New York Times - Perse grate nuk mund te jene kurre te parat

Vetë ajo është e bija e një nëne amerikane të bardhë dhe e një babai afrikan me ngjyrë. Në këtë vend, ku raca nuk mund të anashkalohet, ajo konsiderohet e zezë. Ka shërbyer si parlamentare për tetë vjet dhe është kthyer në një zë frymëzues për unitetin e kombit.

Tregohuni të ndershëm: Mendoni se kjo është biografia e dikujt që mund të zgjidhet në Senatin e SHBA-së? Pas më pak se një mandati atje, mendoni se mund të jetë e besueshme si kandidate për të kryesuar vendin më të fuqishëm në botë?

Nëse u përgjigjeni me "jo" të dyja pyetjeve, ka edhe shumë të tjerë si ju. Gjinia është ndoshta forca më kufizuese në shoqërinë amerikane, ndërsa çështja shtrohet se kush duhet të qëndrojë në kuzhinë dhe kush në Shtëpinë e Bardhë. Ky vend qëndron shumë poshtë në listën e vendeve që zgjedhin gratë, sipas një studimi, duke e polarizuar rolin e gjinive më shumë se në vendet me nivel mesatar demokracie.

Prandaj, edhe zgjedhjet paraprake në Iowa ndoqën modelin tonë historik të ndryshimit. Njerëzve me ngjyrë u është dhënë vota një gjysmë shekulli përpara se gra të çdo lloj race të lejoheshin të linin gjurmë në zgjedhje dhe në përgjithësi ata kanë ardhur në pushtet, që nga postet ushtarake deri në zyrat drejtuese, përpara çdo gruaje.

Nëse juristja e përshkruar më lart do të kishte qenë po aq karizmatike, por e quajtur le të themi Achola Obama në vend të Barak Obama, do t‘ia kishin ngrënë arrat me kohë. Në fakt, as ajo dhe as Hillari Klinton nuk mund të kishin përdorur stilin publik të Barak Obamas dhe as të Bill Klintonit, pa rrezikuar të konsideroheshin si tepër emocionale nga "ekspertët" e Uashingtonit.

Pra, përse pengesa gjinore nuk merret aq seriozisht sa edhe ajo raciale? Arsyet janë po aq të prekshme sa edhe ajri që thithim, sepse seksizmi vazhdon të ngatërrohet me natyrën, siç ndodhte dikur me racizmin, sepse asgjë nga ato që u përkasin meshkujve nuk shihen me po aq seriozitet sa ato që prekin "vetëm" gjysmën femërore të racës njerëzore, sepse fëmijët vazhdojnë të rriten kryesisht nën kujdesin e nënave (po ta themi disi të zbutur), kështu që burrat kanë veçanërisht tendencën të ndihen se po i kthehen fëmijërisë, kur kanë të bëjnë me një grua të fuqishme apo autoritare, sepse racizmi i portretizon burrat me ngjyrë si më "mashkullorë" dhe sepse nuk ekziston ende rruga e "duhur" për të qenë një grua në krye të pushtetit, pa u konsideruar si një "e di ti se çfarë".

Unë nuk po bëhem avokati i më të fortit në garë. Sistemi i kastave të gjinisë dhe racës janë të ndërvarur dhe mund të çrrënjosen vetëm së bashku. Prandaj, edhe senatorët Obama dhe Klinton duhet të tregohen të kujdesshëm për të mos e lejuar një debat të shëndoshë të degjenerojë në një lloj armiqësie për të cilin media "vdes". Lëvizjet abolicioniste dhe për të drejtën e votimit njohën progres vetëm kur u bashkuan dhe u dëmtuan nga ndarja, këtë nuk duhet ta harrojmë.

Unë e mbështes senatoren Klinton, sepse ashtu si senatori Obama ka eksperiencë si organizatore komuniteti, por ajo ka edhe më shumë vite në Senat, ka një trajnim tetëvjeçar të paprecedent për këtë detyrë në Shtëpinë e Bardhë, nuk i duhet të provojë maskulinitetin; ka potencialin për t‘i hapur rubinetin një rezervuari të madh me talente të këtij vendi nëpërmjet shembullit të saj dhe tani edhe kurajon për të thyer rregullin e të mos derdhurit lot. Nuk jam kundër Obamës, nëse do të nominohet. Do ta mbështes vullnetarisht. Në fakt, po të shikoni votimet gjatë periudhës së mbivendosjes dyvjeçare në Senat, ato kanë qenë njësoj në 90 për qind të kohës. Për më tepër, për të rregulluar rrëmujën e lënë pas nga Presidenti Bush, do të na duhen ndoshta dy mandate të Presidentes Klinton dhe dy të Presidentit Obama.

Por, ajo që më shqetëson mua është se ai konsiderohet si unifikues nga raca e tij, ndërsa ajo si përçarëse nga gjinia e saj.

Ajo që më shqetëson mua është se ajo akuzohet se "po luan me kartën e gjinisë", po të citojmë meshkujt me përvojë të klubit, ndërsa ai shihet si unifikues, për shkak të citimit të konfrontimeve për të drejtat civile.

Ajo që më shqetëson mua është se votuesit meshkuj në Iowa konsiderohen si pa gjini, kur mbështesin njërin prej të tyreve, ndërsa votueset femra konsiderohen si të njëanshme, kur e bëjnë dhe të pabesa kur nuk e bëjnë.

Ajo që më shqetëson është se gazetarët e injorojnë varësinë e Obamas nga e vjetra, për shembull krahasimet e shpeshta në fushatë me Xhon Fizxherald Kenedi, megjithëse senatori Eduard Kenedi mbështet senatoren Klinton, ndërsa nuk e sfidojnë shpifjen se politikat e saj progresive janë pjesë e staus quo-së së Uashingtonit.

Ajo që më shqetëson mua është se disa gra, ndoshta ato më të reja në moshë, shpresojnë ta mohojnë ose t‘i shpëtojnë sistemit të kastës gjinore: kështu gratë e Iowas mbi 50 dhe 60 vjeçe që mbështetën fuqishëm senatoren Klinton, provuan edhe një herë se gratë janë i vetmi grup që bëhet edhe më radikal me kalimin e moshës.

Ky vend nuk mund ta përballojë më zgjedhjen e liderëve tanë nga një grup talentesh të kufizuar nga seksi, raca, paratë, baballarët e fuqishëm. Ka ardhur koha të jemi krenarë për prishjen e të gjitha këtyre pengesave. Ne duhet të jemi në gjendje të themi: "Po e mbështes atë, sepse do të jetë një Presidente e shkëlqyer dhe sepse është grua".

Marre nga : Gazeta Shqip

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama