Qëndrimi i opozitës
Duke folur në seancën e parë për vitin 2011, Ruçi ka deklaruar se edhe ky sesion do të dështojë, për shkak të paaftësisë së kryeministrit Berisha për të qeverisur. “Edhe ky sesion parlamentar, ashtu si të kaluarit, është i destinuar të dështojë për shkak të paaftësisë së kryeministrit për të qeverisur. Sot shqiptarët janë më të varfër se kurrë, më të shtypur se kurrë nga qeveria që është e zhytur në llumin e korrupsionit më të pashembullt në Evropë. Gjithashtu, shqiptarët janë të shtangur nga ajo që tregoi veprimin më të turpshëm të korrupsionit”, ka deklaruar Ruçi. Sipas tij, pasojat e kësaj keqqeverisjeje po i ndjejnë qytetarët shqiptarë, të cilët Evropa i la jashtë pikërisht për faj të pushtetit. “Më tej shefi i deputetëve socialistë ka prekur edhe çështjen e hetimit të zgjedhjeve, të cilën sipas tij edhe pse e kërkoi faktori ndërkombëtar, e bllokoi kryeministri për të fshehur skemat e tij të manipulimit.
“Hetimin e zgjedhjeve e kërkoi BE, e kërkoi Departamenti i Shtetit, e kërkoi gjithë bota. Por Berisha nuk e lejoi atë. Sot i madh e i vogël e ka kuptuar se Saliu nuk lejoi hetimin e zgjedhjeve, sepse e ndalon frika se skema e manipulimit të votave që zbatoi ai dhe kusarët e tjerë në qeveri do të zbardhej. Kaq shumë frikë nuk mund të ketë një kryeministër, por vetëm një burracak që ka lepurin në bark”, ka theksuar Ruçi.
Përgjigja e Berishës
Kryeministri Berisha i është përgjigjur deklaratave të kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, duke përdorur një ton të ashpër ndaj tij. “I nderuar zoti Ruçi, këlyshët e bllokut lehin dhe nuk hanë, zogjtë e bunkerit nuk fluturojnë”, ka deklaruar Berisha, i cili i ka kujtuar Ruçit edhe episode të së kaluarës. “Me rroba grash je larguar ti nga Shqipëria. Me rroba grash të ka denoncuar kryetari yt. Ia ke mbathur me kostum grash. Pse i veshe është puna jote. Por për kërcënimet po ta them: këlyshët e bllokut dhëmbë nuk kanë dhe nuk kafshojnë. Ti vetëm sa nxore fytyrën si legen”, i është drejtuar Berisha Ruçit.
Sali Berisha
“Kjo administratë punoi për qytetarët shqiptarë, ndërkohë që krahu i bllokmenëve të rinj bëri gjithçka për të bllokuar procesin e liberalizimit të vizave, bojkotonte kuvendin dhe orgji, e të gjitha me radhë vetëm e vetëm duke u çjerrë si racistë në Kuvend. Ky vit ishte më i bekuari pasi shqiptarët i shpëtuan krizës më të rëndë ekonomike, tha zoti Berisha duke akuzuar lidershipin e opozitës se po bën të pamundurën që t’u mëshojë në mendje shqiptarëve se qeveria do t’u ulë pagat e pensionet pas 8 Majit”.
Gramoz Ruçi
“Zoti kryeministër, nëse mendon se hesapin e zgjedhjeve me opozitën e ke mbyllur, e ke gabim”, i është drejtuar Ruçi Berishës, të cilit, duke e quajtur si një kryeministër në ikje, i ka bërë ofertën e fundit të opozitës. “Ik, largohu dhe hapi rrugë vendit. Largohu dhe hapi rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është oferta jonë e fundit, e shumicës së vërtetë shqiptare. Ke vetëm një rrugë, që ta pranosh atë”, ka thënë Ruçi.
Ili Meta
“Edi Rama, tashmë kryetari i sektit të spiunëve të Shqipërisë, kjo fundërrinë e pashembullt morale e shoqërisë shqiptare, ky njeri që mohoi atësinë e të birit në gjyq, ky njeri që akuzoi babain e tij si babain e djalit të tij, ky njeri i pander, i pafamilje, pa asnjë normë shoqërore dhe morale, synoi të bënte një puc përmes një përgjimi kriminal, të paligjshëm dhe të pashembullt, duke përdorur si dëshmitar një fundërrinë të paparë, që e kishte akuzuar Edi Ramën si një njeri që e kishte parë duke marrë kokainë në zyrën e kryetarit të Bashkisë”.
Përplasje mes Berishës dhe Ballës
Momente tensioni janë regjistruar në seancën e parë parlamentare të këtij viti. Shkak është bërë një mosmarrëveshje mes kreut të LSI, Ilir Meta dhe kryetarit të grupit socialist Gramoz Ruci, për marrjen e fjalës. Pas ndërhyrjes së deputetit Taulant Balla, i cili iu drejtua Metës, ka reaguar ashpër kryeministri Berisha. “Një përfaqësues i klaneve të drogës, ai i Gjurës. Mos kini merak, këtu do jeni. Dëgjo ti Taulant Gjura, kur të kërcënosh ti njeri këtu do futesh në shpellat e Gjurës. Ik more qelbanik”, i është drejtuar Berisha Ballës. Pas këtij debati Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka kërkuar mbylljen e seancës, por ajo ka rifilluar menjëherë.
Tension në seancë
Tensione të ashpra janë verifikuar në këto momente në Parlament, pasi kryeministri Sali Berisha ka përdorur një sërë akuzash personale ndaj liderit të opozitës, Edi Rama. Duke folur për videon “e montuar”, Berisha ka theksuar se atë e ka bërë një njeri që ka akuzuar babain e tij. “Pak ditë më parë, kryetari juaj shfaqi një video. Me çakallin e tij e kishte bërë siç donte ai. Kishte montuar një pjesë që thoshte: kryeministri, direktivë për tenderin. Kam ndjerë një kënaqësi të madhe. Pse, sepse kur ta bën këtë ai që ka akuzuar të atin për baba të djalit të tij, që ka paditur të atin, Kristaq Ramën, në gjykatë dhe s’ka pranuar të bëjë analizën...”, ka deklaruar Berisha.
Batutat në Kuvend
Berisha: Këlyshët e Bllokut nuk kanë dhëmbë, lehin por nuk të kafshojnë. Ti Gramoz ke ikur me rroba grash për në Greqi.
Ruçi: Kryeministër, unë s’të kam frikë ty dhe kërcënimet e tua nuk më trembin mua. Ti je një kryeministër në ikje.
Ruçi: Kam një propozim të fundit për ju zoti Berisha. Të them që të ikësh me të mira përpara se të të heqë populli.
Berisha: Propozimi i fundit i imi është ky...shkoni para selisë se PS-se dhe zhvishuni lakuriq...hiqini hiqini, zhvishuni, lakuriq lakuriq...më shumë më shumë...po po...do zhvisheni ju apo? E doni më tutje apo me kaq jeni mire.... ikni mor legena aty.