Kujdes mos qendroni shume ulur!

Kujdes, mos qendroni shume ulur!
Një studim i “University College London” ka llogaritur se të qëndrosh çdo ditë rreth katër orë ulur përpara ekranit të vogël rrit rrezikun e sëmundjeve vdekjeprurëse me 48 për qind dhe atë për të vdekur nga sëmundjet kardiake me 125 për qind.

Nuk ka rëndësi nëse shkoni në palestër çdo ditë, nuk pini duhan, dhe alkool: armiku i vërtetë i zemrës suaj është televizori, sidomos nëse kaloni katër orë ulur përpara ekranit të vogël. Nëse praktikoni një zakon të tillë, rreziku për infarktet dhe sëmundjet kardiovaskulare rritet ndjeshëm. Përfundimi ka dalë nga një studim i “University College London”, sipas të cilit të kalosh shumë kohë përpara televizorit, shkakton rritje të përgjithshme të sëmundjeve vdekjeprurëse me 48 për qind dhe rrit me 125 për qind rrezikun për të vdekur nga sëmundje kardiake. Studimi i publikuar në “Journal of the American College of Cardiology”, është fryt i një studimi të bërë tek 4.512 persona të ndjekur për katër vjet radhazi, gjatë të cilëve 325 vdiqën dhe 215 kanë pasur të paktën një sëmundje kardiovaskulare. Duke krahasuar të dhënat mbi shëndetin me ato mbi sasinë e orëve të kaluara përpara televizionit apo kompjuterit, kërkuesit gjetën një rritje të rrezikut tek ata që çdo ditë qëndronin ulur për më shumë se katër orë, e kjo ndodhte edhe në mungesë të zakoneve të këqija si alkooli, duhani dhe në prani të zakoneve “pozitive” si ushtrimet fizike.

“Një mënyrë për të qenë të shëndetshëm është edhe zvogëlimi i kohës që kalohet ulur. Tre ose katër orë përpara televizorit në ditë janë shumë, që përveçse është mënyra më pasive dhe më pak kreative për të kaluar kohën, përfaqëson dhe rrezik të madh për shëndetin”, ka treguar një prej autorëve, Emmanuel Stamatakis, i Departamentit të Epidemilogjisë dhe Shëndetit Publik. Megjithatë të tjerë specialistë, sidomos ekspertët italianë, i kanë parë me skepticizëm këto përfundime. “Rezultatet e studimit janë shumë shabllon dhe ‘kapin’ interesin e atyre që e lexojnë e që mund të arrijnë në përfundimin se duke parë televizor, mund të na dhëmbë zemra. Por nëse do të hyhet në detaje, do të zbulohen të veçanta të rëndësishme që na bëjnë të kemi dyshime mbi vlefshmërinë e këtij pohimi”, shpjegon profesor Paolo Camici, drejtor i shkollës së specializimit në sëmundjet kardiovaskulare në universitetin “Vita-Salute San Raffaele” e Milanos. Në veçanti profesori bën me dije se vullnetarët që janë marrë në shqyrtim, janë intervistuar përmes telefonit, duke deklaruar me zë për kohën mesatare që kalonin para televizorit, pa asnjë kontroll objektiv mbi verdiktin e deklaratave të tyre. Në bazë të rezultateve të sondazhit u ndanë më pas në tre grupe dhe më vonë u pa se ata që kalonin më tepër se katër orë përpara televizorit, kishin më shumë mundësi për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare.

“Megjithatë - shpjegon Camici – duke parë detajet e studimit, vihet re se si komponentët e grupit të fundit janë mesatarisht 4-5 vjet më të mëdhenj se të tjerët, kryesisht të seksit mashkull dhe në pjesën më të madhe të prekur nga sëmundjet kronike, si tensioni i lartë i gjakut dhe diabeti. Megjithatë edhe pse autorët kanë futur të dhëna statistikore për të korrigjuar këto diferenca, e dhëna kryesore është se subjektet që shohin më shumë televizor kanë edhe një numër të madh arsyesh për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Në fund, pika kyçe është se ai që ka përcaktuar rrezikun më të madh për këto subjekte, nuk është televizioni në vetvete, por fakti që qëndrojnë të ulur për shumë kohë”.

Sipas raportit të vitit 2002, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekzistojnë ende faktorë në gjendje të ndikojnë konkretisht në mënyrë negative jetëgjatësinë e njeriut në vendet e industrializuara. Në veçanti bëhet fjalë për aspekte që varen nga sjellja apo zakonet e jetës së individëve dhe nga faktorë të modifikueshëm, si duhani, përdorimi i substancave alkoolike, jeta sedentare, mbipesha, reduktimi i konsumit të frutave dhe perimeve dhe përdorimi i substancave narkotike. Duhani, sipas raportit, lidhet mesatarisht me një reduktim të 12,2 viteve jetë, alkooli në një shkurtim prej 9,2 vjetësh dhe jeta sedentare me 3.3 vjet jete më pak. Televizor apo jo, duket se çelësi për të qenë të shëndetshëm fshihet në një kompleks faktorësh që shkojnë nga ushqyerja te stili i jetesës. Sigurisht duke kaluar edhe tek ushtrimet e përditshme fizike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama