Eshte koha e dietes teknologjike

Eshte koha e dietes teknologjike
Një bisedë e sinqertë në familje? Thuajse e pamundur. Një diskutim i prindërve për shkollën e fëmijëve? Shumë e vështirë. Po ashtu një pasdite ku të gjithë familjarët ndodhen në shtëpi dhe bisedojnë të lumtur mbi atë që u ka ndodhur gjatë javës është tashmë një mit i largët. Ai është tërësisht i dhënë pas “Home Office”, ndërsa ajo nuk mund të rrijë pa hapur e-mail-et. Fëmijët nga ana tjetër janë të gjithë me celular në dorë edhe në momentin kur në tavolinë është shtruar për të ngrënë. Të ndodhur përpara këtij problemi “Wall Street Journal” prezantoi dietën teknologjike, me udhëzime që duhen ndjekur dalëngadalë për të mos qenë gjithmonë të fiksuar pas teknologjisë. “Nëse nuk e bëni dot menjëherë dhe nuk i detyroni dot as fëmijët që ta bëjnë diçka të tillë fikeni kompjuterin dhe smartphone-in të paktën për disa minuta në ditë dhe pastaj vazhdoni në mënyrë progresive”, propozon Susan Maushart, mamaja e tre fëmijëve dhe autorja e studimit për varësinë ndaj teknologjisë. Nga studimet e disa ekspertëve të specializuar në kurën ndaj varësisë teknologjike del se edhe vetë individët mund të luajnë një rol të madh. “Është e drejtë t’u vendosësh rregulla të rinjve edhe në këtë pikë, ashtu si në të gjitha gjërat e tjera. Nuk mund të luash playstation në tavolinë ashtu si nuk mund të fusësh gishtin në hundë dhe shpresohet që të rriturit t’u mësojnë atyre rregullat e mira të sjelljes”.

Kur krijojmë varësi

E-mail-in më të rëndësishëm të jetës së tij, Kord Campbell, një ekspert informatike e lexoi plot 12 ditë me vonesë. Bëhej fjalë për një ofertë shumë të mirë pune, që shkoi dëm. Këto janë gjëra që mund t’u ndodhin maniakëve të uebit që duke u përpjekur të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht, humbin në detin e informacioneve që lexojnë çdo ditë. Kord është një prej shumë 'multitaskers', skllevër të uebit, tërësisht të paaftë të shkëputen prej mjeteve teknologjike. Bashkë me gruan dhe dy fëmijët adoleshentë, çdo mëngjes, Kord ha mëngjes duke klikuar në Ipad, lexojnë lajmet në kompjuter dhe dëgjojnë muzikë në kufjet e Iphone. Në darkë shkojnë të flenë me lap-topin e mbështetur në krevat, pasi u janë përgjigjur e-mail-eve të fundit dhe kanë përshëndetur miqtë në chat. Tepritë teknologjike, ashtu siç shkruan “Wall Street Journal” mund të krijojnë probleme në perceptimin e realitetit madje edhe në botën e afrimitetit. Të dhënat janë befasuese: kush përdor kompjuterin në punë hap programe apo sheh e-mail-et mesatarisht 37 herë në ditë, duke e vënë trurin përpara një stresi shumë të madh. Shumë informacione së bashku shkaktojnë një lloj varësie. Të mos jesh i lidhur me internetin ndonjëherë shkakton edhe ankth, të njëjtin që Kord tregon se provon çdo mëngjes në 221 sekonda kur metroja me të cilën shkon në punë kalon poshtë një tuneli.

“Kur isha i ri, tregon, luaja basketboll dhe maksimumi kaloja një orë në video-game”. Përkundrazi, tani interneti është bërë si një punë për të dhe në kohën e lirë nuk shkëputet asnjëherë nga aparatet teknologjike. Sipas një studimi të Universitetit të San Diegos, në vitin 1960 njerëzit kalonin rreth 4 orë përpara ekranit të vogël të televizorit. Sot mesatarja është rreth 12 orë dhe ka nga ata që kalojnë shumë kohë njëkohësisht përpara kompjuterit dhe televizorit. Për më tepër, sipas një kërkimi të “RescueTime”, amerikanët vizitojnë rreth 40 faqe interneti në ditë. Por e gjithë kjo mund të shkaktojë probleme: një test i hartuar nga Eyal Ophir, një studiues i Stanford tregon se 'multitaskers' janë shumë më të pakujdesshëm në krahasim me ata që drejtojnë më pak informacione njëkohësisht. Në veçanti, kush arrin të bëjë shumë gjëra së bashku është më i zoti se të tjerët për të marrë informacione të reja, por më pak i aftë të vlerësojë se cili informacion është i domosdoshëm për punën e tij. Për t’u shqetësuar është edhe mungesa e tyre për të jetuar në mënyrë normale gjestet e përditshme. Kord tregon se ditën që nuk pa e-mail-in e famshëm për ofertën e punës harroi shumë herë hamburgerët në zjarr, nuk i mori fëmijët në shkollë dhe mungoi në një sërë takimesh. Por edhe fëmijët nuk ngelen pas për sa i përket teknologjisë: janë vazhdimisht të pandërprerë nga “Facebook”, “Twitter” dhe miqtë në chat dhe shpesh nuk arrijnë të përqendrohen për të bërë detyrat dhe rezultatet e tyre në mësime kanë rënë ndjeshëm. Dhe kanë të drejtë, sepse koha që i kushtojnë uebit i bën të mos jenë të përqendruar në gjërat e tjera.

Të gjithë së bashku provuan të dizintoksikohen duke shkuar me pushime, por nuk ia arritën dot. Pas shëtitjes së parë në plazh, nuk rezistuan dot duke “vajtur” me kokë te kompjuterët dhe telefonat. Sipas specialistëve, problemi i varësisë teknologjike po bëhet gjithmonë e më shqetësues. Njerëzit janë 24 orë online, madje edhe kur flenë. Ka nga ata që edhe natën nuk arrijnë dot pa parë nëse kanë ndonjë mesazh në celular apo “Facebook”. Zgjidhja më e mirë është që çdo ditë e nga pak të kufizohet koha që i kushtohet teknologjisë. Po ashtu është më mirë nëse në darkë flini me celular apo kompjuter të fikur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama