "demave", Alban Hoxha.
Më herët Dasara ka qenë zëdhënësja për shtyp e Partizanit dhe në intervistën e zhvilluar me Hoxhën ka qenë edhe në rolin e tifozes së kuqe. Përveç aspektit sportiv, intervistave të emisionit "da'SARA" nuk u mungojnë thumbimet apo nuancat rozë.
Alban, ti mbetesh nga portierët e mi të preferuar pasi ke një meritë të madhe me pritjet e tua te Partizani...
Në radhë të parë, faleminderit për komplimentet që më bëre...
Qyqja... gocat "vdesin" për ty, e jo më unë...
Po, është e vërtetë...
Një tjetër fitore në derbi...
Ishte një fitore e bukur, derbi ka veçantinë e vet, pasi emocionet janë të pranishme para dhe gjatë takimit. Pra, emocionet duhen menaxhuar, gjë për të cilën ne u munduam gjatë gjithë kohës. Loja doli më e mirë, rezultati erdhi shumë shpejt dhe për rrjedhojë ishim shumë të qetë gjatë gjithë ndeshjes.
Edhe mbështetësit e Partizanit e përjetuan me qetësi derbin, ndërsa tifozët e Tiranës shanin, ndonëse nuk u bëhej fare vonë...
Më i miri shahet, nuk kanë çfarë bëjnë gjë tjetër pasi kanë 8 derbe pa fitore. E kuptoj, është dhimbje e madhe për ata. Shpresoj që të mos na shajnë sërish edhe pas kësaj interviste. Duke qenë se ishim 2-0 që në fillim, bëri që skuadra dhe tifozët të ishin më të qetë në derbi.
Pra, qetësia ka qenë e pranishme edhe te lojtarët, jo vetëm te tifozët?
Patjetër, pasi kur e nis ndeshjen me një rezultat 2-0, pjesa në vazhdim përshkruhet nga qetësia.
Gjithsesi, rreziku ka qenë i pranishëm se çështje topi është?
Faktikisht unë e kisha frikën, sepse një gol të ndryshon gjithë rrjedhën e lojës. Gjatë lojës u kërkova çunave që të mos pësonim, nuk kishte rëndësi shënonim apo jo më gola. Tifozët duan sa më shumë gola, ndërsa unë kisha frikën që të mos ndëshkoheshim, pasi gjërat mund të vështirësoheshin për ne.
Mos është kjo frika e çdo portieri, pasi ai i pëson golat?
Golat i pëson dhe i shënon i gjithë ekipi. Gjithmonë mundohem që ta ruaj të paprekur portën, prandaj jam në këto nivele. Jemi mbrojtja më e mirë e kampionatit dhe gjithnjë mundohem t'i orientoj sa më mirë mbrojtësit, që të mos pësojmë gol, pastaj është çështje tjetër shënimi nga ana e sulmit. Për mua, porta duhet që të rrijë e paprekur.
Çfarë të gëzon më shumë, që je portier i Partizanit apo portieri i dytë i Kombëtares?
Të dyja. Por fusha të emocionon më shumë, kështu që kur je në lojë emocionet janë më të mëdha. Me Kombëtaren është më ndryshe, pasi jam në stol dhe nuk e ndiej shumë emocionin e lojës. Gjithsesi, ndjenja e madhe është e pranishme se luan për kombin tënd. Por, fusha të dhuron emocione më ndryshe.
A mund të themi se Partizani është skuadra që të rriti profesionalisht?
Karrierën e kam filluar herët, që i vogël. Gjashtë vite kam luajtur me Dinamon. Aty u rrita shumë profesionalisht me trajnerin Ilir Bozhiqi, të cilin sot e kam edhe në Kombëtare. Partizani më dha një hov më të madh, është ekip me emër në Shqipëri. Ka tifozë në të gjithë Shqipërinë dhe unë nuk e kisha këtë popullaritet kur isha me Dinamon dhe skuadra të tjera. Kështu që të dy palët kemi nevojë për njëri-tjetrin, unë për Partizanin dhe Partizani për mua.
Pra ky popullaritet erdhi se je ti te Partizani, apo ti i dhe Partizanit?
Të dy i kemi dhënë njëri-tjetrit, por ndoshta gjithçka erdhi për arsye të rekordit. Aty ishte popullariteti më i madh.
Për aq sa i takon një futbollisti, bëni jetë nate?
