Kosove flit turqisht dhe je i nderuar!

Kosove, flit turqisht dhe je i nderuar!
Në Prizren, qytetin më të zhvilluar ekonomik të Kosovës, jeta lëviz ngadalë por gjithsesi më shpejt se në qytete të tjera. “Aristokracia” e qytetit bën jetën e saj të patrazuar, por në vend të sjelljeve të stërholluara të salloneve ka zgjedhur turqishten si mjet identifikimi. Nëse nuk e njeh mirë gjuhën dhe nuk e ke pjesë të leksikut tënd, atëherë harroje: Je vërtetë i prapambetur

Në Vermicë, pak më tej pikës kufitare, një djalë nga Kukësi nuk mund të vozisë më andej. Ka marrë disa tip pampersa për fëmijë nga Prizreni, por policia e Kosovës nuk e lë të kthehet. A po forcohen rregullat mes dy vendeve?! “Është bërë keq”, na thotë. “Nuk të lënë më dhe po e teprove pak, atëherë ke probleme. Ka të tjerë që manovrojnë, por mua, s’ma bënë të gjatë”. Dy djem kuksianë, që na shoqërojnë deri aty, e dëgjojnë të patrazuar djalin e mbuluar si street-boys me kapuçin e trikos deri pak mbi në sy. Është ftohtë. Dimër.

 Furgonat e shpeshtë të kësaj dite, që kalojnë atypari nga Kukësi ose vice-versa nga Prizreni, janë më të ralluar. Në një vend të hapur, poshtë shiut të shtruar, që sapo ka filluar dhe plot tre orë e gjysmë larg Tiranës, askush nuk i përgjigjet shenjës së autostopit tonë. Ndërrojmë vendin. Është Jutta, që bën shenjë dhe gjithçka ndryshon. Shoferi i parë është qytetar, por i larguar prej kohësh në Zvicër. “Erlamdurillah...”. “Shyqyr, bajagi, mirë”, i përgjigjet pyetjes sonë, sesi po kalon. Është prej kohësh andej dhe ka ardhur do kohë me i pa robt e vet. Nuk e kuptoj mirë ndërsa ai duket se e gjen gjuhën më mirë, kur flet pastaj gjermanishten e Zvicrës me Jutta-n. Në fakt, në Prizren, përkundrejt një pjese të madhe që e flet mrekullisht shqipen, një pjesë tjetër, që banojnë aty, duket se është duke e eksperimentuar gjithmonë më shumë me të. Zyrtarisht, gjuha e dytë e njohur në qytet është vërtetë turqishtja, kurse serbishtja ose boshnjakishtja është shtyrë edhe zyrtarisht e treta. Për ata që janë aty s’është aspak çudi ky listim i gjuhëve, por për udhëtarin, që kujton se serbishtja ka vendin e dytë, ka disi stepje...

Në Prizren

Eh, për shqiptarët s’është më asgjë. Serbëve u ka humbur gjithçka dhe po të mos ishte trashëgimia e shquar fetare, atëherë, ata pak serbë të panjollosur nga Lufta, që kanë filluar të vijnë pa u ndjerë, do të barabiteshin me numrin e të huajve të administratave. Pak javë më parë, u bënë rreth 1000 syresh, por kuptohet ardhur nga Beogradi dhe qytete të tjera serbe drejt Kishës së “Shën Gjergjit” në Prizren, ku u bë shugurimi i kreut të Dioqezës Rashkë-Prizren, peshkopit Teodosije, në prani të ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq (në mos gaboj i lindur në Prizren), ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq; ai i Fesë, Bogoljub Shijakoviq dhe cazë zyrtarë të tjerë nga Serbia. Kaq mund të bëhet në kohën më të mirë nga ana e pjesës serbe. Pas kësaj, askush s’do t’ia dijë më për ta. Kur vërtetë pak kohë më vonë, mundohem të sqarohem me Arlindin, atëherë kuptoj atë që më kanë thënë për turqishten dhe sesa e vështirë është të kuptohesh me atë pjesë të komunitetit shqiptar, që flet turqisht. E kuptoj gjithnjë e më shumë me vështirësi, ndërsa kalojnë minutat, Arlind Karahodën, 37 vjeç. Ai, vetë, i futur në një zgëqe, poshtë një ndërtese, i ka gjetur punë të re vetes. Është teknik kompjuteri dhe me këtë bën jetën e tij tani. Jo vetëm flet shqipe shumë të rëndë, por shumë shpesh nuk e gjen dot fjalinë e duhur, kur fillon e preket.

Rebusin ma zgjidh shoku i tij: në shtëpi flasin turqishten. Si turqisht? - i them. “Ka dosen që e flasën shumë turqishten, këtu. Ka qenë prej okupatorit”, -më sqaron burri, që më ka përcjellë tek ai. Arlindi, që ka në paperwall një stemë të UÇK-së, e merr veten ngadalë. Ka vetëm një këmbë, ndërsa tjetra bashkë me një përqindje të madhe plagësh të trupit është suvenir i Luftës, ku ai luftoi në kuadër të Komandës së Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Ka pezm, por kur qetësohet më shpjegon se turqishtja, jo vetëm është një gjë e zakonshme, por edhe se prizrenasit e vjetër e flasin rregullisht atë. Kur emocionohet prej gjendjes së tij, gati e ka të pamundur të më sqarojë më në shqip. Pak më tutje, atje ku gjindja është më e madhe, turqishten e has më shpesh. Ka shumë të papunë, siç është normale në Kosovë dhe kafenetë janë gjithnjë e më boll. Ndaj, mund ta ndiesh më së shpeshti. Në argumentin tonë, prizrenasit kanë gjithkund shenjat e mbetura të turqizmit. “Ejvallah është kudo, kur do të bësh një punë”, -më thotë dikush, që na shoqëron dhe që është pas lufte i papunë. “Ejvallahah...Jo bereqavers”, -na e pret një kamerier, jo shumë larg qendrës.

Pak fjalë për Prizrenin

Prizreni me të 110.000 banorët e tij lidhej me një rrugë të shquar alpine me Shqipërinë e Veriut. Ana e Prizrenit, bazeni i Prizrenit ose Rrafshi i Dukagjinit, si thërritej, kufizohet me Komunat e Gjakovës, Rahovecit, Suharekë, Shtërpcës dhe Dragashit, si dhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Gati 400 metra mbi nivelin e detit dhe duke u shkallëzuar deri në 2000 metrat e malit të Sharrit, ajo është pjesë e një klimë të shumëllojshme. Falë ndërthurjes së klimës mesdhetare me derivatet e tjera të nënklimave, këtu lidhen prodhimet e para në zonat më ulëta: Hardhia e rrushit, pemët dhe perimet e ndryshme. Shqiptarët e Kukësit për një farë kohe të madhe shpëtuan, prej ekzistencës së këtij tregu të madh, vetëm një orë larg tij.

Komuna e Prizrenit përbën komunitetin më heterogjen etnik dhe kulturor në Kosovë. Ajo ishte shtëpia historike e mbretërve sllavë, ndërsa në shekullin XV u zëvendësua nga pushtimi osman. Për shkak të pozicionit, qyteti ishte në kryqëzimin e rrugëve për në Perandorinë e Lindjes. Kuptohet, se shpejt, u bë një nga qytet më të mëdha otomane. Popullsia e besimit të krishterë u zëvendësua, por në shekullin XVII, qyteti u mor nga austriakët me ndihmën e serbëve. Ripushtimi i otomanëve, bëri që të zhvendoset, një pjesë e madhe e popullsisë së krishterë. Sot ajo, veç shqiptarëve, ka një komunitet të tërë boshnjakësh, turqish dhe romësh, ndërsa gjuha e folur veç shqipes është turqishtja, që sot flitet dhe nga ata që nuk janë aspak të këtij komuniteti.

Bëju turk që të mos paragjykohesh

Kjo, po bëhet, një si biçim mode, që po e përçudnon qytetin, më thotë një mik, teksa e kemi lënë Arlindin. Dikush më thotë se ka prirje, që t’ua mësojnë fëmijëve që në vogëli, dhe më parë i vogli rritet pa e ditur shqipen, duke marrë kulturën e një gjuhe që s’është fare e tij. Dua ta konfirmoj, por këtë harroje. “Është gjuhë zyrtare dhe nuk ke pse çuditesh, që për t’i shpëtuar okupatorit dhe ne e përdorim si gjuhë mirëkuptimi, dhe që e ndjejmë shumë”, -më thotë një i ri, që është mësues, por që s’do të fotografohet. Kujtoj sesi një kolegu ynë gazetar nga një fshat i Prizrenit e quante veten të huaj në qytet, jo thjesht se ishte nga fshati, por sepse prej kohësh aty, çdo gjë bëhej turqisht. Ndërsa atij i duhej të mbrohej me shqipen që, me kalimin e kohës në Tiranë, e kishte afruar shumë kah standardit. E mbaj mend sesi ishte i shqetësuar se të gjithë ata që pretendonin se ishin “elita” flisnin vetëm turqisht.

Në këtë ditë, Prizreni është më shumë. Është kënaqësi të shëtisësh i vetëm dhe është një qytet shumë mikpritës. Ai është krenaria e Kosovës dhe një vend që t’i e ndjen shumë të afërt atë tip të ndërtimit fin qytetar osman, që e ke të përhapur në vetëm pak qytete në Ballkan. Por, edhe për serbët. Të dyja palët piqen në një vend, ku shkon fjalia: “po nuk ke parë Prizrenin, hiç mos e thuaj se ke qenë në Kosovë”. “Pse? – e pyes dikë. “Po a ke parë qytet ma të bukur dhe ma të begatë. Ne dimë të bëjmë tregti. Ne dimë të punojmë”, -më thotë krenar. “Mirë, po pse kaq turk?” -e pyes, Agronin, një burrë të ri, që ka qenë në Luftë. Ngre supet. E kam formuar përshtypjen nga lagjet e vjetra dhe nga njerëzit që qarkullojnë aty, shkëmbimin e batutave, mënyrën e ndërtimit, dyqanet, nuk e di, gjithçka. “Nuk është turk, është thjesht mbrojtje prej okupatorit”, -ma pret.

Intermexo

Qyteti që është pushtuar nga osmanët dy vjet pas Kostandinopojës, kohë më parë ishte vendi ku Perandori Stefan Dushani kishte oborrin mbretëror. Aty nxirreshin diploma që i lëshonte perandori Dushan. Po ashtu, car Dushani ka pasur edhe rezidencën verore në Ribnik afër derdhjes së Lumëbardhit të Prizrenit në Drin, ku ai dhe i biri Uroshi shpeshherë qëndronin, që do të thotë se Prizreni kishte edhe funksionin e qendrës perandorake të Nemanjëve të asaj kohe. Ndërsa në burimet bizantine Prizreni është quajtur Prisdriana dhe këtë emërtim e gjen në akt-dhuratën e vitit 1020 të perandorit bizantin Vasilit II. Por, kulmi i rëndësisë i historisë politike kombëtare, Prizreni e arriti kur u bë Qendra e Lidhjes Shqiptare, që u themelua më 10 Qershor 1878. Madje, në Prizren pati selinë e vet edhe Qeveria e Përkohshme Shqiptare (1881) e kryesuar nga banori më i njohur i këtij qyteti, Ymer Prizreni. Qyteti pati një simbiozë të çuditshme me Turqinë dhe nga ai ka pasur disa shpërngulje të banorëve drejt tij. Njëherë, pas vitit 1913, kur u vendos pushteti sllav dhe, në fund të viteve ‘50 deri në mesin e viteve ‘60, kur nga Prizreni u shpërngulën mbi 3.200 familje në Turqi.

Po shuhet e shkuara e qytetit?!

Por, nuk ishte thjesht kjo marrëdhënie, që e mbajti lidhjen. Duket se turqishtja, ishte thellë tek njerëzit. Jo më kot, megjithë ndryshimet e mëdha, deri në brezin më të ri shpesh flitet në turqisht. “Kujdes mos e tepro. Thjesht ndjehemi mirë dhe ku me e dit: ka ngel”, -më thotë dikush. Në kompleks, kjo lloj përkatësie apo prirje e shqiptarëve pak u hyn në sy banorëve të tjerë por pak nga pak ajo duket se po ndikon në traditat e zakonet karakteristike të prizrenasve. Kuptohet se veç burrave të UÇK-së, që janë aq krenar për luftën dhe nënkuptohet aq të varfër, të tjerët as duan të dinë fare. Turqishtja apo zakonet që lidhen me mënyrën e jetesës së tyre, janë dhe s’janë. Mbase duhet të rrish shumë dhe të ndjesh. Këtë e kuptoj kur jam me qytetarë prizrenas, ndërsa ata shkëmbejnë mes tyre bisedat. Vërtetë nisin shqip disa syresh, por pastaj brendia vazhdon normalisht turqisht. Qytetarët janë kthyer instinktivisht në bilingue dhe mbase kjo të bën të gjykosh për indiferentizmin e shumë prej tyre, kur kohë më parë u vendos të hiqej simboli i Lidhjes së Prizrenit nga stema e qytetit. Protesta e qindra anëtarëve të “Vetëvendosjes” dhe madje edhe e shqiptarëve të Shqipërisë duket se nuk ngriti shumë peshë...Gjithçka kish ardhur, kur një qytetar boshnjak i Prizrenit ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese për stemën e komunës, për shkak se ajo përmbante simbolin e Lidhjes së Prizrenit, gjë që, sipas tij, paraqiste kërcënim për identitetin e komuniteteve të pakicës që jetojnë në këtë qytet.

