e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ademi: Erkandi s’eshte i dopuar

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ademi: Erkandi s’eshte i dopuar
Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Esat Ademi, i ka dalë në mbrojtje Erkand Qerimajt. Ai ka thënë se nuk ka asnjë komunikatë zyrtare nga Federata Botërore e Peshëngritjes dhe për aq kohë sa nuk ka komunikim zyrtar ai nuk do të nxitohet. Ademi ka kërkuar gjithashtu qetësi dhe maturi në një situatë kaq të komplikuar, duke thënë se më parë duhet pritur një njoftim zyrtar i federatës.

Reagimi “Nuk kam ndonjë njoftim zyrtar nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Unë jam president federatë dhe nuk mund të prononcohem pa pasur faktet në dorë dhe pa u njohur mirë me verdiktet e kontrolleve. Di vetëm t’ju them se Erkand Qerimaj nuk është pjesë e listës së sportistëve të dopuar shqiptarë. Vetëm kaq mund të them për momentin”, – është shprehur numri 1 i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Sekretari Presidenti FSHP-së më pas ka deklaruar se nuk ka mbajtur korrespondencë zyrtare me ndërkombëtarët dhe se këtë detyrë e mbulon sekretari i Përgjithshëm, Ilir Kraja. “Mund të ketë ardhur edhe ndonjë shkresë nga jashtë, por korrespondencën nuk e mbaj unë me ndërkombëtarët, pasi ajo është detyrë e sekretarit. Lidhuni me sekretarin, mbase ai mund të ketë informacion më tepër në këtë pikë dhe për të gjitha korrespodencat”, – ka deklaruar Ademi. Ndërkaq, gazeta është përpjekur dje me të gjitha format që të kontaktojë me sekretarin Kraja, por ky i fundit nuk preferoi të reagonte.