Kujdes del udhezimi per survejimin me kamera i cdo ambienti ku jetojme

Kujdes, del udhezimi per survejimin me kamera i çdo ambienti ku jetojme
Pothuajse në çdo ambient ku ne jetojmë do të jemi të rrethuar nga kamerat e vëzhgimit, ndërsa aktualisht kjo bëhet vetëm për raste të veçanta, të lejuara me ligj për çështje sigurie. Një udhëzim i publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare, hartuar nga komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale, i jep të drejtë çdo subjekti të vendosë kamera vëzhgimi për qëllime të ndryshme, të argumentuara me ligj. Përveç ambienteve si, dhoma zhveshjeje, tualet apo dushe, te të tjerat si, zyra, prona publike dhe private, dyqane, apo dhe pallate, mund të vendosen kamera vëzhgimi për arsye sigurie, por më parë duhen plotësuar disa kushte ligjore ku më kryesore është mos keqpërdorimi i të dhënave që regjistrohen.

Udhëzimi është përgatitur nga komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale në mars të vitit të kaluar dhe i bërë publik në qershor, por zbatimi i tij do të nisë këtë vit me botimin në Fletoren Zyrtare në janar të 2011-s. Në udhëzim janë shpjeguar qartë rastet se kur duhet vendosur kamera e survejimit, jo vetëm në ambientet e institucioneve shtetërore, por edhe në ato private. Gjithsesi, ai subjekt që vendos një kamera duhet me patjetër të vejë në dijeni personat e tjerë se janë duke u vëzhguar, siç ndodh me bankat, dyqanet. Ashtu pritet të ndodhë edhe me zyrat e një kompanie private, ku pronari vendos kamera për të ruajtur ambientin që mban të dhëna të sigurisë së lartë.

Pavarësisht kësaj të drejte që e jep ligji, problem konsiderohet keqpërdorimi i këtyre regjistrimeve dhe garancia që ofrohet për ruajtjen e tyre.

Në udhëzim thuhet se të dhënat e siguruara nga kamera e survejimit duhet të ruhen për një periudhë maksimumi deri në një javë, pra 7 ditë, kohë e mjaftueshme kjo për t’i përpunuar dhe arritur qëllimin e kërkuar. Sesi do të garantohet kjo në realitet, këta askush nuk mund ta thotë, pavarësisht se ligji parashikon masa shtrënguese me gjobë. “Qëllimi i regjistrimit duhet të specifikohet qartë dhe të jetë në përputhje me interesat ligjore të kontrolluesit (p.sh. mbrojtja e pronës kundër

vjedhjes). Regjistrimet mund të përdoren vetëm për hetimin e një ngjarjeje që ka sjellë dëmtimin e këtyre interesave të mbrojtura me ligj”, sqaron zyra e komisionerit që mbron të dhënat tona. Sipas kësaj strukture, legjitimiteti i përdorimit të regjistrimeve për qëllime të tjera duhet të jetë i kufizuar për një interes të rëndësishëm publik, si në rastin e luftës kundër kriminalitetit.

Një pikë e udhëzimit, nga mënyra sesi është formuluar lë shteg për shumë debat, “Një sistem videosurvejimi dhe lidhja me ndërhyrjen në jetën private mund të konsiderohet i arsyeshëm ose i përshtatshëm për të arritur objektivat e kontrolluesit, por gjithmonë pa cenuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individëve”. Kush garanton keqpërdorimin e regjistrimit, transferimin e të dhënave te një subjekt i paautorizuar etj., këto mbeten pikëpyetje me dilema të mëdha.

Që të dy, si sektori publik dhe ai privat mund të vendosin videosurvejime në hyrje të godinës zyrtare ose të biznesit nëse kjo është e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe të pronës, për të siguruar dhe mbikëqyrur hyrjet dhe daljet në ndërtesë, ose nëse nga natyra e punës ka një kërcënim potencial për punëdhënësit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama