Akuzon Noka: FSHF mbështet klubet fantazmë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Besëlidhja ngeci në një barazim pa gola në transfertën e Fushë-Krujës dhe tashmë është tri pikë mbrapa Kastriotit.
Dje pasdite, skuadra u grumbullua nën drejtimin e trajnerit Samuel Nikaj dhe si çdo fillim jave u zhvillua analiza post-ndeshje.
Presidenti Gjok Noka, pasi kritikoi lojtarët, kërkoi mobilizim maksimal se nuk lejohen më gabime të tilla. Noka Në një prononcim për gazetën, presidenti i Besëlidhjes akuzon gjykimin dhe FSHF-në se sulmon ekipet e traditës.
"Ndeshja ndaj Ilirisë ishte një skandal pas masakrimit që i bënë arbitrat me në krye kryesorin Olsi Sokolin, një 'kamikaz' i porositur. Jemi tepër të indinjuar dhe të zhgënjyer nga FSHF-ja që nuk po e dëgjon zërin e klubeve serioze, por po vijon me avazin e saj që tashmë fatkeqësisht është instaluar në instancat e saj.
Po bëhen shumë raste që kolegjiumi i gjyqtarëve të Tiranës, po ashtu edhe vëzhguesi e delegati, po luajnë për një qëllim të caktuar me disa klube serioze dhe po stimulojnë artificialisht disa klube fantazmë.
Kjo njëanshmëri u theksua në ndeshjen ndaj Erzenit dhe më skandalozja të shtunën ndaj Ilirisë ku gjyqtari 'kamikaz' Olsi Sokoli me asistentin e tij të parë na anuluan një gol tepër të rregullt dhe na mohuan një penallti të dukshme.
11-metërshi ishte më se i dukshëm ku mbrojtësi i Ilirisë bënte punën e portierit dhe gjyqtari që ishte fare pranë aksionit nuk reagonte fare. Pjesa e dytë nuk është luajtur më shumë se 20 minuta, pasi shumica e gjuajtjeve përfundonin nëpër bahçet aty pranë apo tarracat e pallateve, kjo e stimuluar edhe nga delegati dhe vëzhguesi.
'Millan qoftja' kur vjen në Lezhë nuk e nis lojën pa pasur të paktën katër, pesë apo gjashtë fëmijë rreth fushës, ndërsa të shtunën në Fushë-Krujë mjaftoi vetëm me dy topa dhe pa asnjë fëmijë. Dua t'i bëj me dije FSHF-së se të gjitha skuadrat paguajnë njëlloj taksat dhe për më tepër Besëlidhja është e para që i mbyll në kohë.
Ndërsa disa skuadra që shpresojnë te FSHF-ja jo vetëm që janë shumë mbrapa me detyrimet, por nën mbrojtjen e Federatës po e prishin garën e ndershme të këtij aktiviteti tepër popullor dhe i vetmi argëtues sot në Shqipëri", përfundon reagimin e tij për gazetën "Panorama Sport" presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka. Aktualisht, lezhjan- ët renditen në vendin e dytë, tri pikë mbrapa Kastriotit.
Përgatiti: PRENG GJIKOLA