e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Alban Bushi: Ndarja nga futbolli, e veshtire

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Alban Bushi: Ndarja nga futbolli, e veshtire
FSHF ka vendosur që në ndeshjen me Francën, më 2 shtator në “Qemal Stafa”, t’i rezervojë Alban Bushit, golashënuesit më të mirë të historisë së Kombëtares shqiptare me 14 rrjeta, ceremoninë e lamtumirës nga futbolli. 37-vjeçari nuk luan prej një sezoni, ku pasi zbarkoi te Tirana gjatë verës së kaluar, ai ‘vari këpucët në gozhdë’ vetëm pas pak ndeshjeve. “Gjatë sezonit të kaluar erdha te Tirana për ta mbyllur këtu karrierën si futbollist, por nuk arrita të qëndroja deri në fund të edicionit, pasi nuk isha mësuar të luaja në një ambient të tillë dhe u largova përpara kohe”, - tha Bushi për të përditshmen kosovare “Express”. “Nuk është aspak e lehtë të largohesh nga futbolli kur je ende në gjendje të luash. Megjithatë, vjen një ditë kur duhet të tërhiqesh.

Të lësh futbollin është njësoj si të lësh familjen, kisha afro 26 vjet që merresha me futboll”. Në takimin Shqipëri–Francë në Euro 2012, ish-sulmuesi kuqezi do ta shkelmojë topin e parë nga qendra, duke i dhënë lamtumirën edhe tifozëve dhe Kombëtares. Në Shqipëri, “Loku” ka mbrojtur ngjyrat e Tiranës, Flamurtarit dhe Partizanit, ndërsa ai është aktivizuar edhe në Turqi me Adanaspor, Istanbulspor e Trabzonspor e Greqi me Levadiakos, Apollon Kallamaria si edhe në disa klube gjermane dhe bullgare. Për planet e së ardhmes, Bushi tha: “Kur largohesh nga futbolli mund të bëhesh trajner ose menaxher. Gjithsesi, ende nuk kam vendosur se me çfarë do të merrem”.