Nju Jork tajms mbi nevojen e ballafaqimit me te kaluaren komuniste

Shkruar nga: Frank Shkreli  
Botuar më: 3 vite më parë

Frank Shkreli
Nju Jork tajms mbi nevojen e ballafaqimit me te kaluaren komuniste

Pardje, gazeta amerikane e njohur botërisht Nju Jork Tajms, botoi një artikull të gjatë mbi përpjekjet dhe nevojën për një frymë llogaridhënse në vendet  ish-komuniste të perdesë-së-hekurt.  Gazeta amerikane thotë se megjith ngurrimet, Polonia është vendi që ka vendosur se tani është koha për t’u përballur me punën e pa kryer në këtë fushë.  Sipas gazetës Nju Jork Tajms, Varshava ka ndërmarrë një seri  masash qeveritare llogaridhënse për shtypjet, spiunazhin dhe masakrat e bëra gjatë diktaturës komuniste.  Specifikisht, gazeta përmend vendimin e një gjykate polake muajin që kaloi, sipas së cilës udhëheqsit komunistë të atij vendi që imponuan qeverisjen ushtarake  në dhjetor të vitit 1981 ishin pjesë e një ‘’grupi kriminal’’.  Në artikull citohet Lukasz Kaminski, president i Institutit Polak të Kujtesës Kombëtare se rishikimi i kësaj historie është i rëndësishëm dhe urgjent , ‘’sepse për të mbrojtur veten në të ardhmen nga regjime të tjera totalitare, ne duhet të jemi në gjëndje të kuptojmë se si regjime tilla (totalitare) kanë vepruar në të kaluarën.’’

Edhe vende të tjera të Evropës Lindore  kohët e fundit kanë ndërmarrë masa  në nivele të ndryshme për t’u ballafaquar me  të kaluarën komuniste.  Burime të ndryshme të medias nga Evropa  Lindore kanë  njoftuar kohët e fundit , ashtu siç thekson edhe Nju Jork Tajms,  se përveç Polonisë edhe vende të tjera  të atij rajoni janë duke ndërmarrë masa  --në një mënyrë ose në një tjetër --  për tu përballur me një të kaluar ‘’që refuzon të harrohet’’,  duke përmendur përpjekjet e presidentit bullgar për të spastruar ambasadorët të cilët kanë shërbyer si agjentë të sigurimit komunist, miratimin e kushtetutës së re hungareze e cila  lejon marrjen e masave ligjore kundër ish-komunistëve,  dhe hapjen  kohët e fundit të një pavijoni të posaçëm në Shqipëri kushtuar abuzimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ndër të tjera masa që janë duke u marrë anë e mbanë Evropës Lindore.

Në lidhje me këtë atmosferë për lllogaridhënje anë e mbanë Evropës, është interesant të përmendet fakti  se të  djelën që kaloi  qeveria gjermane dhe dy partitë kryesore të opozitës njoftuan emërimin e ish aktivistit gjermano-lindor të të drejtave të njeriut, Joachim Gauck  në detyrën e presidentit të Gjermanisë së Bashkuar.  Joachim Gauck, një ish-prift protestan,  ishte kundërshtar i njohur i regjimit të atëhershëm komunist të Gjermanisë Lindore dhe pas ribashkimit të Gjermanisë ai kryesoi  për dhjetë vjetë agjensinë federale të atij vendi që merret me të kaluarën e dhëmbshme të veprimtarisë së sigurimit komunist  gjermano-lindor Stasi, agjensi këjo që lehtëson hetimet dhe ruan informatat dhe dosjet  e policisë së tmershme sekrete komuniste, Stasi nga manipulimet e mundshme. Gjatë punës së tij në këtë ent federal, Joachim Gauck  ekspozoi krimet e policisë sekrete Stasi.  Kancelarja e Gjermanisë  Angela Merkel, duke njoftuar emërimin e tij për president të Gjermanisë, u shpreh për median se ‘’Çështja më me rëndësi në jetën publike të Joachim Gauck ishte liria dhe përgjegjësia, dhe këjo është ajo që më lidhë mua me të, megjith ndryshimet  që mund të ekzistojnë midis nesh.’’ 

Presidenti i ardhëshëm gjerman e kundërshtoi regjimin komunist qyshë në moshë të re ndërkohë që një prej ngjarjeve më të vështira të jetës së tij ishte arrestimi i babait të tij nga sovjetikët më 1951 dhe më pastaj dërgimi i tij në një gullag internimi.  Në deklaratën që bëri për median me rastin e emërimit të tij për president,   Joachim Gauck  tha për median se ‘’e ndiente veten shumë të emocionuar, pasi një njëriut  i cili lindi në fillim të një lufte të tmershme dhe që u rrit nën një diktaturë 50-vjeçare, tani i kërkohet që të bëhet president.’’   Roli i presidentit  gjerman shërben kryesisht si një autoritet moral dhe Kancelarja Merkel tha se si i tillë ‘’ky burr do të luaj një rol të rëndësishëm në përballimin e sfidave të tanishme dhe në të ardhmen.’’

Trashëgimia komuniste paraqet gjithnjë probleme politike, morale e shoqërore për të gjitha vendet ish-komuniste, pasi sipas gazetës Nju Jork Tajms, në shumicën e rasteve ndryshimet e regjimeve komuniste nuk ishin ndryshime  të plota të sistemit komunist por ishin më tepër tranzicione të moderuara, ku autoritet komuniste qëndruan mënjanë, por duke vendosur kushte.   Shkrimtari polak Tadeusz Pluzanski, babai i të cilit ishte tortoruar nga policia sekrete komuniste, i tha Nju Jork Tajms-it se: ‘’Unë prisja një farë gjyqi të llojit Nuremberg për krimet e komunizmit.’’   Ndryshimi i regjimeve komuniste, tha ai, nuk mund të quhet revolucion, pasi ai  ‘’ishte vetëm një  proces transformimi.’’ 

Megjithë përpjekjet e tanishme për të zbardhur historinë  evropiane të 50-vjetëve të shekullit të kaluar, të përballurit me trashëgiminë  e diktaturave komuniste në Evropën Lindore, sipas anëtarit të bordit të Institutit Kombëtar Polak  të Kujtimeve, Antoni Dudek, ‘’Zakonisht i mbetet për detyrë një brezi të ri që të bëjë pyetjet’’, që tani mund të jenë të vështira për t’u bërë, pasi sipas gazetës Nju Jork Tajms, ‘’kalimi i kohës e bën më të lehtë ballafaqimin me të kaluarën dhe ndoshta më pak kërcënuese, por jo më pak urgjente për t’u zgjidhur.’’

Jep nj mendim mbi kt tem:

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi