Protesta policia blindon Tiranen

Protesta, policia 'blindon' Tiranen
Ministri i Brendshëm tregohet i ashpër në prag të protestës popullore që pritet të mbahet sot në Tiranë. Ai ka deklaruar se të gjithë ata që do të shkelin ligjin do të përballen me ndëshkimet përkatëse, ndërkohë që policia ka “blinduar” Tiranën, duke futur në lojë edhe forcat speciale. Qindra forca policie në Tiranë, me uniformë dhe pa uniformë kanë nisur gatishmërinë e tyre prej dy ditësh, ndërkohë që një fushatë pastrimi ka nisur prej disa ditësh, jo vetëm në kryeqytet, por në mbarë vendin.

Ministri i Brendshëm, pas një takimi dje në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka deklaruar se policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës popullore, të organizuar edhe me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj në opozitë. Por, Lulzim Basha nuk ka dashur të specifikojë masat e marra, pavarësisht se nga burimet policore mësohet se të angazhuara do të jenë rreth 1500 forca policore. Madje, të njëjtat burime shpjegojnë se 800 forca policie do të dislokohen në vendin, ku do të jenë tubuesit, me qëllim për të mbajtur nën kontroll turmën, nga frika e ndonjë sulmi vandal ndaj institucioneve, sidomos kur duket se irritimi është shumë i lartë.

Nga 800 punonjësit e policisë, pjesa dërmuese do të jenë me uniformë dhe të tjerët civilë, por me dokumente të dukshme që janë punonjës policie. Gjithashtu, në këtë grup mësohet se do të jenë punonjës policie të Drejtorisë së Tiranës, si dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Ndërkaq, punonjës të tjerë të policisë do të angazhohen me shoqërimin e turmave, që priten të vijnë nga rrethet, për në vendin, ku do të zhvillohet tubimi. Veç tyre, do të angazhohen edhe punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor, si nga njësia rajonale e Tiranës, ashtu edhe nga Drejtoria e Policisë Rrugore, në Drejtorinë e Përgjithshme me strukturat e veta speciale. Policia rrugore do të merret me mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor dhe do të kujdeset për mosbllokimin e trafikut në të gjitha rrugët e kryeqytetit, ashtu siç ndodh rëndom në rastet e protestave, ku edhe ambulancat e kanë tejet të vështirë për të qarkulluar, pavarësisht emergjencave. Por, këto nuk janë të vetmet struktura të përfshira në masat e ditës së sotme.

Një rol të veçantë do të ketë edhe reparti special i policisë, RENEA, e cila do të dislokojë forcat në disa pika kyçe të Tiranës, sidomos pranë institucioneve shtetërore dhe në pika të larta të kryeqytetit, pavarësisht se policia nuk e ka pranuar përfshirjen e tyre në këto masa. Snajperët nuk do të mungojnë, të cilëve do u bashkëngjiten edhe forcat e Gardës së Republikës, që do të marrin në mbrojtje institucionet shtetërore. Plani i masave pritet të drejtohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm në terren, por nuk përjashtohet edhe mundësia për angazhim të vetë ministrit Basha. Ndërsa për mbarëvajtjen dhe kontrollin e territorit të Qarkut të Tiranës, jashtë objektit të tubimit, do të ketë shumë pak forca policore në dispozicion, por që do të jenë në lëvizje të vazhdueshme, me qëllim parandalimin e ndonjë krimi. Bashkë me policinë, pritet që në terren të jenë edhe punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama