e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Spahia komenton fanelën e Partizanit: Ylli rikthen komunizmin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Spahia komenton fanelën e Partizanit: Ylli rikthen komunizmin

Drejtori i Përgjithshëm i skuadrës së Kukësit, Ekrem Spahia, ka reaguar ashpër ndaj rikthimit të yllit me pesë cepa në fanellën që Partizani do të përdorë deri në fund të sezonit. Në emisionin "FairPlay" në "News24", Spahia është shprehur:fa

"Më bën përshtypje fakti që i është krijuar hapësirë dhe publicitet 70-vjetorit të krijimit të skuadrës së Partizanit më shumë se asnjë klub tjetër. Sa i takon yllit, ai është një nga simbolet kryesorë të sistemit komunist, pasi edhe partizanët e kanë pasur yllin në kapele, edhe flamuri u shëmtua pasi ju vu ylli me pesë cepa.

Shqipëria ka kaluar 45 vite në sistemin komunist dhe ai identifikohet me diktaturën më të egër në Europën juglindore. Kështu që t'u rikthehesh simboleve të komunizmit pas 24 vitesh demokraci, është nostalgji për atë sistem", ka thënë Spahia, i cili është kundërshtuar fort nga Mikel Janku dhe një pjesë e të pranishmëve të tjerë në studio.

"Partizani e ka pasur gjithmonë yllin në fanellë dhe më duket e çuditshme përse hapet një debat i tillë", i ka thënë Janku Spahisë. Megjithatë, ky i fundit ka mbrojtur mendimin e tij, duke kujtuar se sistemi komunist ka pasur mijëra viktima.

"Është nostalgji e pastër për sistemin komunist. Diktatura komuniste ka me mijëra viktima. Vendosja e yllit irriton një pjesë të shoqërisë shqiptare", ka thënë Spahia, i cili nuk është ndalur duke u bërë thirrje publike drejtuesve të kuq që të reflektojnë.

"U bëjmë thirrje publike që të largohen nga këto sjellje. Nëse është vetëm për festimet e 70-vjetorit, atëherë edhe mund të pranohet një gjë e tillë. Por, ky yll nuk është dosido, është ylli komunist. Mund t'i vini edhe drapër e sqepar dhe ta kompletoni.

Megjithatë jetojmë në një shoqëri pluraliste dhe secili ka mendimet e tij. Unë vij nga politika dhe u qëndroj bindjeve të mia që besoj se janë të njëjta me mendimet e shqiptarëve që e rrëzuan atë sistem komunist para 25 viteve. Heqja e simboleve të komunizmit dhe ndëshkimi i krimeve të komunizmit është parësore në politikën shqiptare dhe sot pas 25 vitesh del sërish ylli në skemë", është shprehur Spahia.