e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bekim Bala: Une, pasuesi i Zheges e Sinanit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bekim Bala: Une, pasuesi i Zheges e Sinanit
Tirana e nisi dobët kampionatin pasi humbi javën e parë ndaj Teutës rivale, por në javët në vazhdim ka bërë ndeshje të mëdha, duke siguruar një barazim e pesë fitore dhe duke u ngjitur në vend të parë me 16 pikë. Një nga lojtarët që ka pasur peshë të rëndësishme në suksesin bardheblu është padyshim sulmuesi Bekim Bala, i cili, i ingranuar në frontin ofensiv ka mundur të konkretizojë përpjekjet e skuadrës për të qenë efikase, duke shënuar gola të rëndësishëm për ekipin e tij. Trajneri Hulian Rubio Sançez ka besim te talenti Bala dhe fakti se sulmuesi 20-vjeçar ka shënuar 6 gola në këto javë të para tregon se tekniku spanjoll ka gjetur elementin e duhur në repartin  sulmit.

Vetë Bala, në intervistën e dhënë për “SOT”, rrëfen ambiciet e tij për të qenë goleadori i Superiores, pra me bindjen se mund të fitojë “Këpucën e Artë”. Nga ana tjetër, Bala konfirmon dhe një herë se periudha që kaloi në kampionatin turk nuk duhet përmendur, përkundrazi, duhet lënë pas si një kohë e shkuar dëm. Përveçse të jetë bomberi kryesor i ekipit, shkodrani i sulmit bardheblu synon që të bëhet pjesë e një skuadre të njohur në perëndim, me bindjen se janë pjekur kushtet për ndërmarrjen e një hapi të madh. Angazhimin në ekipin kombëtar Shpresa e quan të mjaftueshëm dhe mjaft pozitiv, por se në Kombëtare, pavarësisht dëshirës, mendon se duhet ende kohë e përkushtim dhe më shumë punë që të veshë fanellën e përfaqësueses. Ajo që Bala e thekson me të madhe në intervistën e tij lidhet me angazhimin e madh te Tirana, dëshirën për të fituar titullin kampion dhe të gëzojë spektatorët me golat e tij.

Si e vlerësoni ecurinë e tanishme të skuadrës së Tiranës dhe rolin tuaj në ekip?

Gjërat kanë shkuar mirë deri tani. Desha të them kanë shkuar mbarë dhe sa kohë po mbajmë vendin e  parë në renditje, atëherë do të thotë se i kemi bërë mirë detyrat tona. Në aspektin personal mund të them se ndihem i kënaqur me performancën e bërë. Kam realizuar gola të rëndësishëm dhe, duke qenë se ekipi mban kreun, ndihem moralisht i motivuar për të bërë më shumë, që të jem i rëndësishëm për ekipin tim. Tirana ka fituar gjatë kësaj kohe ndeshje të rëndësishme, të vështira. Duke parë ndeshjet që kemi fituar, mund të thuhet pa frikë se kemi bërë gjëra vërtet interesante dhe kemi krijuar një bazë të mirë për vazhdimësinë. Ajo që ka rëndësi të thuhet është se Tirana po ecën mirë dhe në rrugën e duhur.

Në fundjavë prisni Skënderbeun. Cilat janë objektivat tuaja në këtë përballje?

Ndaj Skënderbeut do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Kjo pasi kundërshtari është ekip i fortë. Një fitore në këtë ndeshje do të na ndihmonte për titullin kampion. Unë kam mendimin se çfarë do rezultati tjetër në këtë ndeshje përveç fitores, do të ndihmonte rivalët tanë, të cilët këtë javë kanë short më të lehtë. Pra ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje të rëndësishme, që të ruajmë kryesimin.

Ju mendoni se është ndeshje përcaktuese për titullin?

Është herët të flasim për titullin kampion, pasi jemi 4ende në javët e para, por çdo ndeshje ka rëndësinë e saj, për më tepër kjo me Skënderbeun. Nisur nga emri i kundërshtarit dhe pozitat tona e të rivalëve në klasifikim, gjykoj se është një ndeshje që ka rëndësi për vazhdimësinë e grupit tonë. Pra ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, të fitojmë në çdo ndeshje.

Kë shihni si rivale të Tiranës në luftën për titull?

Skuadrat tona rivale për titull, të paktën nga ecuria e deritanishme në kampionat, duket se janë Teuta e Flamurtari. Por ka dhe ndonjë skuadër tjetër që nuk e ka nisur si duhet, por që në javët e ardhshme mund të rrisë pretendimet. Gara duket interesante, pasi ka rivalitet të shprehur.

Ju vjen keq që skuadra e fëmijërisë, Vllaznia, nuk e ka nisur mirë? Nuk e shihni atë si pretendente për titull?

Vllaznia ka pasur luhatje në rezultatet e saj. Nuk mund të thuhet se e nisi mirë sezonin dhe gjendja në klasifikim nuk i shkon për shtat. Por me ardhjen e trajnerit të ri do të ndryshojnë gjërat për mirë. Kam besim për këtë dhe uroj që Vllaznia të ketë sukses.

Ju nuk jeni shprehur haptazi, por në media jeni përmendur si një pretendent për “Këpucën e Artë”. Keni ambicie për këtë trofe dhe sa janë realisht shanset që t’ia dilni mbanë?
Momentalisht unë jam në kuotën e 6 golave të shënuar dhe renditem i dyti. Nuk mund të them se s’më pëlqen “Këpuca e Artë”. Çdo sulmues do ta dëshironte ta fitonte atë. Natyrisht premisat janë të mira dhe mund të them se jam në rrugën e duhur. Sa do t’ia arrij kjo varet nga ecuria ime në garë, gjendja fizike e teknike, ecuria e skuadrës dhe zhvillimet në kampionat. Por një sulmues 20-vjeçar nuk ka si të mos motivohet për një trofe të tillë në aspektin personal. Të fitosh “Këpucën e Artë” që në moshën 20 vjeç do të ishte diçka shumë pozitive, por njëkohësisht dhe një shtysë e madhe për karrierën sportive.

Mendoni se me golat e shënuar dhe me paraqitjet e mira te ekipi i Shpresave ka ardhur momenti që të provoni, pse jo, edhe fanellën e skuadrës përfaqësuese?

Unë aktivizohem te Shpresat dhe së afërmi kemi dy ndeshje shumë të vështira në grup, pasi përballemi me kundërshtarë shumë të fortë (Rusia dhe Portugalia). Dëshira jonë e madhe është të sigurojmë rezultat pozitiv, mundësisht fitore, por e dimë se do të jetë shumë e vështirë dhe kjo lidhet me ekipet cilësore që do të kemi përballë. Janë skuadra me emër dhe vështirë se mund të marrësh maksimumin ndaj tyre. Do të ishim të kënaqur edhe me barazimin në këto përballje. Duke u kthyer te Kombëtarja mendoj se nuk jam unë ai që përcakton emrat ë thirren apo që të jem unë ai që vendos të përfshihem. Kuptohet ë në Kombëtare shkojnë lojtarët më të mirë e më në formë. Unë nuk mendoj se jam pjekur për të luajtur në përfaqësuese. Dëshira është e madhe natyrisht e kush  nuk do të dëshironte të luante me bluzën e Kombëtares? Por unë po punoj për ta merituar. Kam ende kohë për Kombëtaren dhe do të vijë momenti që do ta meritoj.

Cilat janë objektivat tua realisht në këtë sezon?

Nuk ka pikë dyshimi që objektivi im madhor në këtë sezon është të fitoj titullin kampion me Tiranën. Skuadra ka ecur mirë dhe gjërat duken në rrjedhën e duhur. Urojmë që ta mbyllim sezonin të parët e unë të shpallem kampion. Ky është momentalisht objektivi i vetëm.

Keni planifikuar që në fund të sezonit të ndryshoni skuadër, në kuptimin për të kaluar në një klub të huaj?

Do e dëshiroja një lëvizje drejt një kampionati më të fortë, apo një skuadre që mund të më sjellë rrugë të reja për vazhdimësinë. Por për momentin jam duke menduar vetëm për Tiranën, pra si të dal kampion. Gjithsesi, do të më pëlqente ideja të luaja me ndonjë skuadër të njohur në kampionatin gjerman apo zviceran. Do të ishte një hap i madh përpara, por kjo i takon së ardhmes. Duhet më parë të mbyllet sezoni e më pas në varësi edhe të ofertave mund të vendos për të ardhmen time.

