e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

5 emrat e Dukes coroditin vete Federaten, trajneri i ri brenda 10 nentorit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
5 emrat e Dukes coroditin vete Federaten, trajneri i ri brenda 10 nentorit
Katër emra kanë qenë në listën e të përfolurve si teknikë të ekipit kombëtar, por dje janë bërë pesë. Përveç emrave të lakuar më parë nga media, ai i djeshmi mbetet enigmë dhe në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit janë dhe vetë të çoroditur, pasi askush nuk e di me siguri se cila do të jetë lëvizja e radhës e presidentit Armand Duka. Madje emri i pestë i një tekniku të futur në listë si alternativë për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar ka shumë mundësi të jetë i huaj dhe me shumë gjasë një italian. Duka ka qenë i heshtur gjatë gjithë kësaj kohe, por burimet tona brenda federatës bëjnë të ditur se ai është shfaqur nervoz pas refuzimit të Besnik Hasit për të marrë drejtimin e Kombëtares.

Duke dashur t’i japë kohë vetes, Duka ka menduar të mos ketë kontakte me shtypin në këtë periudhë, duke i mbajtur sekret bisedimet me pretendentët që dëshirojnë pankinën kuqezi. Referuar burimit tonë brenda federatës, bëhet fjalë për kandidatura kryesisht të huaja, pasi pista e trajnerëve shqiptarë është shumuar me refuzimin  Besnik Hasit. Ky i fundit ka pasur shanse maksimale që të marrë drejtimin e kuqezinjve, nisur jo vetëm nga eksperienca, por edhe për shkaqe objektive. Megjithatë, në zyrën e Dukës tani ka vetëm emra të huaj, pasi kandidaturat shqiptare nuk bindin. Madje, pas largimit të Hasit nuk ka realisht një emër tekniku shqiptar që mund të quhet favorit apo pretendent për të marrë kreun e pankinës kuqezi. Me pak fjalë Duka tenton të bëjë sërish surprizën me një emër të huaj. Zëra të ndryshëm thonë se ai ka ndër radhët e pretendenteve dhe një teknik italian, por emri nuk bëhet i ditur. Ndër emrat që njihen tashmë janë Ervin Kuman, Matiazh Kek dhe Kranjçar.

Gjithsesi, brenda kësaj jave ka pak mundësi që të ndodhë një emërim i shpejtë. Sipas burimeve brenda federatës, tekniku i ri do të vendoset përfundimisht brenda datës 10 nëntor. E thënë ndryshe, në FSHF janë të sigurt se Duka do ta zgjedhë teknikun e ri para se të luhen ndeshjet miqësore të mesit të nëntorit. Një vendim i tillë duket e do të merret nisur nga interesat e vetë federatës dhe të ekipit kombëtar, por edhe për pozitat e presidentit Duka, i cili indirekt ka shprehur zhgënjimin e tij total nga ish-mbrojtësi i Kombëtares Besnik Hasi. Ky i fundit deklaroi dy ditë më parë se nuk mund të largohet nga Anderlehti dhe se nuk është në gjendje t’i thotë “po” Shqipërisë në këtë moment. “Jo”-ja  e Hasit gjeti të papërgatitur Federatën Shqiptare të Futbollit, së cilës do t’i duhen dhe disa ditë kohë që të vendosë për emrin e ri në krye të ekipit kuqezi. Nga Hasi janë, natyrisht, të zhgënjyer, por nuk dihet se çfarë mendimi ka realisht Duka për qëndrimin e kosovarit. Burimi ynë brenda FSHF-së thotë se edhe për Hasin nuk janë prerë shpresat, duke nënkuptuar se qëndrimi publik i kosovarit është një manovër për të rritur pjacën dhe federata i kuptonte mirë këto lojëra.

Nëse Duka do të thotë jo për Hasin, atëherë ish-mbrojtësi kuqezi nuk do të ketë më gjasa që të jetë trajner i ekipit përfaqësues. Ai e ka djegur në mënyrë përfundimtare shansin për të marrë drejtimin e skuadrës kuqezi, të paktën sa të jetë Duka president i Federatës shqiptare të Futbollit. Ajo që përbën lajm për momentin është se presidenti i FSGHF-së po mban sekret pesë emrat me të cilët po diskuton mundësinë e marrjes së drejtimit të Kombëtares, si dhe emërimi që do të ndodhë para datës 10 nëntor, që do të thotë se miqësoret e planifikuara më 11 nëntor ndaj Azerbajxhanit në Tiranë dhe më 15 nëntor ndaj Maqedonisë në Prilep, do të drejtohen nga tekniku i ri, emri i të cilit edhe pak ditë do të jetë enigmë.

“Xhema” përjashtohet si mundësi për drejtimin e kuqezinjve

Trajneri i ekipit kombëtar të 17-vjeçarëve, Xhemal Mustedanagiç, nuk do të jetë drejtues i ekipit kombëtar, madje as për miqësoret që do të zhvillohen së afërmi. Një fakt i tillë pohohet nga zyrtar të lartë të federatës, që e përjashtojnë në mënyrë kategorike drejtimin e ekipit nga “Xhema”. Madje në zyrat e federatës përmendja në media e emrit të boshnjakut si mundësi për drejtimin e përkohshëm të ekipit është diçka qesharake, pasi ai është i angazhuar në drejtimin e U-17 dhe deri tani ka bërë një punë të mrekullueshme me këtë skuadër, ku e ka kualifikuar në Elitë Raund për Europianin e ardhshëm të kësaj moshe.

Enigma/ Pse dhe si u tërhoq Besnik Hasi nga Kombëtarja?

Janë ngritur shumë pikëpyetje mbi shkaqet reale që çuan në tërheqjen e Besnik Hasit nga drejtimi i Kombëtares Shqiptare. Zyrtarisht është thënë se kosovarin nuk e lë të lirë klubi i Anderlehtit, por shumëkush brenda federatës dhe jashtë saj e di se Hasi nuk gjeti gjuhën e përbashkët me kreun e FSHF-së Armand Duka. Ky i fundit i kishte propozuar Hasit një kontratë dyvjeçare, por ish-mbrojtësi kuqezi, aktualisht zv/trajner te Anderlehti, kërkoi katër vjet kontratë si kusht për të marrë drejtimin e ekipit. Këtu rrugët e tij me Dukën u ndërprenë, megjithëse presidenti i FSHF-së ruajti shpresën për një reflektim të kosovarit.

Moshat/ Çfarë shpresohet nga sektori i talenteve

Federata ka prej kohësh që ka hapur zyrat e saj në disa vende europiane, ku synon të thithë sa më shumë elementë cilësorë nga fëmijët shqiptarë që jetojnë e stërviten në këto vende. Në pak muaj është bërë e mundur afrimi i shumë lojtarëve të rinj, por ende lojtarët5 më të mirë nuk kanë pranuar që të luajnë për Shqipërinë. Në këtë drejtim FSHF-ja, konkretisht zyra e talenteve, ka ende për të punuar. Në vende si Gjermania, Zvicra dhe sidomos Italia, ka shuam të rinj shqiptarë që luajnë në klubet e këtyre vendeve dhe mendohet të jenë e ardhmja e Kombëtares. Problem mbetet zyra në Greqi, që ende nuk po gjen elementët e duhur.