Josa i përgjigjet Plakut: Nuk i kam ofenduar familjen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, pranoi se Teuta i hapi shumë probleme skuadrës së tij, paçka se rezultati final favorizoi korçarët.
Skënderbeu fitoi ndaj Teutës me rezultatin 1-0, duke ruajtur kryesimin në Kategorinë Superiore me 59 pikë. 
"Unë e kisha parashikuar këtë ndeshje të vështirë, por nuk kishim bërë shumë ndryshime për faktin sepse dua që të konsolidoj skuadrën që fiton më tepër.
Në pjesën e parë bëmë një lojë të mirë. Duhet të kishim pasur qarkullim më të mirë të tipit. Arritëm të shënojmë golin edhe nga një gabim i kundërshtarit. Më pas, në pjesën e dytë ekipi u alarmua dhe kjo solli një trysni qoftë kur kishim topin në këmbë, qoftë kur e largonim",-deklaroi Josa për "Supersport".
I pyetur rreth pezullimit të Sebino Plakut pak ditë më parë, trajner i Skënderbeut tha se këto janë çështje të klubit, ndërsa shtoi se nuk e kishte ofenduar lojtarin.
"Nuk dua t'i diskutoj këto gjëra. Kemi Plakun i cili thashë që alternativë nuk do të thotë që lojtari nuk llogaritet nga trajneri, por që kur i jepet mundësia për të luajtur, të luaj.
Përpara Xhejmsit dhe Salihut është një alternativë. Unë jam sqaruar edhe me vetë lojtarin në ditën kur klubi mori vendimin. Nuk kam ofenduar as familjen e Plakut dhe as lojtarin. Alternativë jam edhe unë",-tha ai.