Edhe cudirat nuk kane te sosur

Edhe cudirat nuk kane te sosur
Binjakët me baballarë të ndryshëm, një grua që mbajti në bark për 46 vjet “fëmijën” e saj të vdekur, një tjetër që lindi 8 fëmijë apo burri që u zgjua nga koma pas 19 vjetësh. Histori të pabesueshme, por të vërteta që mjekësia është përballur këto vitet e fundit.

Në janar të vitit 2009, Nadia Suleman, një grua kaliforniane, nënë e 6 fëmijëve lindi edhe 8 të tjerë. Gjatë ekografisë së fundit, vetëm 7 prej tyre ishin të dukshëm. Por në momentin e lindjes doli në dritë edhe fëmija i tetë. Një ekip prej 46 personash, mes mjekëve dhe infermierëve ndihmoi Nadian të linte fëmijët e saj brenda 5 minutash, plot nëntë javë e gjysmë më parë nga data e parashikuar për lindje. Fëmijët ishin në gjendje të mirë dhe peshonin nga 820 gram deri në 1,54 kg. Sipas mjekëve kjo shtatzëni e pazakontë është shkaktuar nga trajtimi i fertilitetit të cilës nëna i ishte nënshtruar. Në SHBA deri në atë kohë nuk kishte ndodhur që një grua të sillte në jetë plot 8 fëmijë.

Qeni që nuhati kancerin

Thuhet se qentë janë të aftë ta nuhasin kur padroni i tyre sëmuret. Një studim i shfaqur në vitin 2006 në “Integrative Cancer Therapies”, ka treguar për sistemin nuhatës të qenve në raste të sëmundjeve të tilla si kanceri. Testet në fakt kanë treguar se në prani të njerëzve të shëndetshëm dhe të tjerëve të sëmurë nga kanceri, disa qen janë në gjendje të dallojnë të sëmurët nga era e urinës dhe frymëmarrja. U bënë eksperimente me qentë në prani të personave të sëmurë me kancer në gjoks, mushkri, lëkurë dhe veshka. Rezultatet kanë qenë befasuese: për sa i përket kancerit të mushkërive qentë e nuhatën në 88 për qind të rasteve, përqindje që për sa i përket kancerit të gjirit arrinte në 97 për qind. Kjo mund të shpjegohet nga fakti se mund të ketë elemente të kësaj sëmundjeje lehtësisht të dallueshme nga kafshët shtëpiake. Sipas specialistëve bëhet fjalë për një studim interesant që mund të hapë rrugë të reja në kërkimet për këtë sëmundje.

Vajza me dy zemra

E lindur me një kardiomiopati (sëmundja e muskolit kardiak), Hannah Clark-ut, që sot është 17 vjeç, iu desh t’i nënshtrohej një transplanti në zemër në vitin 1995. Që nga ai moment, në gjoksin e  saj, një zemër e transplantuar ndihmonte atë të sëmurën të pompojë gjakun në organizëm. Pikërisht kështu, Hanna jetoi me dy zemra. Pastaj papritur, pas disa vjetësh, trupi i saj e refuzoi transplantin. Në vitin 2006, kirurgët eksperimentuan te Hannah një operacion që nuk ishte realizuar kurrë më parë: hoqën zemrën e dytë dhe kontrolluan nëse zemra e vërtetë e vajzës ishte në gjendje të funksiononte vetë. Si një mrekulli, ajo funksionoi.

Zemra e Hannah kishte mundur të çlodhej për disa vjet, duke u forcuar dukshëm: tani ishte në gjendje të niste punën e vetme.
Të zgjohesh pas 19 vjetëve në koma

Në vitin 1988, Jan Grzebski, një punonjës hekurudhash polak ra në koma, pasi u shtyp nga një tren. Për plot 19 vjet ka jetuar në një koma të thellë dhe mjekët ishin shumë skeptikë mbi faktin nëse do e merrte veten apo jo. Por në 2007-n, një ditë të bukur Grzebski u zgjua. Elementi më i mrekullueshëm i kësaj historie ishte se Jan mundi të tregonte “komën” e tij: “Kam parë gjithçka, kam ndier gjithçka edhe kur mjekët më thoshin se kam vetëm një muaj jetë dhe se nuk do të zgjohesha kurrë nga koma. Por nuk mund  të reagoja”.

Një fëmijë brenda tjetrit

Në vitin 2008, vogëlushja Fatoumata, një fëmijë maliane 8 muajshe iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal për të hequr fetusin “parazit” që e pengonte të rritej. Bëhet fjalë për një rast të ashtuquajtur “foetus in foetu”: një anomali shumë e rrallë në zhvillimin e embrionit, në trupin e të cilit vendoset një fetus binjak jo i plotë. Fetusi i dytë zhvillohet pjesërisht brenda trupit të tjetrit. Ai mund të peshojë disa kilogramë duke bërë që mjekët në fillim të mendojnë për ndonjë tumor ose ndonjë kist. Pjesa më e madhe e rasteve te “foetus in foetu” zbulohen që në lindje dhe nga kjo patologji preket një fëmijë në 500 000 të tillë. Për të hequr këtë fetus të paplotë nga trupi i fëmijës është i nevojshëm operacioni. Sipas mjekëve, ky fenomen i njohur edhe si “homonculus”, shkaktohet nga një shtatzëni me dy binjakë evolucioni i së cilës ka qenë anormale dhe përfundon me përfshirjen e një fetusi brenda tjetrit.

Shtatzënë për 46 vjet

Në vitin 2002, një grua marokene 75-vjeçare u shtrua në spital, pasi kishte dhimbje të forta barku. Gjatë operacionit në bark, mjeku zbuloi se në trupin e saj ishte një fetus i fosilizuar që qëndronte aty prej 46 vjetësh. I vdekur gjatë shtatzënisë, fetusi ishte kalcifikuar në barkun e gruas dhe trupi i kësaj të fundit në vend që ta refuzonte ishte përshtatur me prezencën e tij. Këto raste hasen shpesh te gra që jetojnë në kushte të vështira dhe nuk u nënshtrohen kontrolleve mjekësore. Sot në Perëndim nuk ndodh më diçka e tillë.

Binjakët me baballarë të ndryshëm

Binjakë që kanë baballarë të ndryshëm? Duket si diçka e pamundur. Por në të vërtetë nuk është kështu, sepse edhe kjo mund të ndodhë. Natyra na rezervon surpriza të pakëndshme. Një vitin 2009 një grua e re e befasuar nga diferenca e ngjashmërive mes dy fëmijëve të saj binjakë vendosi që t’u bënte analizën e ADN-së. Rezultatet treguan se fëmijët ishin ngjizur me dy baballarë të ndryshëm. Gruaja e re e pranoi se kishte pasur dy raporte të pambrojtura seksuale në një diferencë prej disa orësh nga njëri-tjetri. Rezultati: të dyja vezët u fekonduan nga spermatozoide që u përkisnin burrave të ndryshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama