Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pervjetori i Noto-s dhe sektori i sigurise ne shqiperi

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 10 vite më parë

Adri Nurellari
Pervjetori i Noto-s dhe sektori i sigurise ne shqiperi

4 prilli është një ditë e shënuar në historinë botërore, pasi në këtë datë, në vitin 1949, është krijuar aleanca më e madhe dhe e rëndësishme e krijuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Ky është një vit jubilar i rëndësishëm edhe për historinë e shqiptarëve, pasi mbushen pesë vite anëtarësi të vendit tonë në këtë aleancë, si dhe 15 vite nga ndërhyrja çlirimtare e NATO-s në Kosovë. Për herë të parë, shqiptarët janë bërë me aleatë të mirëfilltë e dashamirës në historinë e tyre. Mënyra se si Rusia shkeli me këmbë sovranitetin e Gjeorgjisë para pak vitesh dhe se si po anekson një pjesë të territorit të Ukrainës sot, është një rrethanë që nxjerr në pah rëndësinë e sektorit të mbrojtjes së një shteti dhe thekson edhe më shumë dobinë dhe privilegjin e madh të anëtarësimit në NATO.

 

Austro-Hungaria dhe Italia, në fillimin e shekullit të kaluar ndihmuan në pavarësimin e Shqipërisë vetëm sepse kishin arritur në një lloj ekuilibri pozicionesh lidhur me koniunkturën gjeopolitike, si dhe kishin interesin e përbashkët për të ndaluar fuqizimin e mëtejshëm të vendeve ballkanike, si dhe zgjerimin e influencës së Rusisë. Traktati i Varshavës ishte më tepër një traktat robërie ndaj Bashkimit Sovjetik, ku vendet anëtare ishin të detyruara të qëndronin me zor dhe kishin thjesht rolin e satelitëve periferikë të Moskës.

 

Në këtë datë përkujtimore është me interes që të hidhet një vështrim te historia bashkëkohore e sigurisë në Shqipëri, e cila, për hir të së vërtetës, lë shumë për të dëshiruar. Jo vetëm që vendi ynë s’ka pasur ushtri që të përmbushë detyrat kombëtare në mbështetje të bashkëkombësve tanë të persekutuar në rajon, por ka qenë në aq situatë të mjeruar, sa dy herë është dashur që të vijnë misione ushtarake të huaja për të na ndihmuar. Është rast pothuajse qesharak që në vendin më homogjen të Europës, të organizohen jo një, por dy misione ushtarake humanitare për të zgjidhur probleme të brendshme që nuk ishin etnike. Mirëpo, pavarësisht nga historia e hidhur e kombit tonë, kërcënimet e vazhdueshme të sigurisë brenda vendit, pretendimet territoriale të fqinjit jugor, si dhe persekutimi i bashkëkombësve, Shqipëria në mënyrë konsistente ka shpërfillur nevojën e ndërtimit të një sektori solid të sigurisë, duke e trajtuar me përçmim këtë sektor.

 

Është shumë e rëndësishme që qeverisja e tanishme e majtë në Shqipëri të nisë ta trajtojë me seriozitet këtë sektor, pasi fatkeqësisht, në të kaluarën, në momente kyçe historike shqiptare, kur e majta ka qenë në pushtet është treguar neglizhente dhe hera herës infantile për sa i përket sektorit në fjalë. Tatëpjeta e institucioneve të sigurisë të Shqipërisë e ka zanafillën që në periudhën e fundit të regjimit komunist, kur ushtria u zhvesh nga profesionalizmi dhe u përdor si shkollë partie dhe si burim krahu pune falas për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Dobësia e këtij sektori u manifestua pas rënies së regjimit dhe anarkisë që pësuam në periudhën fillestare tranzitore. U desh që të vinin aleatët perëndimorë me operacionin ushtarak ALBA që të na jepnin një dorë të dilnim nga kaosi.

 

Kur Shqipëria u anëtarësua në Këshillin Bashkëpunues të Atlantikut Verior më 1992-shin, e majta e anakronike asokohe ende nuk e kishte kuptuar se nga po frynte era dhe gumëzhinte me zëra kundër afrimit me “imperialistët” perëndimorë. Ushtria vazhdoi të shpërfillej nga qeveria “Meksi”, duke u trajtuar si vend punësimi për militantë politikë dhe u shkërmoq si kala rëre në vitin 1997 duke e lënë vendin të rrëshqiste drejt humnerës. Prapë u desh të vinin aleatët perëndimorë me operacionin Pelikan që të na nxirrnin nga balta.

 

Por anarkia famëkeqe e vitit 1997 nuk bëri që të nxirreshin ndaj sektorit të sigurisë, qeveria e majtë që erdhi në pushtet nuk ndërmori masa efikase për të konsoliduar dimensionin e sigurisë dhe një vit më pas shteti sërish e pësoi një tërmet me trazirat e shkurtit 1998. Mirëpo papjekuria më e madhe u manifestua në lidhje me çështjen e Kosovës.

 

Në përpjekje për të fituar zemrën e perëndimorëve dhe për të siguruar legjitimitet ndërkombëtar të qeverisë të dalë prej një viti anarkik, rendën që ta portretizonin veten sa më shumë kozmopolitanë. Për ta ishte e qartë që do të linin përshtypje të mirë ndaj Perëndimit, duke u distancuar nga konfliktet e Ballkanit dhe duke bërë diferencën me vërshimin e nacionalizmit ballkanik, prandaj rrëshqitën në naivitet për sa i përket gjeopolitikës dhe ndërmorën hapa të papjekur karshi çështjes kombëtare, duke shtrirë me ngut dorën drejt Serbisë. Nano shkoi në Kretë dhe i shtrëngoi dorën Millosheviçit, duke thënë që njeriu që bën luftën është ai që bën edhe paqen. Zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste asokohe do të dilnin edhe me deklarata të tipit “problemi më i madh i Kosovës nuk është Serbia, por varfëria” apo “kryeqyteti i Kosovës është Beogradi”. Fiaskoja e kësaj politike u duk qartazi më pas, kur gjendja në Kosovë u përshkallëzua drejt konfliktit të armatosur.

 

Mandej, edhe kur nisi tragjedia kosovare, në Shqipëri mungonte ekspertiza dhe pjekuria e duhur në aspektin e sigurisë për të kuptuar siç duhet në kohën e duhur situatën dhe rolin e UÇK-së dhe Shqipëria u tregua aktive vetëm kur u udhëzua të vepronte si shtet prej aleatëve perëndimorë. Roli mandej i Shqipërisë në zgjidhjen e krizës së Maqedonisë ishte i papërfillshëm, edhe pse ne na takonte që të luanim një rol kyç.

 

Po ashtu, në fillim të viteve 2000 prapë qeveria e majtë u ngut në rivendosjen e marrëdhënieve me Serbinë pa kërkuar reparacione për viktimat e zonave të minuara dhe pa e kushtëzuar marrëdhënien me Beogradin në varësi të pozicionit ndaj Kosovës. Marrëdhënia e ngrohtë e Tiranës me Beogradin gjithmonë e ka dobësuar pozicionin e Kosovës në negociata në nivel ndërkombëtar, pasi i ka dhënë Serbisë një certifikatë pafajësie. Kjo lloj marrëdhënie e papjekur e vendit tonë ka lënë të kuptohet ndërkombëtarisht përshtypja se nuk ka ndonjë problem mes shqiptarëve dhe serbëve, por thjesht janë probleme me elitën apo aktorët rajonalë të Kosovës.

 

Një lloj infantiliteti u tregua edhe në vitin 2008 për sa i përket futjes së Shqipërisë në NATO. Kur Partia Demokratike u përpoq ta përvetësonte tërësisht meritën për anëtarësimin në NATO, një pjesë e mirë e onturazhit intelektual dhe mediatik të majtë në vend që të përgënjeshtronin këtë pretendim u përpoqën që të minimizonin dhe zhvleftësonin këtë arritje. Pati syresh asokohe që do të arrinin të thoshin se “futja në NATO nuk është dëshmi avancimi, pasi në të kaluarën NATO ka pasur anëtare edhe vende diktatoriale si Portugalia e Salazarit”. Pati gjithashtu zëra përçmues nga opozita që ankoheshin se do të rëndohej buxheti i shtetit për t’u përmbajtur kritereve e standardeve të përcaktuara nga NATO.

 

Mënyra e keqe se si e menaxhoi qeveria çështjen e armëve kimike jo vetëm ishte një mundësi e humbur e vendit tonë, por edhe një dëshmi që dimensioni i sigurisë dhe marrëdhënia me SHBA-në në veçanti dhe aleatët tanë në përgjithësi nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur. Trajtimi financiar i sektorëve të sigurisë, qoftë të brendshme e qoftë të jashtme, lënë shumë për të dëshiruar. Po ashtu, tendencat që vihen re për ta përqendruar debatin e përditshëm politik te policia, ushtria apo shërbimi informativ lë të kuptohet që sektorit të sigurisë ende nuk po i mundësohet klima e nevojshme që të konsolidohet, të profesionalizohet dhe të vihet siç duhet në shërbim të interesave shtetërorë.

 

Ridimensionimi i rolit dhe peshës së sigurisë duhet të manifestohet në buxhetet e ardhshme të qeverisë së tanishme, pavarësisht prej krizës ku ndodhemi. Po ashtu, në aspektin studimor do të duhen bursa dhe financime në qendra kërkimore të sigurisë për të pasur mjaftueshëm kuadro dhe intelektualë në vendin tonë që të kuptojnë siç duhet sfidat bashkëkohore të sigurisë. Debatet për sigurinë në opinionin tonë publik ende dominohen nga të njëjtit njerëz që flasin edhe për mjedisin, çështjet gjinore dhe financat publike. Ndërkohë që do të duhej që të kishim kapacitete njerëzore shumë më të kualifikuara, pasi ne jemi një vend me sfida të brendshme sigurie, me probleme me fqinjët dhe nëpërmjet anëtarësisë në NATO pjesë e një loje globale të sigurisë.

 

Është e papranueshme që vendi ynë, në këtë fazë të zhvillimit ekonomik, të ketë vështirësi për të realizuar shërbime bazike të sigurisë në vend e të ketë nevojë për ndihmën e vendeve fqinje, sidomos kur bëhet fjalë për shpëtim-kërkim, katastrofa natyrore apo trajtim shëndetësor në trauma. Kështu, për shembull, kur ndonjë anije gjendet në vështirësi afër brigjeve tona, vijon të kërkohet ndihma te anijet italiane, ndërsa kur bie zjarri nëpër pyje në zona kufitare vijnë dhe na ndihmojnë në shuarjen e tyre avionët zjarrfikës të Greqisë apo Malit të Zi.

 

Me pak fjalë, anëtarësimi në NATO nuk duhet parë vetëm si privilegj, por edhe si përgjegjësi e obligim për të performuar më mirë në sektorin e sigurisë. Po ashtu, të qenët në NATO nuk është aspak garanci që të gjitha gjërat tona që lidhen me sigurinë do të zgjidhen në Bruksel. Shumë prej detyrave të shtëpisë ngelen përgjegjësi e jona dhe na takon neve që të dëshmojmë se e kemi merituar mirëbesimin e aleatëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama