Talentet shqiptare rikthehen ne shtepi

Talentet shqiptare rikthehen ne shtepi
Disa nga talentet shqiptare që provuan të luajnë jashtë, të tillë si Emiljano Vila, Gilman Lika, Bekim Balaj, Xhevahir Sukaj tashmw janë kthyer në shtëpi. Së fundi, kësaj liste pritet t'i shtohet edhe Jahmir Hyka, një tjetër futbollist i talentuar, por që mesa duket edhe ky nuk mundi të çajë më jashtë shtëpisë, edhe pse provoi Norvegjinë, Gjermaninë dhe Greqinë.

XHEVAIR SUKAJ

Xhevair Sukaj është aktivizuar në Shqipëri me vetëm dy klube: Vllazninë (ekipin ku është formuar) dhe Elbasanin, por trupi i sulmuesit shkodran ka veshur fanellat e katër ekipeve të huaja, e që u përkasin tre shteteve: Turqisë (2 ekipe), Egjiptit dhe Kroacisë. Në 4 gusht të vitit 2008, Xhevair Sukaj, një sulmues premtues i Vllaznisë, u transferua në Turqi te Hacettepe, së bashku edhe mbrojtësin Admir Teli dhe mesfushorin Gilman Lika. Futbollisti i Shpresave e i Kombëtare shqiptare u aktivizua në pjesën e parë të sezonit te klubi turk Hacettepe, duke zhvilluar 8 ndeshje, por pa shënuar asnjë gol. Teli u largua nga Hacettepe, më 7 janar 20109. Një ditë më pas, më 8 janar të vitit 2009, ai nënshkroi një kontratë gjashtëmujore me presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj. Ky ishte dhe rikthimi i tij i parë. Pas përfundimit të sezonit 2008-2009, për të u fol në se ishin të interesuar për të Herta e Berlinit Kaizerslauterni, Sllavia e Sofjes dhe Hansa Rostok, madje te kjo e fundit shkoi madje për provë, por pa firmosur dot. Më 30 gusht të vitit 2009, Orduspori u bë stacioni i dytë turk për Xhevair Sukajn. Me këtë skuadër luajti vetëm fazën e parë: 10 ndeshje, 2 gola. Prishi kontratën me këtë ekip, më 4 janar 2010. Më 20 janar të vitit 2010, sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj, firmosi gjatë merkatos dimërore një kontratë "faraonike" me klubin elitar egjiptian, Al-Ismaili (u fol se shuma e transferimit kapi vlerën e 1.1 milionë eurove, Sukaj do të merrte 366 mijë euro në sezon). Sukaj qëndroi thuajse në stol, pasi luajti vetëm 3 ndeshje me ekipin egjiptian. Në 27 korrik të vitit 2010, Xhevari Sukaj u transferua në Kroaci te NK Zagreb. Gjashtë muaj më pas, Sukaj prishi kontratën me klubin kroat, ndërkohë që i ka hedhur ata në gjyq, në FIFA, për shkak të mos pagimit të tij. Në ditët e para të janarit të këtij viti, Xhevair Sukaj firmosi për Vllazninë. Një rikthim në shtëpi. Shtëpi, e ëmbla shtëpi.


GILMAN LIKA

Mesfushori shkodran Gilman Lika tashmë është pjesë e Tiranës, por aventura e tij jashtë Shqipërisë, kurrsesi nuk mund të quhet e suksesshme për lojtarin e Kombëtares shqiptare (11 ndeshje). Në 4 gusht të vitit 2008, anësori i Vllaznisë, Gilman Lika, u transferua në Turqi te Hacettepe, së bashku edhe mbrojtësin Admir Teli dhe mesfushorin Gilman Lika. Një paraqitje mesatare me Hacettepenë (19 ndeshje/4 gola), për të kaluar pas një viti te Boluspori i kategorisë së dytë turke (23 ndeshje/7 gola). Problemet financiare të klubit u bënë shkak që Lika të kalojë te Diyarbakırspor. Tani ai është te Tirana, ekipi i tij i dytë në Shqipëri, pas Vllaznisë.

EMILJANO VILA

Më 19 qershor 2009, Emiljano Vila u transferua nga Teuta te Dinamo e Zagrebit në Kroaci për shumën e 200 mijë eurove. Pas përgatitjeve me klubin më të famshëm kroat, durrsaku u huazua te ekipi satelit i Dinamos, Lokomotiva, për të mbërritur në janar të vitit 2010 te Dinamo e Tiranës, e për të vazhduar akoma dhe sot aty. Vila konsiderohej një nga talentet e rinj të futbollit shqiptar dhe ka fituar një vend në Kombëtaren shqiptare. Një rikthim i hidhur.

BEKIM BALAJ

Më 16 qershor të vitit 2010, sulmuesi i ri shkodran, Bekim Balaj, një nga zbulimet e sezonit 2009-2010 (19 vjeç, 17 gola në të dy kompeticionet, kampionat e kupë), fitues i trofeut "Talenti më i ri i vitit 2010", u transferua në Turqi te skuadra turke Gençlerbirligi me Vllazninë, që përfitoi 250 mijë euro. Lojtari i Kombëtares U-21 firmosi një kontratë 5-vjeçare. Përgatitje me skuadrën e parë, por aktivizim me ekipin e dytë. Vetëm katër herë në 18-she, një ndeshje në kampionat (disa minuta) dhe një në Kupën e Turqisë. Shumë pak. Balaj vendosi të prishë kontratën me klubin turk, me të cilin aktivizohen edhe kosovarët Debatik Curri dhe Labinot Harbuzi. Rikthim në Shqipëri. Për ta nisur edhe njëherë tjetër nga shtëpia.

JAHMIR HYKA

I konsideruar si një nga lojtarët shqiptarë më virtuozë të viteve të fundit, Jahmir Hyka, është pranë rikthimit në shtëpi: te Tirana. Fantazisti i Kombëtares shqiptare dhe autorit i golit më të shpejtë në historinë e përfaqësueses (pas vetëm 46 sekondash, në një miqësore kundër Lihteshtejnit) ka një eksperiencë të hidhur jashtë Shqipërisë, ku nuk ka mundur të çajë dhe të tregoj aftësitë e tij. Pas eksperiencave me Rozenborgun e Norvergjisë në vitin 2006 (për të cilin shënoi një gol ala-Lionel Mesi, me një sllallom të gjatë) dhe Olimpiakosin e Pireut (2007) në Greqi (në fakt, u aktivizua me ekipin e dytë), Hyka luajti te Tirana (2007-2008). Pas një superloje në miqësoren Poloni-Shqipëri (27 maj 2007), Hyka ja doli të transferohej në Gjermani te Mainc 05, atëherë në Bundesligën 2, me një shumë astronomike për një lojtar të ri shqiptar, dhe për më tepër nga kampionati shqiptar: 3 milionë euro dhe një kontratë 4-vjeçare. Për shkak edhe të konkurrencës së fortë dhe politikës së klubit gjerman, aktivizimi i tij ishte shumë i pakët, sidomos kur Mainci u ngjit në Bundesligën 1. Sidoqoftë, një kujtim i bukur për të mbetet aktivizimi në fitoren kundër Bajernit të Munihut. Më 2 gusht të vit 2010, Hyka u tranferua në Greqi te Panionos, për shumën e 150 mijë eurove. Jahmir Hyka ishte një emër i njohur në futbollin grek, pasi 22 vjeçari ishte pjesë e ekipit të dytë të Olimpiakosit në sezonin 2007-2008, përpara se të huazohej te Tirana e të kalonte përfundimisht te Mainz 05. Shumë pak minuta me Panionosin (8 ndeshje), ekipin ku më parë kishin luajtur dhe Foto Strakosha, Arjan Bellaj, Sulejman Demollari dhe Hamdi Salihi. Te Panionosi luan dhe lojtari i Kombëtares U-19, sulmuesi Vasil Shkurtaj (18 vjeç, 190 cm).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama