Lindja permireson trurin e grave

Lindja permireson trurin e grave
Është njëlloj si një Big Bang emotiv. Pas një lindjeje, asgjë nuk është si më parë. Koka, zemra, trupi mendimet vërtiten rreth asaj qenieje të vogël që sapo ka dalë në jetë e që kërkon gjithçka nga ty: ushqim, dashuri, ngrohtësi, buzëqeshje. Do s’do, do t’i bësh të gjitha ato që ai kërkon, jo sepse ndihesh i detyruar, por sepse e ndjen ta bësh diçka të tillë. Gjithçka mund të ndodhë kur lind një fëmijë. Nënat, zakonisht në këtë fazë, që zgjat nga muajt e parë të jetës deri në vitet e para të jetës së fëmijëve, duket sikur nuk kuptojnë më asgjë, janë krejtësisht të dhëna pas një roli të ri që përfshin djepin, hapat e para apo fjalët e para të fëmijës që kanë sjellë në jetë. Duket sikur truri i grave, edhe i atyre që e kanë vuajtur shumë mëmësinë, pëson një metamorfozë psikofizike, që edhe pse flitet shumë, por nuk ka studime të mirëfillta, karakterizohet në shumicën e herëve nga një paragjykim negativ.

Të burgosurat e një stuhie hormonale, që sipas bindjeve të zakonshme është shumë e vështirë të çlirohen, gratë e bëra nëna bëhen më pak të besueshme për punën (mjafton një temperaturë dhe ikin me vrap në shtëpi pa pyetur për pasojat), më pak të disponueshme drejt bashkëshortëve dhe gjithmonë të zjarrta në debatet çerdhe, babysiter, ushqimi, gjumi e të kuptueshme si kurrë më parë. A janë këto të gjitha të vërteta? Ndoshta pjesërisht, por leximi i këtyre simptomave duhet bërë në të kundërt, siç tregon një studim i bërë nga shkrimtarja dhe gazetarja Katherine Ellison, me titull: “The mommy brain. How motherhood make us smarter”. Një libër shumë i zjarrtë që çmonton pjesë pas pjese mendimet e gabuara mbi mëmësinë, që duke u bazuar në disa studime shkencore tregon se të bësh një fëmijë, i bën gratë më inteligjente dhe të afta të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht.

Vetë shtatzënia modifikon trurin e tyre, dhe oksitocina, hormoni kryesor i lindjes, stimulon kapacitete sociale dhe produktive që të njëjtat gra, para se të bënin një fëmijë nuk mendonin se i kishin. Sigurisht që është e vërtetë se nënat e reja janë pak të shpërqendruara, dhe vendosin pastën e dhëmbëve në frigorifer, vdesin për gjumë dhe lënë të tjera gjëra pa bërë, por kjo ndodh sepse janë të angazhuara në diçka tjetër më të rëndësishme dhe truri i tyre seleksionon prioritetet. Një revolucion i vërtetë, me pak fjalë, që synon t’i kthejë amësisë kuptimin e saj të vërtetë. Gjithçka përmbys atë çka mendohej se, pa lindjes gratë ndihen më të vetmuara dhe bien shumë në peshë. Kësaj teme, potencialit të pabesueshëm të mendjes së nënave, i kishte kushtuar një libër dy vjet më parë edhe Massimo Ammaniti, profesor i psikopatologjisë së zhvillimit në universitetin “La sapienza” të Romës dhe një psikanalist i famshëm.

Aty ai tregonte për metamorfozën emotive dhe kimike të mendimit femëror, që shoqëron shtatzëninë dhe lindjen e një fëmije, ku emocionet janë të njëjta me një histori dashurie shumë të fortë dhe romantike.  “E njoh librin e Katherine Ellison dhe kërkimit të cilit i referohet, në veçanti atij të Universitetit të Yale. Është një fill i ri mendimi që tregon se ajo që ndodh gjatë shtatzënisë, se ajo që aktivizohet në qarkun cerebral të nënave, qëndron në inteligjencën femërore, d.m.th duke i zgjeruar aftësisë e tyre në të gjitha fushat. Nga ana tjetër, gratë në muajt që pasojnë lindjen duhet të përgatiten për detyra të reja, të interpretojnë nevojat e fëmijës së porsalindur, dhe të shkojnë përtej asaj që ato kanë treguar se dinë të bëjnë.

Pastaj ky trajnim fenomenal bëhet inteligjencë emocionale, plasticitet, aftësi për lidhje të reja. Të gjithë elementë që merren gjatë kësaj kohe, më pas tregohet se janë të çmuar edhe në botën e punës”. Nga ana tjetër, Silvia Vigetti Finzi, psikoanaliste dhe autore e disa librave shumë të rëndësishëm për fëmijët, tregon se “ardhja në jetë e një fëmije është ndoshta eksperienca më e bukur që një grua mund të provojë në jetën e saj, ndaj është e pashmangshme që me mëmësinë gruaja të fitojë aftësi të reja të panjohura më parë.

Megjithatë, duket se sot kjo inteligjencë e jashtëzakonshme emotive ‘mbytet’ nga vështirësitë për të krijuar familje. Përkundrazi, sot sheh prindër që janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj gjëje për të pasur një fëmijë në çfarëdolloj moshe. Sigurisht, mjafton të dëgjosh atë se çka thonë ato, se sa e vështirë është të rrisësh një fëmijë, por kjo i bë ato që të përballen me situata nga më të ndryshmet”. Me pak fjalë, të qenit nënë përmirëson ndjeshëm aftësitë tona emotive, por nga ana tjetër sjell edhe disavantazhe ekonomike dhe sociale. Sipas Chiara Volpatos, profesoreshë e psikologjisë sociale në universitetin ‘Bicoca’ të Milanos, kur bëhesh nënë kupton që të ardhmen e sheh me një sy tjetër, sepse janë pikërisht edhe fëmijët që i shtyjnë ta bëjnë këtë. Është e pabesueshme se si ndryshon kapaciteti produktiv pas lindjes. Këto studime, që më në fund vlerësojnë mendimin e nënave, janë vërtet të rëndësishme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama