e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

A mund te thyhet tabuja e Amerikes se Jugut nga Gjermania dhe Holanda?

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
A mund te thyhet tabuja e Amerikes se Jugut nga Gjermania dhe Holanda?

Një finale midis këtyre dy skuadrave mund të përmbysë tabunë që ekziston për shtetet europiane për të fituar Kupën e Botës në Amerikën e Jugut. Paraqitja mahnitëse e dy vendeve veriore të Europës tregon se avantazhit që kanë vendet e Amerikës së Jugut në shtëpinë e tyre mund t’i ketë ardhur fundi. Rregulli se Kupa e Botës që zhvillohet në Amerikën Latine nuk mund të fitohet nga një skuadër europiane është një kërcënim pas fitoreve të mrekullueshme të Holandës dhe Gjermanisë, të cilat poshtëruan në mënyrë të befasishme kampionen në fuqi, Spanjën dhe Portugalinë e Cristiano Ronaldos.

Në Brazil kombet e Europës Jugore, Spanja dhe Portugalia janë mposhtur nga gjigantët veriorë të Holandës dhe Gjermanisë me rezultatet 5-1 dhe 4-0. Me strategjinë e tyre të ndryshimit të mesfushorëve, kombëtarja e Joachim Low demoralizoi lojtarin më të mirë të botës Cristiano Ronaldo dhe mori një vend deciziv në Grupin G.

Të ndjekur nga shkallët e stadiumit nga Kancelarja e tyre, Angela Merkel, gjermanët shënuan ndeshjen e tyre të 100-të në Kupën e Botës me një fitore e cila justifikoi koston e ndërtimit të kompleksit të trajnimit në Porto Seguro. Duhet të ketë pasur shumë festime në stadiumin e Berlinit, ku mbi 850 divane ishin vendosur në fushë nga tifozët për të parë këtë ndeshje.

Gjermania zakonisht e fillon në këtë mënyrë. Në 1990 ata mundën me rezultatin 4-1 ish-Jugosllavinë, në 2002 mposhtën Arabinë Saudite 8-0 dhe katër vjet më parë mposhtën Australinë 4-0. Ata kanë humbur vetëm një nga 19 ndeshjet e fundit në grupe kundër Serbisë me rezultatin 1-0 në Botërorin e Afrikës së Jugut. Talenti i Gjermanisë për të shkëlqyer në fazën e grupeve nuk është i diskutueshëm. Problemet kanë tendencën të shfaqen më tej kur ata nuk arrijnë të reagojnë përballë situatave të krijuara nga kundërshtarët e fuqishëm.

Gjithsesi, fitorja ndaj Portugalisë ishte inspiruese edhe pse Pepe u ndëshkua me karton të kuq për shkak të veprimit që bëri ndaj lojtarit gjerman Myller, në këtë ndeshje mesfusha gjermane tregoi një fuqi absolute.

Thomas Muller shënoi tre herë për gjermanët dhe Mats Hummles realizoi golin e tij të parë nga kornia në këtë Botëror. Edhe Toni Kroos luajti më thellë në fushë se Sami Khedira, i cili ishte i lejuar të lëvizte përpara gjatë kohës që Kross qëndronte pas. Mesut Ozil, Mario Gotze, Kroos dhe Khedira e bënë mesfushën e Portugalisë pothuajse të padukshme. Humbja e Marco Reus për shkak të dëmtimit, nuk ishte një handikap në ndeshjen kundër skuadrës portugeze, e cila u duk psikologjikisht e rënduar pas penalltisë së shkaktuar nga Joao Pereira ndaj Gotze, që më pas u shndërrua në gol nga Myller.

Muller u kritikua pas ndeshjes për reagimin e tij gjatë momentit kur Pepe e goditi lehtë me kokë në fytyrë, por pavarësisht mënyrës sesi lojtari gjerman reagoi, faji nuk qëndron tek ai. Sigurisht që veprimi i Muller ishte i ekzagjeruar, por ai nuk apeloi tek gjyqtari për të ndëshkuar Pepe-n. Ishte Pepe ai që shfaqi veten e tij të dhunshme edhe pse gjyqtari e fali në ndërhyrjen e parë të gabuar ndaj Muller.

Marrëzia e Pepes u pasua nga një 90 minutësh i tmerrshëm për Portugalinë. Hugo Almeida u largua për shkak të një problemi në këmbën e tij, por edhe Fabio Coentrao u largua nga fusha e lojës me barelë.

“I vendosëm ata nën një presion të madh. Ishte një performancë e shkëlqyer e skuadrës. Cristiano Ronaldo nuk pati asnjë mundësi të reagonte”, ka thënë lojtari gjerman Jerome Boateng.

Tani mund ta kuptoni se përse Gjermania udhëheq botën në fazën kualifikuese me 36 gola në 10 ndeshje. Ata arritën këtë fitore me Bastian Schëeinsteiger, André Schürrle, Lukas Podolski, Miroslav Klose dhe Julian Draxler, të gjithë jashtë formacionit startues.

Në botërorët që janë organizuar në Amerikën Latine kanë qenë shtetet e këtij rajoni ato që janë shpallur kampion në kompeticionin e parë më 1930 në Montevideo, ku kupën e ngriti Urugai. Që prej atëherë fituesit kanë qenë Uruguai (1950), Brazili (1962, 1970) dhe Argjentina (1978, 1986). Edhe botërorët e organizuar në Meksikë më 1970 dhe 1986 janë fituar nga Brazili dhe Argjentina, edhe pse Meksika konsiderohet një vend latin, por jo pjesë e Amerikës së Jugut. Ndoshta Argjentina dhe Brazili janë të ambientuar me kushtet e vështira atmosferike, por Holanda dhe Gjermania janë përgatitur mjaft fort. Një finale midis këtyre dy skuadrave mund të përmbysë tabunë që ekziston për shtetet europiane për të fituar Kupën e Botës në Amerikën e Jugut.