Qeni na kupton sepse njeh mbi 1000 fjale

Qeni na kupton, sepse njeh mbi 1000 fjale
Dëshira për të mësuar do ta kishte çuar në arritjen e rezultateve akoma më të mira, por ata që u lodhën në këtë rast ishin pikërisht mësuesit e tij. Chaser, një qen bukurosh, pati fatin, ose ndoshta fatkeqësinë, varet nga këndvështrimi, që të jetonte me dy njerëz shumë të veçantë, dy kërkues shkencorë universitarë të specializuar në psikologji komportamentale, të cilëve u hipi në kokë që të merreshin me qenin e tyre, apo më mirë me inteligjencën e qenit të tyre. Thelbi i studimit ishte që të shihnin reagimin e tij, për atë që quhet të lidhurit e fjalës me objektin.

Për çdo njeri, që është i pasionuar me kafshët dhe veçanërisht me kafshët e shtëpisë, nuk është i nevojshëm një studim trevjeçar, me shumë dokumente dhe publikime nëpër revistat shkencore, për të dalë në përfundimin se qeni, apo kafsha shtëpiake, i kupton të gjitha urdhrat që i jepen. Ky është në fakt edhe përfundimi në të cilin arritën dy shkencëtarët amerikanë, por sigurisht që është një studim që shkon përtej këtij konkluzioni të qartë për çdo dashamirës të kafshëve të shtëpisë dhe përtej asaj që dihej deri në këtë moment, për inteligjencën e kafshëve. Aftësitë e përftuara nga qeni me të cilin u morën të dy shkencëtarët i tejkalojnë ato të species së cilës i përkasin, madje edhe të specieve të tjera, si papagajtë dhe majmunët, që deri më tani konsideroheshin si kafshët më “elokuente” të botës së kafshëve dhe sigurisht më shumë se qentë.

Qeni në fjalë ka qenë në gjendje të dallojë rreth 1200 terma të veçantë dhe t’i lidhë ato fjalë me objektet që i korrespondonin. Madje ai ia ka dalë që të dallojë edhe formën e objektit dhe të tregojë se ka një sistem memorieje të brendshme shumë të zhvilluar, që mund të bëjë bashkë një stimul audio me një stimul viziv. Mësuesit e tij shkruajnë në studimin e tyre se qeni me të cilin rrinë është më i aftë edhe se vetë ata kur bëhet fjalë për të kujtuar emrat e lodrave dhe që ka shumë qartë aftësinë për të kuptuar gjuhën njerëzore. Madje, sipas tyre, qeni shfaq aftësinë e një fëmije në moshën trevjeçare për sa i përket të kuptuarit, të memorizimit dhe reagimit ndaj gjërave të ndryshme.

Qeni, në fakt, nuk do të mjaftohej vetëm me këtë numër fjalësh të mësuara prej tyre, që shkonte në 1022, dhe dy shkencëtarët vendosën t’i jepnin fund mësimit me nxënësin e zellshëm. Kjo ndodhi sepse ata ishin të kënaqur nga aftësia dhe shpejtësia me të cilën ai i mësonte fjalët e reja. Eksperimentet e tyre, ose më mirë rezultatet, i kanë tejkaluar ndjeshëm ato të kolegëve të Institutit Max Planck, të cilët, në vitin 2004, i kishin mësuar qenit Rico 200 fjalë. Në këtë klasifikim, pra në atë të qenve inteligjentë do të futej më pas edhe Besi, një qenushe austriake e aftë për të mësuar 340 fjalë.

Por të dy qentë e sipërpërmendur ishin pjesë e një kërkimi shkencor me rregulla më pak të ngurta dhe strikte se ai i ndërmarrë nga dy shkencëtarët amerikanë për të cilët po flasim. Por të gjitha këto eksperimente të bëra ndërkohë tregojnë mbi të gjitha se aftësitë e një qeni, por edhe të kafshëve në përgjithësi, janë shumë më të mëdha nga sa mendojmë për sa i përket të kuptuarit të dimensioneve të shumta të botës sonë, ndër të cilat hyjnë edhe fjalët dhe shprehjet, si dhe lidhja e këtyre me pamjen e objekteve.

Aftësitë e të kuptuarit gjithsesi lidhen në mënyrë të ngushtë me aftësinë e të trajnuarit. Pra kafshët i shfaqin aftësitë kur kanë një trajner shumë të mirë njerëzor. Në raste të tjera, pra të zakonshme, ato rrinë të fjetura dhe nuk aktivizohen. Kjo gjë ndodh rëndom dhe ne i quajmë me raste kafshët si të paafta për të kuptuar veprimet tona, apo fjalët. Dy shkencëtarët amerikanë pas rezultateve të shkëlqyera që kanë marrë me qentë, duke qenë të bindur se të kuptuarit është një aftësi e të gjitha kafshëve, kanë vendosur që këtë gjë ta provojnë.

Por për momentin, deri në përfundimin e kërkimeve të tjera, qeni ashtu sikundër majmunët dhe papagajtë, konsiderohen si një nga kafshët që i kuptojnë më mirë fjalët, që do të thotë se kanë kujtesë dhe inteligjencë, çka deri më tani ka qenë një “bekim” vetëm i njerëzve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama