Agostineli: Sukaj dhe Raçiç nuk janë idealët për të luajtur bashkë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Partizanit, Andrea Agostineli, ka deklaruar se skuadra e tij ende nuk është dorëzuar sa i takon titullit kampion. I ftuar në emisionin "Rubrika Sportive" në TVSH, Italiani ka folur edhe për gjendjen e lojtarëve që ka në dispozicion, por edhe dëshirën për të vazhduar gjatë me të kuqtë.
Pas barazimit me Laçin, është dorëzuar Partizani sa i takon garës për titull?
Jo. Na vjen keq, pasi ligji i atij që ndjek është ligji i atij që nuk duhet të gabojë kurrë. I kemi të gjitha shanset që të shkojmë në shtëpinë e Skënderbeut jo me shumë diferencë në mënyrë që të luajmë për titullin. Nuk është e lehtë edhe pse besojmë te forcat tona dhe që ata të humbasin ndonjë pikë rrugës. Duhet të luajmë me mentalitetin që gjithmonë të fitojmë.
E ndoqët ndeshjen e Skënderbeut?
Jo. Isha pak i zhgënjyer dhe vuajta nga ndeshja e skuadrës sime dhe nuk doja të vuaja më shumë.
Mendoni se skuadra juaj çalon në mesfushë?
Nuk jam aspak dakord. Shumë nuk e dinë që një trajner dëshiron që një lojtar të jetë në shërbim të grupit. Kush ka individët më të mirë, mund të fitojë. Nuk kam menduar asnjëherë që një lojtar mund ta bëjë skuadrën i vetëm. Sa i takon mesfushës, mendoj se me Skënderbeun jemi të ndryshëm në aspektin teknik. Skënderbeu në total ka një ekip teknik dhe ka më shumë cilësi se ne. Por, unë besoj se ne kemi diçka më shumë në profilin e grintës dhe vendosmërisë.
Deklaruat se favorizohej Skënderbeu për orarin, pasi luante pas Partizanit...
Tani dua të mendoj për ndeshjen e ardhshme që luajmë pas Skënderbeut si orar. Të luash më mbrapa është një avantazh, por jo vendimtar. Nëse Skënderbeu e fiton kampionatin, e fiton jo se ka luajtur mbrapa nesh, por se ka bërë gjithçka mirë në fushë.
Jeni shprehur se disa skuadra luajnë fort ndaj Partizanit. Si duhet të luajnë ato?
Deklarata ime pas ndeshjes duhet të interpretohet në mënyrën e drejtë. I kam bërë komplimente Laçit, si e luajti ndeshjen e tij dhe do doja që këtë gatishmëri ta kishte ndaj të gjitha skuadrave, për rregullsinë e kampionatit.
Si e prisni ndeshjen ndaj Flamurtarit javën e ardhshme?
Është ndeshje shumë e vështirë për ne, por nëse duam që të mbajmë gjallë shanset për titull, duhet të fitojmë. Ne shkojmë për ta fituar ndeshjen, edhe pse gjejmë një skuadër që ka uri për pikë. E vetmja gjë që mund të them është se djemtë besojnë shumë, pasi e dinë që objektivi është të shkojnë tri pikë larg skuadrës që kanë përpara. E dimë se nuk është e lehtë, por nëse japim maksimumin, mund t'ia dalim.
Do vazhdoni të qëndroni në pankinën e Partizanit edhe nëse nuk e fitoni titullin kampion?
Për këtë duhet të pyesni presidentin, i cili edhe publikisht ka thënë gjëra shumë të rëndësishme. Për mua është një projekt i rëndësishëm, pasi nuk kam ardhur thjesht për të kaluar një sezon, por për të fituar nëse është e mundur. Çdokush mund të fitojë. Kam një skuadër, e cila ka potencialin për të fituar dhe kjo është e rëndësishme. Mund edhe të qëndrojë. Unë i kam thënë presidentit që dua të fitoj. Nëse nuk arrijmë këtë vit, atëherë do ta synojmë vitin tjetër. Por, unë kam ardhur që të realizohem këtu.
Përse keni zgjedhur që në fushë të mos luajë nga minuta e parë dyshja Raçiç- Sukaj?
Kanë luajtur vetëm në një ndeshje të dy bashkë. Mendoj se dy lojtarë mund të luajnë së bashku kur janë në kondicionin maksimal fizik të tyre. Janë në pozicion shumë të ngjashëm, por nuk është dyshja ideale që mund të luajë. Nëse do të luanim ashtu, duhet që lojtarët të kenë karakteristika të ndryshme, pra njëri të jetë pozicional dhe i fuqishëm në zonë, ndërsa tjetri të jetë i lëvizshëm dhe i shpejtë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se lojtarët nuk do të luajnë së bashku.
Ju kemi parë që mbani kapele gjatë ndeshjes. E bëni një veprim të tillë për fat, apo për t'u tërhequr vëmendjen tifozëve?
E kam vënë që herën e parë kur isha trajner, pra prej 20 vitesh, është çështje shansi.
Në kampionat thatë se nuk i shihni rivalët, po në Kupë do ta bëni një gjë të tillë?
Jam shumë i interesuar që ta shoh ndeshjen e Flamurtarit në Kupë, sepse pas pak ditësh do të përballem me këtë ekip. Do ta shoh këtë takim, pasi është shumë i rëndësishëm për ekipin tim.
Jeni 16 pikë ndaj Tiranës, rivalit tuaj, megjithatë tifozët duan diçka tjetër...
Tifozët tanë duan të fitojnë, ashtu si edhe ne. Derbin duan ta fitojnë pak më shumë. Në fazën e tretë pata kënaqësinë dhe fatin që të përjetoja diçka të jashtëzakonshme në derbi, që më kujtoi ndeshjet e mia mes Lacios dhe Romës. E kuptova se çfarë do të thotë edhe një herë tjetër derbi. Kjo është ndeshja e tifozëve dhe shkon përtej tri pikëve.