Kur luanit në kampionatin turk diçka nuk shkoi mirë dhe ju u kthyet. Ndiheni i zhgënjyer për kohën që qëndruat atje?

Në Turqi ishin rrethanat e atilla që vendosesha të kthehesha. Këto dihen tashmë. Më kushtoi një periudhë kohe të çmueshme kalimi në kampionatin turk. Unë kam nevojë të luaj e të aktivizohem, por...., tani po përpiqem ta lë pas kohën e humbur në Turqi.

Vllaznia ka nxjerrë shumë talente dekadën e fundit. Janë emra të tillë si Salihi, Sukaj, Vajushi etj. Ju jeni një prej tyre. Cili është mendimi juaj?

Po të shikosh me kujdes, të gjithë lojtarët më të mirë të viteve të fundit kanë dalë nga klubi i Vllaznisë. Dhe të gjithë janë sulmues. Kjo shpjegohet me faktin e në Shkodër duan spektaklin, duan fitore e duan atmosferë dhe këtë e siguron futbolli sulmues. Kjo është padyshim një meritë e Vllaznisë dhe e futbollit shkodran. Natyrisht që këtu duhet përmendur puna e mirë e klubit të Vllaznisë me ekipet e moshave. Akademia ka qenë një fidanishte dhe ka pasur sukses. Skuadrat e moshave të Vllaznisë janë kampionë. Kjo është shumë pozitive dhe unë ndihem krenar për këtë.

Në radhën e shumë ish-figurave të njohura të futbollit në Shkodër, ku ka shumë emra të spikatur, me kë do ta identifikonit veten? Ose më saktë, kush është idhulli juaj?

Shkodra ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj në çdo kohë. Ka emra mjaft të spikatur si Zhega, Rragami, Hafizi etj, e deri te më të rinjtë si Sinani e Salihi. Ata të gjithë janë idhujt e mi. Por meqë me Sinanin kam pasur fatin edhe të luaj dhe ta admiroj për lojën e tij, natyrisht që ai mbetet idhulli im. Gjithsesi, unë do të doja të ndiqja gjurmët e këtyre lojtarëve të mëdhenj.

Cilat janë raportet tuaja aktualisht me trajnerin  Tiranës Rubio Sançez?

Me trajnerin kam raporte shumë të mira. Sigurisht që në ekip ka lojtarë më të pjekur se sa mua dhe mundet që tekniku të bisedojë më shumë me ata, por fakti që më ka besuar në sulm dhe më ka dhënë kurajë e angazhim, tregon se ai ka besim te unë dhe më vlerëson. Mos harrojmë se sulmi i Tiranës sot përbëhet nga dy lojtarë të rinj, si unë, 20 vjeç dhe Morina vetëm 19 vjeç. Ekipi ndodhet në vend të parë dhe puna jonë mund të justifikohet mjaft mirë. Besoj se e kam shpërblyer besimin  tij. Më ka thënë fjalë të mira për performancën time dhe unë e ndjej që ai më ka vlerësuar. Kjo është pozitive.

Në merkaton e janarit klubi mund të sjellë përforcime dhe nëse afrohet sulmues mund të shfaqet rivaliteti për vendin e titullarit...

Unë nuk merrem me merkaton. Detyra ime është të shënoj dhe unë këtë po përpiqem të bëj. Pra të ndihmoj sa më shumë ekipin të realizojë objektivin. Mendoj se kam justifikuar rolin tim dhe siguroj se do të shënoj edhe më shumë.

Të kthehemi te ndeshja me Skënderbeun. Nuk ju duket e tepruar euforia e Tiranës në prag të këtij takimi, me deklarata pompoze etj?

Mua s’më pëlqejnë deklaratat, por nisemi nga forma që kemi dhe ambiciet për të marrë trepikëshin. Ne Skënderbeun e kemi mundur brenda në Korçë në kuadër të Superkupës dhe e njohim si kundërshtar. Ndeshja luhet këtu në kryeqytet dhe ne kemi shanset e mëdha të fitojmë sërish. Unë do të dëshiroja që të kishte sa më shumë spektatorë në stadium, pasi në këtë ndeshje do të ketë elementë spektakli. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë për ne, por unë kam bindjen se Tirana do të fitojë në këtë sfidë.