Alarm për gola, por bastexhinjtë kanë bërë festë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjashtë gola në pesë ndeshje. Kjo ishte një nga javët më të dobëta të Kategorisë Superiore sa i përket finalizimit të aksioneve.
Po, sepse edhe ndër ata gjashtë gola, tre u shënuan me penallti, ndërsa 4 ndeshje u mbyllën në barazim, ku në tre prej tyre nuk u shënua asnjë gol. Alarmante nëse do të mendonim se jemi ende në muajin shkurt dhe se me këtë ritëm sulmuesit e skuadrave do të mund të bënin me zemër trajnerët e tyre.
Dhe merreni me mend që këtë bilanc e "shpëton" disi Kukësi me katër golat që i shënoi Flamurtarit, në të kundërt organizmat ndërkombëtarë do të dyshonin ndoshta edhe për ndershmërinë e ndeshjeve...
Bastet
E megjithatë ka pasur edhe nga ata që këtyre rezultateve shterpë u janë gëzuar pa masë, sepse nëse dikush ka guxuar të vendosë një skedinë modeste dhe të ketë mundur të gjejë rezultatet e djeshme, pa diskutim ka fituar një dorë të mirë parash.
Po, sepse vetëm nëse ndonjë bastexhi ka gjetur rezultatin përfundimtar të pesë ndeshjeve të Superiores, me vetëm 1 mijë lekë të vjetër mund të fitonte afro 447 mijë lekë.
Për ta bërë paksa më të thjeshtë përllogaritjen, po ju ofrojmë koeficientët për rezultatet me të cilat përfunduan pesë ndeshjet e Superiores:
Ndeshja Rez. Koef.
Skënderbeu-Bylis X 3,40
Kukësi-Flamurtari 1 1,50
Vllaznia-Laçi X 3,25
Tirana-Teuta X 3,60
Tërbuni-Partizani X 7,50
Koeficienti total 447.5.
Duke iu referuar koeficentëve të kompanive të basteve dhe duke marrë parasysh rezultatet e ndeshjeve, mund të ketë pasur ndonjë fatlum që mund t'i jetë gëzuar mungesës së golave apo 4 barazimeve.
Dhe imagjinoni që ky është kalkulimi për një bast të thjeshtë, sepse ka edhe të tjerë të pasionuar që luajnë modele të ndryshme bastesh, që nga numri i vogël i golave, apo edhe deri te kartonët e kuq...
Ndërsa sa i përket renditjes, përjashto Kukësin që ka bërë një hap të rëndësishëm drejt Kupave të Europës, pjesa tjetër e skuadrave nuk kanë pësuar asnjë ndryshim.
Megjithatë, në aspektin moral, Tërbuni, Bylisi, Laçi dhe Teuta e kanë shijuar shumë më tepër pikën në barazimet e javës së kaluar kundrejt Skënderbeut, Partizanit, Tiranës dhe Vllaznisë.