Jo, por kohët e fundit dalim me ekipin kur fitojmë ndonjë ndeshje të fortë, si me Tiranën, Skënderbeun apo Kukësin. Nuk e frekuentoj shumë jetën e natës, vetëm në rast fitoreje, pasi në rast humbje rri në shtëpi se dua të jem shumë i qetë. Nuk dua të dëgjoj asnjë, pasi i përjetoj shumë humbjet.
E thua që të dalësh mirë para tifozëve?
Nuk e di e besojnë apo jo tifozët, por po jua them sinqerisht: Në rast humbjeje, pavarësisht se më kë humbet apo ndaj kujt, unë e vuaj shumë dhe mbyllem në shtëpi, pasi nuk dua të flas me asnjë. Rri vetëm me djalin tim dhe asnjë tjetër.
Si çdo i ri, ndodh diçka përtej së përditshmes. Cilat janë momentet e Albanit jashtë futbollit dhe marrëdhënies me djalin?
E kuptoj ku do të dalësh, por për momentin unë kam thjesht shoqe. Ndoshta dal për kafe, apo bëj gjëra që mund t'i bëjë çdo i ri në moshën time, por kaloj edhe shumë kohë me djalin.
Pra, nuk shikoj aq larg. Sa të ka ndryshuar të bërit baba?
Më ka ndryshuar shumë, kryesisht në mendime, pasi nuk jam si më parë, ku mund të rrija pa problem deri vonë jashtë me shoqërinë e sportit dhe shfrenohesha. Ndërsa tani jam më i mbledhur dhe më pëlqen ky status. Vetë jeta të bën që të ndihesh më i pjekur.
Të mungon ai Albani i dikurshëm?
Jo, fare. Kam një jetë shumë të mirë sportive dhe familjare. Jam i kënaqur. Kohën e kam të kufizuar në raport me shoqërinë, sportin e djalin. Nuk jam si një pjesë e rinisë që e kalon kohën gjithë ditën në kafe. Pra, kam me çfarë e kaloj kohën.
Tani që the se ke vetëm shoqe dhe nuk je në një marrëdhënie, ngacmimet do të jenë më të madhe. Si e menaxhon situatën e ngacmimeve, me telefon apo me mesazhe në rrjete sociale nga adhuruese?
Është e vërtetë që më shkruajnë shumë vajza, tifoze apo tifozë, nga të gjitha kategoritë e njerëzve. T'ju them të drejtën nuk i kontrolloj shumë "inbox"-et. I shikoj pa u hyrë në imtësi dhe përgjigje i kthej vetëm ndonjë emri që njoh. Jam një tip i ftohtë dhe këtë ma thonë edhe shkruesit, duke më etiketuar mendjemadh se pse nuk kthej përgjigje.
Je si natyrë e tillë, apo je bërë?
Jam si natyrë tip i ftohtë. Edhe pse mund të rri në "Facebook", nuk merrem me situata të tilla, më shkroi kjo apo ajo. Pra, i kaloj thjesht vizualisht, pasi përgjigje u jap vetëm njerëzve të njohur. Mesazhet janë pa fund dhe lloj-lloj.
Pra, nëse ndonjë vajzë kërkon të marrë përgjigje nga ju, mundësi ka vetëm në kafe, jo në rrjete sociale?
Po, po vetëm në kafe (qesh). Me "inbox"-e nuk ka shanse.
Pyetja e fundit, kësaj radhe si tifoze e Partizanit. Do ta fitojmë kampionatin?
Dëshira është e madhe. E di që mungon prej vitesh, që nga 1993. Mundësitë janë shumë të mëdha këtë sezon. Shpresoj të luajmë mirë deri në fund si në derbi. Gjithsesi, ka ndeshje që kanë vështirësitë e tyre për shumë faktorë, që tifozët nuk i shikojnë. Për shembull, fushat që kanë probleme, arbitrat me disa vendime, pastaj është kundërshtari që hap punë në njëfarë mënyre me lojën e fortë. Megjithatë, jemi në rrugën e duhur. Na pret edhe ndeshja e radhës me Skënderbeun në kryeqytet, të cilën shpresojmë që ta fitojmë si derbin. Me ndihmën e Zotit, shpresoj që në fund të dalim kampionë.
Alban, për inatin e atyre që janë këtu në festë dhe për qejfin tim që u mora me ty, a të ta puth pak faqen para se të ikësh, apo ke ndonjë që bëhet xheloze?
Asnjë nuk bëhet xheloze. (Dasara i jep puthjen në faqe dhe Albani i kundërpërgjigjet me të njëjtën mënyrë)