e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

50 mije tifoze ne stadium do veshin bluzen e 'Luftetarit'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
50 mije tifoze ne stadium do veshin bluzen e 'Luftetarit'
Është absolutisht një nga nderimet më të larta që i bëhet një lojtari shqiptar në fund të karrierës së tij nga një klub i huaj. I respektuar më shumë se cilido, i sakrifikuar në mjaft raste aty ku skuadra ka pasur nevojë, karizmatik, lider, kapiten për 5 vjet radhazi, por me raste edhe polemizues e gjaknxehtë jo vetëm me kundërshtarët, por edhe me shokët e skuadrës. Dhe përveçse një ndër më të paguarit në skuadër (të paktën deri para katër sezonesh), ajo që e dallon më shumë nga të tjerët dhe për të cilën te Hanover “i heqin kapelën”, është besnikëria dhe përkushtimi 14-vjeçar, si rrallë ndonjë lojtar tjetër në historinë e kësaj skuadre.

Ky është Altin Lala, “xhuxhi gjigant” jo vetëm i Kombëtares shqiptare por edhe i Hanoverit, klub i cili pritet të festojë në mënyrën më madhështore dhe spektakolare lamtumirën e një prej legjendave të veta këtë fundjavë. Pesëdhjetë mijë tifozë në “AWD-Arena” të Hanoverit pritet të veshin fanellën me numrin 8- të që ka mbajtur në shpinë te kjo skuadër, gjatë gjithë karrierës, Altin Lala. Më pas, spektakli do vazhdojë me nderime që ish-kapitenit kuqezi do t’i bëhen nga drejtuesit, kolegët, ish-lojtarë të kësaj skuadre ndër vite dhe nga mijëra e mijëra fansa që do shikojnë për herë të fundit Altin Lalën me fanellën e Hanoverit në përballjen e fundit të këtij sezoni ndaj Kaiserslauternit.

Karriera - Askush nuk e njihte atë djalosh thatik pasditen e 21 korrikut 1998, kur ai u paraqit në seancën e parë stërvitore të Hanoverit. Sapo kishte firmosur një kontratë tre-vjeçare me këtë klub, i cili sapo ishte ngjitur në Bundesliga 2. Lala kishte provuar futbollin inferior më së pari në Gjermani te Borusia Fulda, ku pat luajtur gati për tri sezone. Kishte ardhur në Gjermani më 1994-n me ekipet e moshave të Shqipërisë dhe më pas nuk ishte kthyer më te Dinamo e Tiranës, ku kishte startuar karrierën e tij futbollistike. Ndërsa pa kaluar më shumë se 1 javë dhe, më 30 korrik 1998, vjen debutimi i tij te Hanover, në fitoren e kësaj skuadre 1-0 ndaj Karlsruher.

“Luftëtari” (kjo është nofka që i patën vënë tifozët e Hanoverit) dha një kontribut të jashtëzakonshëm që kjo skuadër të ngjitej në Bundesliga 1 dhe më 11 gusht 2002 vjen debutimi i tij në elitën e futbollit gjerman, në një ndeshje përballë Hamburgut. Nga ai moment ai numëron më shumë se 150 ndeshje në Bundesliga 1 dhe më shumë se 300 në të gjitha kompeticionet (Bundesliga 1, 2, Kupa e Gjermanisë dhe Kupa të Evropës). Ai mbahet mend edhe si lojtari që ka shënuar vetëm një gol në Bundesligë gjatë gjithë karrierës së tij: 31 janar 2007, Lala shënonte në fitoren 5-0 të Hanoverit ndaj Hertës së Berlinit.

Deklarata - Nesër, 5 maj, 36-vjeçari do të veshë për herë të fundit fanellën me numrin 8 të Hanover, një ndjesi kjo e jashtëzakonshme për ish-kapitenin kuqezi. “Nuk e di se çfarë të them. Jam tejet i emocionuar. Më dridhet gjithë trupi vetëm kur imagjinoj një stadium të tërë, të paktën për një moment, i tëri i imi. Kam një jetë te ky klub, i cili më është bërë si një shtëpi. Patjetër, pasi më shumë kohë kam kaluar këtu, sesa në shtëpinë time. Kur mendoj tani se do jetë ndeshja e fundit te Hanover, ndihem tejet i emocionuar. I falënderoj të gjithë për gjithçka që kanë bërë për mua”, ka pohuar vetë Altin Lala në një intervistë për uebsajtin e Hanoverit.

Presidenti: Largimi më i dhimbshëm për mua

Për presidentin e Hanoverit, Martin Kind, Altin Lala e meriton gjithë këtë respekt. Madje, ai thekson se ndoshta klubi nuk po bën aq sa ka dhënë shqiptari realisht në 14 vite të karrierës së tij te Hanover. Ka qenë vetë presidenti që ka kërkuar që lojtarit shqiptar t’i bëhen respektet më të veçanta si në stadium, por edhe me mbrëmjen gala, që do organizohet nesër në darkë nga klubi i Hanoverit. “Respekti për Lalën është në kufijtë maksimalë, pasi një gjë të tillë ai e ka merituar denjësisht. E shikoj si një lamtumirë të jashtëzakonshme, e cila nuk ka ndodhur më parë te klubi ynë.

Por më besoni, Altini e meriton gjithë këtë, pasi ka qenë një futbollist i jashtëzakonshëm por edhe një person i jashtëzakonshëm. Altini, me aq sa di, ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të gjitha mundësitë që i janë dhënë në jetën e tij. Ndaj, me largimin nga klubi ynë, uroj që të jetë sa më mirë atje ku do shkojë. Sipas meje është një luftëtar i vërtetë, një nga ata lojtarë që nuk është kursyer në një asnjë moment për skuadrën, ndaj edhe e respektojnë të gjithë pa dallim, që nga drejtuesit e deri te tifozët më të thjeshtë”, ka pohuar presidenti i Hanoverit.

Slomka: Lala, një shembull

Një ide për lamtumirën e Altin Lalës ka dhënë dje edhe trajneri i Hanoverit, Mirko Slomka. Edhe pse me këtë të fundit Lala nuk ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer, pasi jo më larg se dy muaj më parë pati një përplasje me ndihmësin e tij, përsëri Slomka nuk ka kursyer fjalët e mira për ish-kapitenin. “Një gala për Lalën është gjëja më e mirë dhe një nderim për një lojtar që i ka dedikuar gjithë karrierën këtij klubi. Më vjen mirë për të dhe uroj që të ketë suksese edhe më tej”, ka thënë trajneri.

Çerundolo: Më ikën një mik i vërtetë

Kapiteni i Hanoverit, Stiven Çerundolo, ka shprehur gjithë simpatinë dhe respektin për kolegun e tij të skuadrës, Altin Lala. Amerikani e ka konsideruar Lalën si një nga miqtë e tij më të mirë, jo vetëm në skuadër, por edhe jashtë në jetën e përditshme. “Lala ka qenë një shembull për të gjithë ne që kemi ardhur më pas te kjo skuadër. Unë kam pasur një raport mjaft miqësor me të dhe besoj se do e kem akoma, paçka se ai do të largohet dhe jeta e tij do marrë një drejtim disi më ndryshe. Gjithsesi, i uroj më të mirat e kësaj bote, pasi një si Lala i meriton”, ka theksuar Stiven Çerundolo.