Turqi

Në fakt, e kanë një të drejtë, me ato që u panë sytë në marsin e pak viteve më parë. Atëkohë, një pjesë e shoqërisë prizrenase, e kundronte me ngazëllim sesi digjeshin kishat ortodokse dhe ishin tejet agresivë dhe me shqiptarët e kryqit. Anipse kanë mbetur të patrazuara shtëpitë e vjetra, ato me të cilat identifikohet qyteti i Lidhjes, e që duken sikur qëndrojnë në sqetullën e malit të Sharrit. Qyteti mbizotërohet nga gati 30 xhami dhe tetë kisha, ku katër ortodokset u shkrumbuan frikësisht vite më parë. Kujtoj një mikun tim katolik shqiptar, me të cilin u futëm në kishën e madhe ortodokse ato ditë në qendër, dhe frikën e tij të madhe. “Ikim. Dun me na kall, të tanve. Nuk po dun fare. Thjesht kundër kryqit”, dëgjoja kumbimin e zërit të tij në kishën e djegur. I njëjti objekt, është sërish aq i braktisur, por tashmë krejt i restauruar, ndërsa prifti s’është. Më shoqëron një burrë i forcave të Kosovës. “Kujdes se nuk është popi”, -më thotë. Nuk po gjej vendin ku ndizen qirinjtë për shpirtrat. E ndjej se e “kam fut në sëkëlldi“, si më thotë, por është shumë i sjellshëm.

Vetëm që më nguc. Si ato ditë marsi, atypari kalojnë shumë njerëz në rrugën e vjetër dhe askush nuk e kthen kokën. Shumë pranë, ka shumë prej banorëve të lagjeve më të vjetra, që tashmë e kanë lënë atë që ishte krenaria e tyre arsimimi, më thotë Shkumbini, si më identifikohet njëri prej të rinjve. “Ata janë tash më të paditmit, më t’pa shkollë. Duhet me fol turqisht dhe ani ne jena shqiptarë dhe po duem Evropën, anglishten, dhe çka po na hyn në punë turqishtja“. Në fakt turqishtja e tyre duket një miksturë që t’i mund të kapësh, si një pleksje me gjuhët e tjera dhe të njerëzve që e kanë sjellë në këtë vend. E sot, janë mijëra syresh që e flasin, por harroje evidencën. “Asht mirë me ba nji studim“, ma thotë dikush, por tashmë kush do t’ia dijë. Madje, edhe të ardhurit tashmë në qytet mundohen ta bëjnë sa më mirë një gjë të tillë. Të flasin turqisht të sillen si turkeli. Duket se bërthama e qytetit, ose ajo e ashtuquajtur “Aristokraci” e saj, gati po e kthen turqishten për ta pasur si gjuhën e vet primare. Një moshatar, më sqaron se nëse nuk e flet turqishten dhe ke punë në pjesën e vjetër të qytetit, atëherë po të marrin vërtetë si katunar. “Hajd Bujrëm”, dëgjoj dikë. ”Evet dhe....”, i përgjigjet tjetri andej. “Mehraba”, e dëgjon thjesht dhe shumë fjalë që s’i kuptoj. Në fakt gjuha është e zyrtarizuar, por duket si e tepruar që ajo ndërhyn dhe tek shqipja tani. Sa për intelektualët që e flasin shqipen e pastër, ata preferojnë të qëndrojnë neutralë dhe duket se përpjekja e tyre është më shumë se hipotetike. Që Prizreni ashtu si Kosova ka pjesë të madhe të trashëgimisë turke, kjo nuk përbën ndonjë gjë dhe për hir të së vërtetës, duhet që t’i shikojmë vlerat, por theksi për t’i kultivuar disa gjëra në kurriz të gjërave autoktone duket e tepruar.

 Në një material kam lexuar se familjet e vërteta turke në Prizren me këtë trashëgimi nuk janë më shumë se dhjetë syresh. Dy intelektualë vendas rrekin pak më vonë në një kafe, që të më shpjegojnë se po e ekzagjeroj. “Prizreni, mos harro, -më thonë, -se ka qenë një nga qytetet më të begata pas Stambollit dhe si i tillë meriton gjithçka”. Në fillim të shekullit XIX i referoheshin si qendra e dytë më e rëndësishme ekonomiko-tregtare e trojeve shqiptare, sepse numëronte rreth 1.500 dyqane në fund të kësaj periudhe. Vjetarit turk i vitit 1874 e nxjerr qytetin e Prizrenit me 44.000 banorë, nga të cilët mbi 35.000 shqiptarë. Nga e kaluara e bujshme historike, qyteti i Prizrenit ka trashëguar një numër të madh objektesh kulturo -historike. Më të rëndësishme, që lexoj në sitin e komunës janë : Kompleksi i Shatërvanit, Nënkalaja, Marashi, Kalaja, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Shpëtimit, Xhamia e Bajraklisë, Xhamia e Safi Sinan Pashës, Hamamet e qytetit, krojet e qytetit, ura e gurit dhe një numër i madh i shtëpive folklorike të qytetarëve të trashëguar ndër shekuj.

Që bija e Therandës së vjetër, është e jashtëzakonshme, këtë e ndjen në çdo hap, por patetizmi i këtij lloji, më shumë ia zbeh vlerat. Bukuria është ende kudo dhe lodron te lagjet e vjetra, tek ura e bukur në mes të qytetit, lagjja e kalasë apo ai tempulli i ujit, që sot ndodhet nën Kala apo lagjja e quajtur “Bunarllëk”, ku ekziston një burim aq i dashur me ujë buzë lumit të qytetit. Por çfarë s’shkon vërtetë në qytet? Ajo që duket se nuk shkon është largimi i Prizrenit pak nga pak nga Shqipëria për të sjellë një copëz sepie Stambolli mes shqiptarëve.

Në fund

Në kohën e Federatës, Prizreni ka qenë i njohur për pemët, perimet dhe verën e tij. Ai përpunon dhe prodhon ende djathin e famshëm të njohur si “Djathi i Sharrit”, të njohur dhe jashtë vendit. Ka një traditë dhe përvojë të mirë për verëra të mira dhe prodhime drithërash cilësore, që i ujiste dikur me tri hidro-sisteme: Dukagjinit (2.500 ha), Radoniqit (400 ha) dhe Sistemit lokal të ujitjes (SLU-400 ha). Në një statistikë të Komunës, që i referohet viteve të shkuara, lexohet se qyteti vazhdon tregtinë dhe bizneset e tij dhe nga gjithsejtë 5.000 bizneset e regjistruara në Prizren ekzistojnë 629 biznese prodhimi dhe zejtari prodhuese, 357 biznese me veprimtari shërbyese dhe shërbime zejtare, 464 biznese me veprimtari hoteliere dhe shërbime hoteliere, 325 biznese me veprimtari transporti dhe 2,254 biznese me veprimtari të tregtisë me shumicë dhe pakicë, etj.
...

Por, këto se ulin “allahile” sikletin dhe papunësinë. Prizreni, ashtu si qytetet e Kosovës, po vuajnë vështirësi ekonomike, ndërsa kjo ka sjellë dhe probleme sociale të mëdha. Droga tek të rinjtë, vjedhjet, mungesa e imazhit. Pak javë më parë, dikush ka vjedhur plot 12 shtylla metalike të ndriçimit në Parkun e Qytetit!!! Qeshim, por kjo se ul temën që ma ka mbetur në kokë: Nëse do të jesh i vlerësuar, atëherë flit turqisht. Këtë e kujtojmë teksa kthehemi drejt kufirit shqiptar, drejt Tiranës në muzgun e një dite dimri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama